Stavileci: Qeveria të zbatojë vendimin e Apelit për uljen e çmimit të energjisë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci i ka bërë thirrje Qeverisë që të zbatojë vendimin e Gjykatës së Apelit që është në favor të 450 mijë familjeve kosovare, për lirimin e çmimit të energjisë.

Stavileci me anë të një konference për medie ka theksuar se pushteti aktual, nëpërmjet pazareve dhe njerëzve të vet, është instaluar nëpër ndërmarrje publike.

“Keqmenaxhimi i Qeverisë po vazhdon. Nga dështimi në parandalimin e futjes së vendit nëpër kriza të njëpasnjëshme kjo qeveri me vetëdije të plotë dhe në mungesë të vizionit po rrëshqet në kriza të reja me fajin e vet, për shkak të të injorancës dhe arrogancës së vet, e fatkeqësisht, pandershëm, në llogari të qytetarëve të pafajshëm. Fitorja e qytetarëve të vendit tonë në realizimin e dy të drejtave elementare të tyre, atë të sigurisë së furnizimit dhe atë të përballueshmërisë së çmimeve, e cila u realizua me vendimin e gjykatave për mos-shtrenjtimin e rrymës, sot po rrezikohet pikërisht nga pushteti i cili ua shtrenjtoj rrymën në mënyrë të padrejtë, të paarsyeshme dhe të kundërligjshme”, ka thënë Stavileci.

Reklama e sponzorizuar

Më tej, ai ka potencuar se ka një tendencë të hapur për shpërfillje të shtetit ligjor, sepse pushteti aktual është duke suspenduar sistemin ligjor të vendit me mosbindje dhe moszbatim të vendimeve të gjykatave.

“Është tepër shqetësuese që kjo Qeveri dhe ky pushtet po përpiqen t’i ikin zbatimit të plotë të vendimit të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit për pezullim të vendimit të kundërligjshëm të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e çmimit të energjisë mbi 100 përqind për 450 mijë familje kosovare”, theksoi ai.

Sipas tij, paralajmërimet për reduktime në kohën kur kemi prodhim të mjaftueshëm, janë edhe një përpjekje e re e pushtetit për ta mbuluar keqmenaxhimin, krejtësisht identike me paralajmërimet për shtrenjtim për shkak të importit, i cili siç u vërtetua ishte nën vlerën prej 1 për qind në tre muajt paraprakë.

“Përsëri, me konstruktivitetin më të lartë të mundshëm, kërkojmë që të zbatohet vendimi, që të kthehet ligjshmëria dhe të mos inskenohen situata të paqena krize duke paralajmëruar reduktime.
Që nga fillimi i kësaj krize kur kemi paralajmëruar dhe rekomanduar qeverinë e deri më sot kur përsëri po e paralajmërojmë, i bëjmë thirrje që ta menaxhojë situatën, duke garantuar dy gjërat themelore për qytetarët: Sigurinë e furnizimit dhe çmimet e përballueshme dhe jo duke inskenuar e prodhuar kriza të reja”, ka përfunduar Stavileci.