CEO-t shqiptarë: Italia dhe Kosova, tregjet me ndikimin kryesor për të ardhurat e bizneseve

Bizneset shqiptare vlerësojnë Italinë si tregun me ndikimin kryesor në aktivitetin e tyre të biznesit.

Anketimi vjetor me drejtuesit ekzekutivë të bizneseve (CEO) i kryer nga një prej kompanive më të rëndësishme të konsulencës financiare, PricewaterhouseCoopers, tregoi se për CEO-t shqiptarë aktiviteti i biznesit ngelet kryesisht i lidhur me vendet e afërta si Italia, Kosova, Greqia, Maqedonia e Veriut.

Megjithatë, anketimi i vitit 2021, tregoi një prirje për të shtuar lidhjet edhe me tregje më të mëdha globale, si Gjermania, SHBA apo Kina.

Reklama e sponzorizuar

Pyetjes se “cilat shtete (duke përjashtuar vendin ku jeni të vendosur), i konsideroni më të rëndësishmet për perspektivat e rritjes së të ardhurave të kompanisë suaj gjatë 12 muajve të ardhshëm?” rreth 35% e CEO-ve të anketuar iu përgjigjën Italia. Kjo është e kuptueshme, duke pasur parasysh se Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, me 42% të eksporteve dhe 24% të importeve për vitin 2021.

Italia është kthyer të jetë partneri me ndikim kryesor, pasi për dy vite radhazi në sondazh këtë pozicionim e kishte mbajtur Kosova.

Kosova, vazhdon të jetë një nga tregjet më të rëndësishme që ndikon në të ardhurat e bizneseve shqiptare dhe në anketën e këtij viti mbante vendin e dytë, me rreth 26% të përgjigjeve nga CEO-t e intervistuar.

Është e rëndësishme të theksohet se një numër në rritje i CEO-ve janë përgjigjur se nuk shohin të tjerët tregje që mund të ndikojnë në rritjen e të ardhurave të kompanive të tyre.

Përqindja e CEO-ve që kanë raportuan se kompania e tyre nuk operon ndërkombëtarisht është relativisht e lartë (26% në Shqipëri kundrejt 20% në nivel global). Krahasuar me vitin e kaluar, përqindja e CEO-ve që nuk kanë përzgjedhur asnjë vendi me ndikim në të ardhurat e biznesit të tyre ka pasur një rritje të ndjeshme në 22%, nga 13% që kishte qenë vitin e kaluar.

Sipas analizës së PwC, ky rezultat duket të jetë lidhur me krizat me të cilat po përballet globalizimi kohët e fundit, për shkak të konflikteve gjeopolitike dhe tregtare dhe gjithashtu kufizimet e udhëtimit dhe bllokimet, që të marra së bashku kanë pasur një ndikim të konsiderueshëm në zinxhirët e furnizimit dhe në percpetimin e bizneseve për aktivitetin e tyre të jashtëm.

Anketa e 25-të vjetore e CEO-ve, e realizuar nga PwC, mori përgjigjet e 4,446 CEO-ve nga 89 vende të ndryshme të Botës, duke përfshirë 103 drejtues biznesesh nga Shqipëria dhe

Kosova. Anketimet u kryen gjatë periudhës tetor-nëntor 2021 dhe në një pjesë të madhe nuk reflektojnë zhvillimet e fundit inflacioniste, që u theksuan sidomos pas sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.

Sidoqoftë, anketimi tregoi një nivel të lartë optimizmi për të ardhmen e zhvillimeve të afërta ekonomike. 65% e CEO-ve në Shqipëri u përgjigjën se presin që rritja ekonomike globale do të përmirësohet gjatë vitit 2022.

Nga ana tjetër, CEO-t shqiptarë veçojnë rreziqet makroekonomike dhe rreziqet kibernetike si kërcënimet kryesore për rritjen ekonomike. Pas përmirësimit të situatës së lidhur me pandeminë, rreziqet shëndetësore kanë zbritur disi në listën e kërcënimeve të perceptuara nga drejtuesit e bizneseve.

CEO-t shqiptarë janë më pak të shqetësuar për sfidat më të gjera globale, si ndryshimet klimatike dhe ato sociale, si pabarazia, që duket se paraqesin kërcënime më të vogla, të menjëhershme, për të ardhurat e bizneseve të tyre. /Monitor.al/