Rritja e aktivitetit të bizneseve në eurozonë u ngadalësua këtë muaj, por vazhdon të mbetet relativisht e fortë, pavarësisht nga kriza e kostos së jetesës që ka dëmtuar rëndë shpenzimet e konsumatorëve, si dhe nga mungesa e lëndëve të para, e cila ka penguar zgjerimin në sektorin e prodhimit, sipas të dhënave nga një studim paraprak.
Indeksi i Përbërë i Menaxherëve të Blerjeve (PMI) nga S&P Global, i cili u publikua të martën dhe konsiderohet si një tregues i mirë i shëndetit të përgjithshëm ekonomik, ra në 54.9 për muajin maj, nga 55.8 që ishte në prill, një shifër më e ulët se parashikimi prej 55.3 nga një sondazh i Reuters.
Çdo vlerë mbi shifrën 50 tregon rritje të aktivitetit të bizneseve.
“Kjo rënie e vogël e PMI për eurozonën gjatë muajit maj tregon se aktiviteti i bizneseve po qëndron në nivele më të mira nga ҫ’kishim menduar. Por, rikthimi i aktivitetit në sektorin e shërbimeve ka gjasa të përballet me vështirësi për shkak të inflacionit të lartë, ndërsa rënia e porosive të reja paralajmëron një situatë të keqe për industrinë.” tha Jessica Hinds nga Capital Economics.
PMI e muajit maj për sektorin e shërbimeve ra në 56.3 nga 57.7, shumë më poshtë se parashikimi prej 57.5 nga sondazhi i Reuters, pasi çmimet stratosferike bënë që shumë konsumatorë të tregoheshin më të kujdesshëm në shpenzimet e tyre.
Rritja e kërkesës për shërbime pësoi rënie – indeksi ra në 55.2 nga 56.6 – por firmat megjithatë rritën numrin e punonjësve me një ritëm më të shpejtë sesa në prill.
Rikthimi i qëndrueshëm në aktivitetin e sektorit të shërbimeve ndihmoi në rritjen e bizneseve në Gjermani, ekonominë më të madhe të Europës, megjithëse ka disa shenja që rritja e çmimeve, pasiguria në tregje dhe problemet e furnizimit kanë filluar të ushtrojnë presion mbi kërkesën, sipas një sondazhi tjetër.
Në Francë, ekonomia e dytë më e madhe e bllokut, rritja u ngadalësua pasi presionet inflacioniste nuk arritën të tejkalonin efektin pozitiv të reduktimit të kufizimeve të COVID-19.
Vrulli i ekonomisë së Britanisë, e cila është jashtë eurozonës dhe Bashkimit Europian, u ngadalësua shumë më tepër nga sa pritej këtë muaj, duke shtuar shqetësimet për një recesion, pasi presionet e inflacionit pësuan një rritje të konsiderueshme.
Indeksi PMI-flash, i cili përfshin industrinë e prodhimit të eurozonës, ra në 54.4 këtë muaj nga 55.5, një shifër më e keqe se parashikimi prej 54.9 nga sondazhi i Reuters, si dhe rekordi më i ulët që nga nëntori i vitit 2020. Por, indeksi i prodhimit, i cili përfshihet në PMI e përbërë, u rrit në 51.2 nga 50.7.
Izolimet e vendosura në Kinë për shkak të COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës kanë shkaktuar probleme në zinxhirët e furnizimit, të cilët sapo kishin filluar të rikuperoheshin nga pandemia, duke rritur kostot dhe duke kufizuar aksesin te lëndët e para.
Çmimet e input-eve dhe të output-eve të eurozonës vazhduan të jenë të larta dhe menaxherët e fabrikave ia kaluan klientëve kostot e shtuara të materialeve. Indeksi i çmimeve të prodhimit u ul krahasuar vetëm me nivelin rekord të prillit, duke shkuar në 76.0 nga 77.3.
Inflacioni në eurozonë arriti një rekord prej 7.4% në prill, sipas të dhënave zyrtare javën e kaluar. Një sondazh i ekonomistëve nga Reuters parashikoi se Banka Qendrore Europiane do të rriste normën e depozitave në korrik.
Si një shenjë që vrulli i aktivitetit të bizneseve mund të vazhdojë të reduktohet, indeksi i prodhimit në të ardhmen, i cili monitoron pritshmëritë për vitin e ardhshëm, ra në 59.6 nga 60.5, shifra më e ulët që nga korriku i vitit 2020.
“Perspektiva e rritjes po përkeqësohet qartazi, por ndikimi aktual i inflacionit të lartë dhe i luftës në Ukrainë ende nuk tregon se ka një tkurrje të aktivitetit, sipas këtij sondazhi,” tha Bert Colijn nga ING./ Reuters