Rritja e çmimeve nuk ka të ndalur në Kosovë. Produktet kryesore të ushqimit përsëri janë shtrenjtuar. Rritja e çmimeve ka prekur edhe derivatet dhe sektorin e ndërtimit. Por, me këto çmime s’ka kush te merret, pasi Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nuk është funksional tash e një vit.
Kosova është përfshirë nga një krizë çmimesh. Rritja drastike e tyre, preku edhe sektorin e naftës, teksa edhe produkte të tjera po vazhdojnë të ndikohen nga inflacioni. Përkundër vështirësisë me çmimet e rritura, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ende nuk ka marrë ndonjë vendim për të lehtësuar këtë situatë.
Madje, pushteti ende nuk e ka funksionalizuar Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, meqë parlamenti nuk ka arritur të zgjedhë anëtarët e AKK-së, që është organ që përcjell lëvizjet e tregut.
Nga një gjendje e tillë, sipas ish-udhëheqësit të AKK-së, Valon Prestreshi, më së shumti ka pësuar qytetari i Kosovës, pasi që ky organ nuk ka arritur të kontrollojë luhatjen e çmimeve në treg.
“Tash një vit kanë ndodhur shumë gjëra të pafavorshme në treg, e që më së shumti ka pësuar qytetari. Ka pasur rritje të çmimeve të produkteve bazë ushqimore në mënyrë të paprecedentë, ndërsa institucioni i AKK-së ishte dhe është jashtë funksionit. Ka pasur lëvizje të çmimeve të naftës dhe benzinës si asnjëherë më parë”, shkruan Prestreshi, në një shpjegim për rolin e AKK-së.
Prestreshi thekson se mosfunksionalizimi i AKK-së për një kohë kaq të gjatë, rrezikon të bëhet praktikë e pranueshme.
“Rreziku më i madh që mund t’i kanoset vendit nga mosfunksionalizimi i Autoritetit të Konkurrencës është se ndërmarrjet e bëjnë shprehi, … këto sjellje të ndërmarrjeve e rrezikojnë sistemin ekonomik të vendit tonë”.
Rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij institucioni, e thekson edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu, i cili mosemërimin e Bordit e quan “të pakuptimtë”.
“Në këtë kohë krize, në këtë kohë kur kriza ka marrë përmasa ekonomike, sociale dhe emocionale, është e pakuptimtë të mos e kemi bordin apo komisionin e autoritetit të konkurrencës të pakompletuar. Sot AKK, është një institucion i paautoritet. Mund të ketë vetëm mision vëzhgues dhe mund të ketë vetëm rekomandime, mirëpo nuk ka kurrfarë kompetence që të hulumtojë apo të zgjidhë problemet”.
Më tutje ai pohoi se situata është mjaft shqetësuese dhe autoritetet për zgjedhjen e bordit ose komisionit të AKK-së duhet të veprojnë shpejtazi.
“Është një situatë shqetësuese sidomos tani kur kemi ankesa edhe të qytetarëve edhe të institucioneve që dyshojnë në pajtueshmëri për çmimet, për sasi dhe për krijimin e monopoleve. Besoj që është urgjente që parlamenti i Kosovës të përshpejtojë procesin e kompletimit edhe të bordit edhe të komisionit, sepse me të vërtetë ky agjension ka një rëndësi të pakontestuar edhe strategjike, ekonomike edhe politike”.
Autoriteti Konkurrencës që në kuadër të kompetencave ka mbikëqyrjen e marrëveshjeve të dëmshme për konsumatorin, ka luajtur një rol kontrollues në sektorin e naftës në Kosovë. Madje, jo rrallëherë kompanitë e naftës kanë përfunduar të dënuar në vlerë financiare nga ky institucion.
Situata me çmimet e naftës është bërë temë diskutimi në opinionin publik, pasi që çmimi i naftës ka shkuar në 1 euro e 87 centë.
Për këtë çështje Shoqata e Naftëtarëve i kanë dërguar edhe një letër kryeministrit Kurti. Aty thuhet se naftëtarët janë kundër vendimeve arbitrare që kanë për qëllim dëmtimin e industrisë së naftës dhe jo mbrojtjen e konsumatorit.
“Qeveria, nëse me të vërtetë është e interesuar të mbrojë konsumatorin, do të ishte e pritshme të reagonte njëlloj me Qeveritë e vendeve të rajonit dhe BE-së, nëpërmjet uljes së akcizës dhe/ose TVSH-së për produktet e naftës”, thuhet në reagim.
Tutje, naftëtarët kanë listuar edhe kërkesat e tyre për Qeverinë Kurti, duke kërkuar që të respektohet marzha fitimit.
“Nëse kërkesa e mësipërme nuk merret parasysh nga Qeveria, atëherë kërkesat tona janë që minimalisht marzhat të caktohen si më poshtë, kjo duke u bazuar në nivelet e çmimeve aktuale.
Në fund, Shoqata ka shkruar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, atëherë kanë paralajmëruar mbylljen e pikave të derivateve në tërë tërritorin, deri në reflektim të Qeverisë.
Lidhur me ngritje e çmimeve ditë më parë ka folur eksperti i ekonomisë, dhe themeluesi i organizatës Konsumatori Selatin Kaçaniku.
Ai ka treguar se si është renduar shporta e qytetarëve dhe si po jetojnë qytetarët e Kosovës me këtë gjendje.
“Ajo /Ato që mund t’i blinim para 5 – 6 vitesh me koston prej 115 Euro të shportës bazike të qytetarit / familjes konsumatore tani, sivjet nuk mund ta blejnë as 1/3 –tën. Pra, është rënduar/shtrenjtuar shporta bazike e ushqimit. Krahasor me dy vitet e fundit në Kosovë kemi ngritje çmimesh prej 200 – 330 %”.
Sipas tij as 100 eurot e qeverisë nuk janë asgjë për qytetarët e Kosovës.
“….tingëllon sikur duan të na bindin se këto para janë të qeveritarëve – njësoj si paratë e shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve, qeveritarëve, presidencë. Po të donte / dinte, Qeveria do të na ndihmonte: Duke e konstruktuar një Buxhet përforcues e të na heq qafe Buxhetin konsumues. Do të na kthente TVSH-në e abuzuar te produktet themelore ushqimore.
Javë më parë ASK po ashtu ka treguar se Buka, vaji ushqimor, qumështi dhe energjia elektrike janë produktet me rritjen më të madhe të çmimeve.
Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), brenda një viti, ngritja e çmimit të vajrave dhe yndyrave ushqimore ishte më e madhja me 51.3 për qind, pasuar nga buka me 24.3 për qind.
Po ashtu, rritje të theksuar të çmimeve ka pasur edhe qumështi, djathi e vezët me 21.7 për qind dhe energjia elektrike me 17.6 për qind.
Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill ka arritur në 11.2 për qind.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të bukës dhe drithërave me 24.3 për qind, mishi me 13.5 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 21.7 për qind, vajrat dhe yndyra ushqimore me 51.3 për qind, perimet me 13.8 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 15.9 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore me 11.6 për qind, kafeja, çaji dhe kakao me 13.6 për qind, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet me 5.9 për qind, duhani me 4.8 për qind dhe mirëmbajtja dhe rregulli i vendbanimit me 8.2 për qind”.
Brenda një muaji, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te vajrat dhe yndyrat ushqimore me 15.6 për qind, ndjekur nga gazi me 10.8 për qind dhe shërbimet e transportit me 3.9 për qind.