Në Kosovë, që nga periudha e pasluftës, në tregun tonë, dominojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat janë faktorë kyç në rritjen e ekonomisë së vendit si dhe ndikuesit kryesorë në krijimin e vendeve të reja të punës.
Shkruan: Liridon Alidemaj
Me një shkallë shumë të lartë të papunësisë dhe me një ekonomi joformale dhe shumë sfida të tjera, fokusi dhe shpresa më e madhe për punësim sidomos tek të rinjtë kosovarë mbeten kryesisht tek sektori privat. Mund të themi se disa procedura burokraktike janë lehtësuar sa i përket hapjes së bizneseve tëreja, por, prap se prap barrierat me të cilat ballafaqohen ato, vazhdojnë të jenë të mëdha.
Një prej barrierave me ndikim më të madh është korrupsioni dhe eknomomia joformale. Pastaj, radhiten edhe barriera të tjera si: taksat, dogana e lartë, sektori ligjor, prokurorimi etj.
Shkalla e lartë e korrupsionit po ndikon që të mos kemi investitor të huaj serioz të cilët edhe pse po shprehin gatishmëri për të investuar në Kosovë, për shkak të këtij fenomeni po tërhiqen.
Firmat e huaja e shohin administratën publike si mjaft të korruptuar, dhe se një numër mjaft i madh i investitorëve deklaruan se janë të pakënaqur me efikasitetin e administratës publike.
Ekonomia joformale, sidomos evazioni fiskal është një barrierë shumë e madhe që po i ngulfat bizneset kosovare ndaj konkurrentëve në tregun vendor. Shpresojmë që sa më shpejtë të ketë një efikasitet më të lartë drejt zvogëlimit të këtyre barrierave dhe krijimit të një mjedisi sa më atraktiv të të bërit biznes dhe krijimit të strategjive të reja për t’i tërhequr investitorët e huaj për të investuar në Kosovë.
Një pasqyrë lidhur me barrierat në zhvillimin e bizneseve në Kosovë
Kosova ka nevojë të ndërtojë një administratë profesionale publike të lirë nga ndërhyrjet politike. Sistemi gjyqësor mbetet i dobët, dhe ndërhyrja politike në punën e gjyqësorit është ende brengosëse.
Sundimi i ligjit vazhdon të jetë çështje brengosëse në veriun e Kosovës. Papunësia ka mbetur tejet e lartë dhe ekonomia nuk ka krijuar vende të mjaftueshme pune për të zvogëluar presionin mbi tregun e punës dhe për të ofruar mundësi punësimi.
Korrupsioni është i përhapur në shumicën e sektorëve dhe palëve. Perceptimi i korrupsionit dhe krimit është përkeqësuar në vitet e fundit dhe është bërë pengesë e madhe ndaj investimeve të huaja.
Fushë tjetër e rëndësishme e sundimit të ligjit është edhe zbatimi i kontratave ku Kosova nuk qëndron mirë në këtë aspekt. Shkelja e kontratave është çështje e zakonshme në Kosovë, dhe duket se firmat e kanë shumë të vështirë që t’i zbatojnë ato.
Mungesa e furnizimit të vazhdueshëm me energji elektrike vazhdon të jetë pengesa më e madhe për firmat nga të gjithë sektorët e ekonomisë. Ndërprerjet e rrymës e zvogëlojnë prodhimtarinë dhe rrisin kostot, sepse punëtorët rrinë kot gjatë kohë së ndërprerjes.
Plotësimi i standardeve të produkteve është një fushë tjetër ku Kosova ka mbetur prapa rajonit. Eksportuesit përballen me sfida të konsiderueshme në plotësimin e standardeve të produkteve
Problemi kryesor i ndërmarrësve është financimi. Aspektet financiare përfshijnë: mungesën e qasjes në financim, nivelin e kamatës, mungesën e kredive eksportuese, kërkesat për kolateral, historiatin e firmës në aspektin e financimit etj.
Kompanitë e mëdha kanë probleme më të mëdha financiare për dallim me ato të voglat dhe të mesmet, mirëpo meqë resurset e tjera të saj janë të mëdha, ato kanë qasje më të lehtë në financim (Instituti Riinvest, 2003, fq.32)
Mosefikasiteti i veprimit të shtetit ligjor paraqet burimin kryesor të konkurrencës jolojale. Ndikim negativ në këtë kuptim kanë marrëdhëniet ende të parregulluara tregtare me vendet fqinje.
Istrumentet fiskale dhe taksat doganore janë duke i rrezikuar shum prodhuesit vendorë. Bizneset kosovare që importojnë kanë mungesë të përkrahjes institucionale, subvencioneve, për imporitin e pajisjeve dhe lëndëve të para.
Me gjithë progresin e bërë, mbulimi i kufirit ende nuk është plotësisht i suksesshëm për të penguar hyrjen ilegale të mallrave.
Një burim tjetër i konkurrencës jolojale është gjithashtu edhe evazioni fiskal. Ky problem duhet të adresohet seriozisht ngase shkalla e evazionit fiskal në Kosovë konsiderohet si tejet e lartë (UNDP: 2003, 8)
Sektori joformal nxitet nga mangësitë e politikave tatimore dhe shpenzuese, si dhe në zbatimin e ligjit, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto e zvogëlojnë bazën tatimore dhe efikasitetin e politikave ekonomike. Sado që ka ide, propozime dhe strategji që të zvogëlohet pjesmarrja e lartë e ekonomisë joformale në Kosovë, kriza ekonomike botërore dhe recesioni ekonomik që ka prekur Kosovën, kanë detyruar shumë biznese të kalojnë në veprimtari joformale, me qëllim që t’i mbijetojnë konkurrencës.
Veprimtaritë më të mëdha informale në Kosovë i udhëheqin pikërisht kompanitë dhe bizneset që formalisht janë të regjistruara, të cilat paguajnë një pjesë të tatimeve, ndërsa një pjesë tjetër e fshehin.
Sipas përllogaritjeve, ekonomia e paligjshme në Kosovë është më e larta në rajon dhe mendohet se është gjysmë përgjysmë me ekonominë formale.
Ndërkaq, gjatë zbatimit të një projekti për zvogëlimin e ekonomisë formale, të bërë nga Aleanca Kosovare e Biznesit, është theksuar se shkaktar kryesor i kësaj dukurie është mosfunksionimi i shtetit ligjor. Projekti, i cili ka pasur për qëllim rishikimin e ligjeve dhe rregullativave ekzistuese që ndikojnë në rritjen apo zvogëlimin e ekonomisë joformale, ka treguar se në Kosovë në të gjitha sektorët ekonomia joformale është në përmasa të mëdha. (www.evropaelire.org)