A duhet të ndërhyjë Qeveria në treg, për të frenuar rritjen e çmimeve?

Mehmet Gjata

Çmimet e ngritura, sidomos të karburanteve dhe të artikujve dhe produkteve që përbëjnë shportën e konsumatorit kosovar, përkatësisht të produkteve elementare ushqimore të një familjeje, në disa raste janë rrjedhojë e çmimit të furnizimit nga importi të tregut kosovar, por në shumë raste, gjithsesi, janë çmime të ngritura egërsisht nga tregtarët manipulantë dhe të pandërgjegjshëm. Dhe, te këto çmime, qeveria do të duhej të vendoste një çmim tavan dhe marzhë maksimale të fitimit, sepse në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që institucionalisht të ndërhyhet në treg për frenuar ngritjen e çmimeve, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi.

Mehmet GJATA

Shkalla e lartë e inflacionit e shënuar në muajin maj në Kosovë prej 12,5 për qind, ose shumëfish më e lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, dhe më e lartë se edhe në muajin prill të këtij viti (11.2 për qind), tregon për ngritje të madhe, enorme të çmimeve në Kosovë. Dhe, çmimet e ngritura, sidomos të artikujve dhe produkteve që përbëjnë shportën, përkatësisht të produkteve elementare ushqimore të një familjeje, duhet thënë që në fillim të këtij teksti, se  në disa raste janë rrjedhojë e çmimit të furnizimit nga importi të tregut kosovar, por në shumë raste, gjithsesi, janë çmime të ngritura egërsisht nga tregtarët manipulantë dhe të pandërgjegjshëm. Nga tregtarët e prirur për të shfrytëzuar lëvizjen e çmimeve në kohë krizash për t’u pasuruar shpejtë dhe brenda çastit, pa u brengosur fare për ndërgjegje dhe përgjegjësi personale, e as për varfërinë e shpërfaqur të shumica e kosovarëve.

Reklama e sponzorizuar

Realisht, te çmimet e ngritura si rrjedhojë e çmimit të furnizimit nga importi të tregut kosovar, nuk ka mundësi shumë të intervenohet as nga institucionet tona të shtetit as nga askush tjetër, sado që edhe te këto çmime, Qeveria do të duhej të vendoste një çmim tavan dhe marzhë maksimale të fitimit, sepse në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për të frenuar ngritjen e çmimeve, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi.

Fundja, një çmim tavan edhe për karburantet e patën vendosur edhe shumica e shteteteve të rajonin në ditën dhe muajt e krizës së madhe si pasojë e ngritjes enorme të çmimeve. Ndërsa, pavarësisht se Kosova tash e 23 vjet ka sistem shoqëror kapitalist, ku janë në fuqi parimet e tregut absolutisht të lirë dhe të ecurisë së çmimeve të të gjitha mallrave në bazë të ofertës dhe kërkesës, ndaj veprimeve matrapaze, të egra dhe manipulative të tregtarëve, shteti i Kosovës duhet ta tregojë dhe ta dëshmojë stabilitetin dhe funksionalitetin e tij, duke vendosur kontroll të ligjshëm maksimal për të frenuar shpërthimin e egër të çmimeve.

Këto veprime për të ndaluar shfrenimin e ngritjes së çmimeve, dhe daljen nga kontrolli shtetëror i këtij problemi kaq të rëndësishëm dhe të ndjeshëm për funksionimin e shtetit, në asnjë mënyrë nuk janë kundër zhvillimeve demokratike të vendit. Përkundrazi, janë në favor të fuqizimit demokratik të shtetit, të ruajtjes së paqes sociale dhe mirëqenies së qytetarëve, së paku në nivelin e tanishëm. Të gjitha shtetet e rajonit, së paku në këta muaj dhe në kohën e shpërfaqjes së krizave të ashpra, kanë aplikuar masa për të frenuar shpërthimin e vrullshëm të ngritjes së çmimeve për produkte të shumta, e sidomos për ato esenciale ushqimore dhe për karburantet.

Në këtë kontekst, qeveritarët tanë në vend të përsëritjes së refrenit se “që nga marrja e mandatit, ne si Qeveri nuk kemi ngritur as edhe një taksë të vetme. As TVSH-në, e as akcizën e naftës. Me fjalë tjera, nuk ka as edhe një veprim të vetëm të qeverisë që do të kishte ndikuar në rritjen e çmimit të naftës”, duhet shpejtuar në marrjen e vendimeve të mundshme dhe urgjentisht të caktojnë çmimin tavan, dhe të përcaktojnë, po kështu, urgjentisht marzhë maksimale të fitimit, sepse, siç ka thënë këto ditë në një status të vetin në rrjetet sociale, ministri i Financave të Kosovës, Hekuran Murati: “në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për stabilizuar çmimet, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi“.

Duhet konstatuar edhe një fakt te ngritja e çmimeve në shkallë frikësuese në Kosovë: Kjo ngritje enorme dhe rekorde e çmimit të naftës dhe benzinës në vendin tonë aktualisht, nuk është vetëm si rrjedhojë e rritjes së çmimit të furnizimit nga importi, që realisht do të ishte jashtë kontrollit institucional dhe shtetëror. Çmimet e këtoditëshme në stratosferë të karbuanteve në Kosovë, janë, siç e ka vrejtur edhe ministri i Financave, edhe pasojë dhe shkak “i rritjes së marzhës së fitimit nga tregtarët e naftës, sidomos tani kur pritet ardhja e mërgatës”.

Ministri Murati thotë se “prandaj po punojmë për një vendim që cakton çmim tavan dhe marzhë maksimale të fitimit, sepse në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për stabilizuar çmimet, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi”.

Mirëpo, nëse është konstatuar, dhe këtë e pohon vetë zoti Murati, se çmimet enorme të naftës janë rrjedhojë edhe “e rritjes së marzhës së fitimit nga tregtarët e naftës, sidomos tani kur pritet ardhja e mërgatës”, duket e diskutueshme dhe e pakuptueshme, pse Qeveria, institucionet e saja, e sidomos inspeksionet përkatëse nuk veprojnë më shpejtë për ta stopuar absolutisht rritjen e marzhës së fitimit nga tregtarët e naftës, sidomos tani në prag të ardhjes së pritshme dhe numerikisht të shumtë të mërgatës sonë.

Nëse është konstatuar se edhe te çmimi i karburanteve, tregtarët matrapaz duan të përfitojnë nga mërgata jonë, atëherë nuk është fare e kuptueshme pse pritet marrja e masave konkrete për të evituar këtë tencdencë, aq më parë kur është fjala për përpjekje mashtruesish për t’i zhvatur akoma bashkombasit tonë me rastin e ardhjes në vendlindje. Më duket e ngutshme edhe refuzimi “anbllok” i kërkesave të opozitarëve të Kosovës që Qeveria duhet të ulë TVSH-në apo akcizën në naftë ose produkte tjera, si një nga masat për të frenuar shpërthimin e çmimeve.

“Nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve (është fjala për kërkesat e opozitarëve për uljen e akcizës në naftë nga 18 në 8 për qind). Përkundrazi, një veprim i tillë vetëm sa do të trashte fitimet e tregtarëve në njërën anë, dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë në anën tjetër. Ulja e TVSH-së apo akcizës në situata inflacionare, jo domosdo reflektohet në zbritje të çmimit tek konsumatori”, është kundërpërgjigjur, sa çel e mbyllë sytë, ministri Murati, ndaj kërkesave opozitare.

Kjo përgjigje e shpejtë e ministrit është bërë pa ndonjë analizë më komplekse dhe pa paraqitur shumë fakte të forta që dëshmojnë për validitetin e përgjigjes së përfaqësuesit qeveritar ndaj kërkesave të opozitës.

Nuk është dëshmi shumë bindëse pohimi i Muratit se “dëshminë më të mirë për këtë e kemi parë përgjatë tërë vitit të kaluar, kur me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë Hoti, TVSH-ja për bizneset e gastronomisë ishte ulur nga 18% në 8%, për tërë vitin 2021. Përkundër kësaj, për asnjë moment çmimet e kafesë dhe produkteve tjera të gastronomisë nuk u zbritën, sepse e tërë ulja e TVSH-së u kthye në marzhë shtesë të fitimit për bizneset”.

Sepse gjatë vitit të kaluar (2021), megjithë TVSH-në e ulur në përqindjet e sipërpërmendura, gastronomët kosovarë nuk janë se kanë fituar edhe aq. Madje, në bazë të qarkullimit të paraqitur, ata më 2021 kanë shënuar trende negative të afarizmit për shkak të pandemisë, masave kundër saj dhe klientelës së paktë që i kanë vizituar.

Sidoqoftë, ndoshta edhe qëndron vlerësimi i ministrit Murati se “nga ulja e TVSH-së, konsumatori s’kishte fituar asgjë, shteti kishte humbur tatime që përndryshe do t’i mblidhte, dhe kësisoj shteti kishte më pak buxhet për të ndihmuar të varfrit. Situatë dhe sjellje të ngjashme ka edhe tani në vendet ku është ulur akciza e naftës nga shteti. Zbritja për konsumatorin, në rastin më të mirë ka zgjatur disa ditë, dhe pastaj çmimet janë ri-ngritur dhe janë kthyer pothuajse në nivelin para uljes së akcizës”.

Mirëpo, sido që të jetë, për këto çështje kaq të ndjeshme dhe goxha vendimtare për zhvillimet sociale në vend, duhet biseduar më shumë edhe pozita me opozitën, edhe zyrtarët me ekspertët, edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile me pushtetarët, dhe pastaj të gjykohet dhe të vlerësohet prerë dhe të vendoset sipas mendimit të zyrtarëve aktual, apo kërkesave të opozitës. Në gjendjen e acaruar sociale në të cilën ndodhet aktualisht vendi, të shkaktuar edhe nga ngritja e egër dhe jashtë çdo kontrolli të çmimeve të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore, shteti e ka për detyrë të bëjë atë që mundet –të ndërmerrë masa të ligjshme për të frenuar çmimet e egra të tregtarëve me prirje të dëshmuara manipulative, na radhë të parë, pastaj të ndërmerrë masat e domosdoshme që janë dëshmuar si të suksesshme dhe të efektshme në shumë shtete të rajonit dhe përtej, gjatë shpërthimit të çmimeve të ngritura.

Në këtë kontekst, inspektorët që paguhen nga taksat e qytetarëve duhet lëvizur më shumë, domosdoshmërisht, për të parandaluar veprimet konkrete manipulative në markete, supermarkete dhe në të gjitha shitoret e tjera, siç janë mashtrimet shumë ordinere nëpërmjet reklamimit dhe promovimit të uljeve të çmimeve, kryesisht të disa produkteve që konsumohen fare pak, ndër to edhe një, ose dy produkte esenciale, por që në fakt, produkti ushqimor i reklamuar me zbritje, në arkë shitet me çmimin e pandryshuar fare.

Inspektorët, po kështu, munden dhe e kanë për detyrë ta parandalojnë edhe veprimin tjetër manipulativ të tregtarëve me tendenca ordinere mashtruese, të cilët paralajmërojnë një produkt që kërkohet më shumë nga konsumatorët (vaj, oriz, sheqer etj), dhe realisht në shtande qitet një sasi, por fare e vogël, e cila shitet në çast, ndërsa tregtarët e mbajnë shtandin e zbrazur me çmimin gjoja të liruar të produktit. Këto manipulime lehtësisht të zbulueshme, duhet të jenë punë e inspektorëve të tregut, të cilët deri në detaje janë të njoftuar me këto mashtrime tregtarësh.

Por, ky vend ka edhe institucione të tjera zyrtare dhe kompetente për monitorimin e zhvillimeve të çmimeve, aktiviteti i të cilave, së paku deri më tash është “i mefshtë” dhe fare i paefektshëm. Ndërsa dhembshurinë për qytetarët e lodhur financiarisht edhe për shkak të çmimeve enorme që dominojnë tregjet e Kosovës, duhet ta ndiejnë sinqerisht dhe njësoj, si pozita, sikundër edhe opozita, pa politizime të skajshme, por me angazhime konkrete siç veprohet në të gjitha shtetet normale të botës, pa ndërmarrë ndonjë vendim që do ta dëmtonte buxhetin e shtetit dhe ndonjë vendim që do të përkeqësonte edhe më tej gjendjen sociale të kosovarëve, edhe ashtu të varfër. /Buletini Ekonomik/