Banka e Shqipërisë publikoi sot deklaratën rreth ndërhyrjeve në tregun e parasë në tremujorin e parë të këtij viti.
Mes të tjerash, deklarata ofron disa detaje rreth ndërhyrjes në tregun valutor në muajin mars, me qëllim shmangien e çrregullimeve në tregun valutor.
Në fillim të muajit mars, monedha vendase pësoi një zhvlerësim të shpejtë ndaj Euros, që në harkun e një jave u rrit nga 121.4 lekë në 127.1 Lekëve. Besohet se ky mbiçmim i Euros e pati origjinën te blerjet në shuma të mëdha të grupit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë për nevoja të importit të energjisë elektrike.
Kërkesa e lartë dhe e përqendruar në një afat të shkurtër kohor solli mbiçmim të Euros, por edhe një gjendje paniku në tregun valutor, që nxiti kërkesë shtesë në rritje për Euro dhe pritshmëri për mbiçmim të mëtejshëm të monedhës europiane. Siç kishte ndodhur edhe në të shkuarën, për të qetësuar tregun u nevojit ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë.
Në datën 8 mars, Banka Qendrore kontaktoi të gjitha bankat e nivelit të dytë për t’iu shitur valutë, fillimisht me kursin 128.00 lekë dhe më pas me kursin 127.00 lekë. Gjithsej, Banka e Shqipërisë shiti 10.7 milionë Euro dhe kjo shumë mjaftoi për të qetësuar tregun valutor, që brenda pak ditësh u kthye gradualisht në nivelet fillestare.
Fakti që kursi i stabilizua me shitjen e një shumë relativisht të vogël në mënyrë të tërthortë tregon se rritja e shpejtë e Euros i detyrohej kryesisht panikut. Veç kërkesës së OSHE, paniku në tregun valutor u nxit më tej në atë periudhë edhe nga shpërthimi i luftës në Ukrainë dhe impaktit që kjo ngjarje dha në rritjen e shpejtë të çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare.
Përveç shitjes direkte të valutës tek bankat tregtare, Banka e Shqipërisë vendosi të anulonte edhe dy ankande të blerjes së valutës, të planifikuara gjatë muajve mars dhe prill.
Gjatë vitit 2022, Banka e Shqipërisë synon të blejë 140 deri në 200 milionë Euro përmes ankandeve në tregun e brendshëm, në funksion të rritjes së rezervës valutore. Ky objektiv nuk ka ndryshuar, pavarësisht anulimit të dy prej ankandeve vjetore të planifikuara.
Pas atij momenti, kursi i këmbimit të Lekut ndaj Euros i është kthyer gradualisht mbiçmimit. Ky mbiçmim mund të shpjegohet me përmirësimin gradual të Bilancit të Pagesave, i ndikuar pozitivisht nga turizmi, fasoneria, remitancat dhe ngushtimi i deficitit tregtar.
Në muajin qershor, kursi Euro-Lek ka arritur nivelet më të ulëta historike, i nxitur më tej nga ndikimi i faktorit sezonal, të lidhur kryesisht me prurjet turistike. Të mërkurën Euro u këmbye me 119.13 Lekë, niveli më i ulët i të gjitha kohërave. Duke pasur parasysh se kulmi i sezonit veror duhet ende të vijë, është e pritshme që rënia e Euros të shënojë rekorde të reja, sidomos mes gjysmës së dytë të korrikut dhe gjysmës së parë të gushtit.