Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se tashmë ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat e shtrenjta të energjisë.
Nga ZRRE thonë se në mbledhjen e fundit të Bordit menaxhues të saj, është marrë vendim që të shtyhet ekzekutimi i të njëjtit vendim, duke e respektuar kështu vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit.
“Si pasojë e gjendjes së krijuar, Bordi i ZRRE-së me datë 20 maj 2022, në Seancën e jashtëzakonshme, ka nxjerr vendim, me të cilin shtyhet ekzekutimi i Vendimit V_1489_2022 i datës 08.02.2022, sipas Aktvendimit AA.nr.364/2022 të Gjykatës së Apelit”, thuhet në një komunikatë për media nga ZRRE.
Kujtojmë se tarifat e reja të energjisë në Kosovë, kanë hyrë në fuqi që nga mesi i muaji shkurt të këtij viti.
Tashmë janë bërë tre muaj qëkur është fuqizuar ky vendim nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), dhe tre muaj të plotë qëkur qytetarët e Kosovës kanë paguar faturat e energjisë elektrike me tarifat e reja, përcjell Buletini Ekonomik.
Në muajin prill, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pezulluar zbatimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Por, përkundër vendimit të Themelores, faturat me rritje kishin vazhduar të shpërndahen të qytetarët edhe gjatë muajit prill.
Nga ZRRE patën thënë se vendimi i Themelores nuk është vendim i formës së prerë, duke iu drejtuar kështu Gjykatës së Apelit.
Ndërkohë, para tre ditëve, edhe Gjykata e Apelit vërtetoi se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji, ishte i drejtë.
Në aktvendimin e Apelit, thuhet tutje se ankesa e ZRRE-së ishte refuzuar si e pabazuar. /Buletini Ekonomik/