Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës përmes një komunikate për media ka deklaruar se nuk e përkrah protestën që do të mbahet të enjten para Kuvendit të Kosovës për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga Trusti.
Adnan Jashari, organizator i kësaj proteste, në një prononcim për Telegrafin të mërkurën tha se kanë marrë mbështetjen e qytetarëve, por edhe të BSPK-së.
Megjithatë, kjo deklaratë sipas BSPK-së është e pavërtetë.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është gardian i mbrojtjes së të drejtave të të punësuarve në Republikën e Kosovës, dhe ka strategjinë e tij vepruese që mbështetet fuqishëm po në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve e në promovimin e po të këtyre të drejtave, dhe po ashtu kujdeset që të mbrojë edhe pastërtinë e veprimit të vet nëpërmjet hierarkisë organizative e menaxhuese”, thuhet në reagimin e tyre.
“Prandaj na duhet të reagojmë në prononcimin e organizatorit të protestës së nesërme, 26 maj 2022, për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), z. Adnan Jashari, duke treguar se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk i ka dhënë asnjë përkrahje kësaj proteste”, thuhet tutje.
Të enjten e 26 majit në orën 12:00 do të protestohet para Kuvendit të Kosovës me kërkesën për t’u lejuar tërheqja e 30 për qind e mjeteve të Trustit. /Telegrafi/
“Të enjten protestohet për Trustin, qytetarët kërkojnë tërheqjen deri në 30%”, ka shkruar Haxhiu.
“Pasi që shumicës në grup iu përshtat ora 12:00 për të protestuar të enjten, ashtu e vendosëm! Pra të enjten protestojmë në mënyrë paqësore para Kuvendit të Kosovës, dhe ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të votojnë Projektligjin për tërheqje 30 % të Trustit”, ka shtuar ai.