“4 ditë punë në javë”, eksperimentohet në Britaninë e Madhe

Më shumë se 3,300 punëtorë në 70 kompani në Mbretërinë e Bashkuar, duke filluar nga një biznes lokal deri tek firmat e mëdha financiare, kanë nisur të punojnë 4 ditë në javë duke nisur nga data 6 Qershor pa humbje page në provën më të madhe në botë të modelit të ri të punës.

Modeli po zhvillohet për gjashtë muaj dhe po organizohet nga 4 Day Week Global në partneritet me thinktank Autonomy, Fushata 4 Ditore e Javës dhe studiues në Universitetin e Kembrixhit, Universitetin e Oksfordit dhe Kolegjin e Bostonit.

Prova bazohet në modelin 100:80:100, e thënë ndryshe punonjësi merr 100% të pagesës për 80% të kohës, në këmbim të një angazhimi për të ruajtur produktivitetin 100%.

Reklama e sponzorizuar

“Ndërsa dalim nga pandemia, gjithnjë e më shumë kompani po e njohin këtë. Kufiri i ri për konkurrencën është cilësia e jetës dhe puna me orë të reduktuara, e fokusuar në rezultate është mjeti për t’u dhënë atyre një avantazh konkurrues,” tha Joe O’Connor, shefi ekzekutiv i grupit jofitimprurës 4 Day Week Global.

Disa nga kompanitë e përfshira ofrojnë arsim, konsulencë në vendin e punës, strehim, kujdes për lëkurën, shërbime rekrutimi në ndërtim, ushqim dhe pije dhe marketing dixhital.

Studiuesit do të punojnë me secilën organizatë pjesëmarrëse për të matur ndikimin në produktivitetin në biznes dhe mirëqenien e punonjësve të tij, si dhe ndikimin në mjedis dhe barazinë gjinore.

Provat javore katër-ditore të mbështetura nga qeveria do të fillojnë gjithashtu më vonë këtë vit në Spanjë dhe Skoci.

Juliet Schor, një profesoreshë e sociologjisë në Kolegjin e Bostonit dhe studiuese kryesore në pilot, e përshkroi atë si një “sprovë historike”. “Ne do të analizojmë sesi punonjësit reagojnë ndaj një dite shtesë pushimi, për sa i përket stresit, kënaqësisë në punë dhe jetë, shëndetit, gjumit, përdorimit të energjisë, udhëtimit dhe shumë aspekteve të tjera të jetës,” tha ajo.

“Java katërditore në përgjithësi konsiderohet të jetë një politikë e trefishtë duke ndihmuar punonjësit, kompanitë dhe klimën.”/Scan TV/