Rregullorja e dyshimtë e BQK-së: Dyshohet se u favorizuan punëtorët e bankave në kredimarrje

Banka Qendrore e Kosovës

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), dyshohet se po i favorizon zyrtarët dhe punëtorët e bankave komerciale në Kosovë, duke iu mundësuar marrjen e kredive individuale nëpër banka me një limit deri në 300 mijë euro.

Me datën 29 gusht të vitit 2019, Bordi i BQK-së kishte vendosur ndër tjera, ta ripërtërijë dhe ta miratojë “Rregulloren për Transaksionet me Personat e Ndërlidhur me Bankën dhe Punëtorët e Bankës”.

Me një ndryshim në këtë rregullore, BQK-ja kishte vendosur që limiti i ekspozimit kreditor për punëtorët e bankave nga 100 mijë të rritej në 300 mijë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Me hyrjen në fuqi të kësaj rregullore më 2019, ishte shfuqizuar Rregullorja për Transaksionet me Personat e Ndërlidhur me Bankën dhe Punëtorët e Bankës, e aprovuar nga Bordi i BQK-së më 29 nëntor të 2012-s, ku limiti i marrjes së kredisë për këta persona atëkohë ishte vetëm 100 mijë euro.

Neni 6 i kësaj rregulloreje, ku përcaktohet qartë ekspozimi për punëtorët, thotë se “Asnjë bankë nuk duhet të japë mjete financiare për një punëtor/e të saj mbi shumën prej treqind mijë (300.000,00) euro”.

Ndërkohë, neni 5, pika 2 dhe 3 e rregullores, përckaton edhe kufizimin e ekspozimit për personat e ndërlidhur.

Sipas këtyre pikave referuese, “Asnjë bankë nuk duhet të ketë një ekspozim ndaj ose në dobi të një personi që ka lidhje me atë bankë, nëse si rezultat i kësaj, shuma e përgjithshme e ekspozimit ndaj ose në dobi të personave që kanë lidhje me atë bankë, do të tejkalonte dhjetë për qind (10c/o) të kapitalit të klasit të I të bankës”.

Kurse pika 3 e nenit 5 të kësaj rregulloreje, thotë se “Asnjë bankë nuk duhet t’u jap kredi personave të lidhur ose kredi për përfitim të personave të lidhur, nëse si rezultat prej kësaj shuma e grumbulluar e papaguar e të gjitha kredive të dhëna nga banka personave të lidhur të bankës do të tejkalojë njëqind (100) për qind të kapitalit të bankës”.

“Çdo shkelje e dispozitave të kësaj rregulloreje do të jetë subjekt i masave përmirësuese dhe ndëshkuese, siç përcaktohet në Ligjin për Bankën Qendrore dhe Ligjin për Bankat”, thuhet tutje në nenin 7, të rregullores së BQK-së.

Ndryshe, në bazë të rregullores në fjalë, të miratuar nga vet BQK-ja, qëllimi i kësaj rregulloreje është që të përcaktojë kufizimet monetare të cilat kontrollojnë ekspozimet e personave të ndërlidhur me bankën, ku konflikti i interesit mund të jetë i pranishëm dhe siguron që kreditimi i tillë të bëhet në baza të shëndosha dhe të paanshme, si dhe të bëhet kufizimi i ekspozimeve ndaj të punësuarve të bankës.

Kjo rregullore aplikohet për të gjitha bankat e licencuara nga BQK për të operuar në Kosovë, kurse për degët e bankave të huaja që operojnë në vend, është i aplikueshëm vetëm Neni 6 i kësaj rregulloreje.

Sipas rregullores, edhe menaxherët e lartë të bankave mund të aplikojnë për kredi deri në shumën e limitit kreditor për nevoja individuale, por jo edhe për ato biznesore.

Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje edhe në Bankën Qendrore të Kosovës për të kërkuar sqarime shtesë në lidhje me këtë rregullore, se nga kush ka ardhur kjo kërkesë për rritje të limitit për kredimarrje për punëtorët e bankave, rreth arsyes se pse është bërë ky ndryshim në nene, dhe nëse BQK-ja ka bërë paraprakisht ndonjë analizë të mirëfilltë rreth nevojës për rritjen e limitit të ekspozimit për punëtorët bankar në vend, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk ka marrë ndonjë përgjigje. /Buletini Ekonomik/