Auditori: ATK-ja ka ngecje në pajisjen e bizneseve me arka fiskale

Arka Fiskale

Janë gjithsej edhe 13 mijë e 656 biznese të cilat operojnë si të pa fiskalizuara në Kosovë, e të cilat deri në fund të vitit 2021, kanë qenë të obliguara që të pajisen me arka fiskale.

Rregullatori kryesor i cili mbikëqyrë bizneset në vend, Administrata Tatimore e Kosovës (ZKA), sipas raportit të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka shënuar ngecje në pajisjen e bizneseve me arka fiskale gjatë vitit 2021.

Sipas raportit, pjesa më e madhe e këtyre mbi 13 mijë biznese, apo saktësisht 9 mijë e 794 biznese (rreth 72%), janë mikro biznese, të cilat kanë qarkullim vjetor deri në 5,000 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

“Ne kemi vërejtur që përkundër përpjekjeve të bëra nga ATK fiskalizimi i plotë i të gjitha bizneseve mbetet ende sfidë. Numri i bizneseve që nuk janë fiskalizuar ende e që sipas legjislacionit në fuqi kërkohet të pajisen me arka fiskale në fund të vitit 2021 ishte 13,656 tatimpagues. Pjesën më të madhe të tyre prej 9,794 biznese apo rreth 72% e përbëjnë mikro bizneset me qarkullim vjetor deri në 5,000€”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Arsyeja kryesore për mospajisjen e biznese me arka fiskale, konstatohet se është rezistenca e vazhdueshme e bizneseve për pajisjen me arka fiskale, për shkak të kostove të larta të pajisjeve fiskale, mirëpo edhe problemet gjatë procesit të funksionalizimit të sistemit të ri për arka fiskale, theksojnë nga ZKA.

Auditori i Përgjithshëm shton se mos pajisja e tatimpaguesve me arka fiskale e rrit rrezikun për mungesën e informatave gjatë veprimtarive ekonomike si dhe mundësinë e evazionit tatimor.

Gjithashtu, kjo tutje rezulton edhe me një konkurrencë jo të barabartë ndërmjet bizneseve që zhvillojnë aktivitete ekonomike.

Në bazë të Udhëzimit Administrativ -UA nr. 02/2018 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale neni 4, pika 1.1, specifikon se “të gjithë personat që bëjnë furnizime të mallrave dhe/ose shërbimeve në objektet, njësitë ose vendet të cilat mund të jenë në qasje të publikut, janë të obliguar që të shfrytëzojnë pajisjet elektronike fiskale (PEF) dhe pajisjet tjera të obligueshme për regjistrimin dhe vërtetimin e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve”.

Më tutje, neni 4, pika 3, sqaron se “personi të cilit i referohet obligimi i përcaktuar me paragrafin 2 të këtij neni dhe i cili njëkohësisht kryen edhe aktivitete që nuk janë të përjashtuara ose të liruara nga detyrimi i regjistrimit përmes arkës fiskale dhe të transferimit të të dhënave përmes terminalit te serveri i ATK-së, do të jetë i obliguar që çdo qarkullim individual gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve të regjistrojë përmes arkës fiskale si dhe t’i transferojë të dhënat përmes terminalit në server të ATK-së”.

Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, i rekomandohet që të sigurohet se të gjitha bizneset të cilat i plotësojnë kriteret për fiskalizim, do të pajisen me pajisjet elektronike fiskale (PEF) sipas kërkesave ligjore. /Buletini Ekonomik/