Grupi teknologjik dhe industrial gjerman, Siemens AG, ka thënë se do të ndalë plotësisht operacionet në Rusi dhe do të largohet nga ky treg për shkak të pushtimit të paprovokuar rus në Ukrainë.
Në një deklaratë të lëshuar më 12 maj, kompania multinacionale ka thënë se ka nisur “procedurat për të ndalur operacionet dhe aktivitetet biznesore” në Rusi.
“Ne e dënojmë luftën në Ukrainë dhe kemi vendosur të ndalim aktivitetin tonë biznesor në Rusi. Ky nuk ka qenë vendim i lehtë, duke marrë parasysh detyrën tonë për t’u kujdesur për punëtorët tanë dhe marrëdhënien afatgjatë me konsumaorët, në një treg ku kemi qenë aktivë për gati 170 vjet”, ka thënë presidenti i kompanisë, Ronald Busch, duke shtuar se “ne jemi duke ofruar ndihmë humanitare për kolegët tanë dhe njerëzit e Ukrainës dhe i bashkohemi komunitetit ndërkombëtar në thirrjet për paqe”.
Prej kur Moska ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, më 24 shkurt, qindra kompani nga e gjithë bota janë larguar nga tregu i Rusisë.
Siemens më herët ka pezulluar aktivitetet biznesore në Rusi dhe Bjellorusi, e cila i ka ndihmuar Kremlinit në luftë.
Në Rusi, Siemens ka prodhuar pajisje shtëpiake.
Ajo ka prodhuar edhe trena elektrikë në një sipërmarrje të përbashkët me kompaninë inxhinierike hekurudhore, Ural Locomotives dhe ka ofruar mbështetje teknike për trenat e shpejtë elektrikë, Sapsan, të prodhuar nga Rusia.