Disa këshilla për mbrojtje nga rastet e mashtrimeve mbi të dhënat personale financiare

Euro

Kohëve të fundit në Kosovë dhe rajon janë rritur rastet e mashtrimeve, ku keqbërësit paraqiten si punonjës të bankave dhe përmes telefonit apo komunikimeve tjera elektronike, po mashtrojnë qytetarët duke ju marrë informacionet e ndjeshme bankare dhe duke iu shkaktuar dëme financiare.

Në një komunikatë për media nga Shoqata e Bankave, thuhet se bankat aplikojnë standardet dhe praktikat më të mira të sigurisë për të parandaluar keqpërdorimin e kanaleve elektronike nga keqbërësit.

Gjithashtu, ata shprehen se bankat në vazhdimësi udhëzojnë klientët e vet lidhur me masat mbrojtëse të sigurisë që duhet t’i marrin parasysh me rastin e përdorimit të shërbimeve elektronike bankare, me qëllim të parandalimit të mashtrimeve të ndryshme.

Reklama e sponzorizuar

Në vijim, mund të gjeni disa udhëzime se si t’i mbroni informacionet tuaja bankare:

  • Asnjëherë mos e shpërndani fjalëkalimin apo informacionet tjera personale me të tjerët;
  • Bankat asnjëherë nuk kërkojnë fjalëkalimin/paswordin apo kodin sekret (PIN) të kartelës tuaj bankare;
  • Mos hapni asnjëherë dokument të bashkangjitur (attachment) dhe mos klikoni në linkun nga dërgues të panjohur;
  • Mos telefononi në ndonjë numër që gjendet brenda emailit të dyshimtë;
  • Emailin e dyshimtë e fshini nga inboksi juaj;
  • Vëmendje e shtuar me rastin e blerjeve online, kur kërkohet shpalosja e informacioneve të kartelës tuaj bankare;
  • Përdorni softuer antivirus të përditësuar për të mbrojtur kompjuterin tuaj;
  • Rregullisht, sigurohuni që sistemi operativ në të gjitha pajisjet tuaja (PC, Laptop, smartphone) të jetë i azhuruar me përditësimet e fundit;
  • Mashtruesit mund të ju kërkojnë që edhe të instaloni aplikacione kinse për të ju përkrahur në pagesa të caktuara (çdo herë duke u paraqitur kinse janë kompani të kontraktuara të bankave) dhe instalimi i këtij aplikacioni do i’u mundësoj mashtruesve që të kenë qasje të plotë në paisjen tuaj qoftë PC, Laptop apo edhe Smartphone, andaj asnjëherë mos ju besoni këtyre thirrjeve. /Buletini Ekonomik/