Auditori: Ministria e Bujqësisë i kompenzoi fermerët mijëra euro më shumë se sa ishin dëmet nga fatkeqësitë

Tokë bujqësore

Është konstatuar se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), ka kompenzuar disa fermerë me mijëra euro më shumë se sa që iu takonin, në emër të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në të mbjellat e tyre.

Kjo ministri gjatë vitit 2021, kishte ndarë mjetet financiare për kompenzimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në bujqësi, që kishin ndodhur gjatë vitit 2020, duke i kompenzuar në shumën e dëmeve prej 30%.

Por, Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit 2021 për këtë ministri, ka konstatuar se ka hasur në disa parregullësi në përllogaritjen e vlerës për kompenzim të dëmeve për fermerët nga MBPZHR-ja.

Reklama e sponzorizuar

Nga 20 mostra që i ka audituar ZKA-ja, në 6 raste që i përkisnin komunës së Istogut janë vërejtur parregullësi në përllogaritjen e vlerës për kompenzim, ku këta 6 fermerë ishin paguar më tepër në një vlerë totale prej 6 mijë e 655 eurove, përcjell Buletini Ekonomik.

Në disa prej këtyre 6 rasteve, ishte rritur vlera totale e kompenzimit, ndërsa në tjerat ishte rritur vlera e rendimentit të dëmtuar.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, rritja e vlerës së rendimentit të dëmtuar, ka ndikuar që vlera totale e kompenzimit të rritet në një shumë prej mbi 3 mijë eurove, kurse çmimi real do të ishte vetëm 325 euro.

“Auditimi ynë ka vërejtur që në disa raste ishte rritur vlera totale e kompenzimit, ndërsa në disa të tjera ishte rritur rendimenti i dëmtuar, i cili ka ndikuar që vlera totale e kompenzimit të rritet si p.sh. (Rendimenti i dëmtuar 638.4 x Çmimi 0.51 = Vlera totale 3,255€, ndërsa llogaritja e saktë e vlerës totale është 325€)”, thuhet në raport.

Kjo kishte ndodhur për shkak të gabimeve gjatë përllogaritjes së dëmeve nga komuna e Istogut dhe mos verifikimit të duhur të listave. Megjithatë, gjatë kohës sa ZKA ishte në proces të auditimit, pesë përfitues kishin bërë kthimin e mjeteve në buxhetin e ministrisë në vlerë prej 3,496 euro.

E mbipagesat e tilla të bëra ndaj përfituesve, sipas Auditorit, janë pagesa të parregullta që dëmtojnë buxhetin e ministrisë, dhe ndikojnë që disa fermerë të kenë kompenzime më të ulëta në mungesë të buxhetit.

Ministria në fjalë kishte bërë zbatimin e këtij vendimi duke paguar fermerët në bazë të listave të dërguara tek Komisioni i Ministrisë i cili kishte mandat pranimin, verifikimin dhe shqyrtimin e Raporteve të vlerësuara nga Komisionet komunale të dëmeve.

Theksojmë këtu se në rastin e përllogaritjes së dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në bujqësi, nuk ka as kritere të vendosura ligjore, dhe çmimet e kulturës bujqësore dhe rendimentit ishin kalkuluar bazuar në Raportin e Gjelbër 2020 , ndërsa sipërfaqja ishte kalkuluar në bazë të ekzaminimit nga Komisioni komunal në mungesë të fletave poseduese.

ZKA rekomandon që ministri i Bujqësisë duhet ta analizojë në hollësi çështjen e mbi pagesave me rastin e kompenzimit të dëmeve për fermerët si dhe ta konsultojë zyrën ligjore dhe Komunën përkatëse duke u angazhuar në kthimin e këtyre pagesave nga përfituesit në llogarinë e buxhetit.

“Gjithashtu, duhet të siguroj krijimin e bazës ligjore në të cilën do të vendosen kritere të qarta të aplikimit dhe vlerësimit të dëmeve duke forcuar kontrollet para realizimit të shpenzimeve”, përfundon rekomandimi i ZKA-së. /Buletini Ekonomik/