Elon Musk deklaron fundin e punës në distancë në Tesla

Musk drejtuesve të Tesla: Kthehuni në zyrë ose largohuni

Drejtuesi i Tesla, Elon Musk, urdhëroi personelin të kthehet në zyrë, me kohë të plotë, duke deklaruar se puna në distancë nuk është më e pranueshme.

Politika e re u komunikua në disa email-e, të cilat u publikuan në rrjetet sociale.
Tesla nuk i është përgjigjur një kërkese për koment mbi mesazhet, njëri prej të cilëve duket se u drejtohej drejtuesve.

Njerëzit që nuk janë të gatshëm të respektojnë rregullat e reja mund “të shkojnë të punojnë diku tjetër” – shkroi Musk në Twitter, kur u pyet për politikën e re të kompanisë.

Reklama e sponzorizuar

“Të gjithë në Tesla janë të detyruar të punojnë minimumi 40 orë në zyrë në javë – shkroi Musk në një nga email-et. – Nëse nuk paraqiteni, do të mendojmë se keni dhënë dorëheqjen”.

Në email-e shkruhej se personeli duhej të paraqitej në punë në një nga selitë kryesore të kompanisë dhe “jo në një zyrë dege të largët që nuk lidhet me detyrat e punës”. CEO i Tesla shtonte se do të analizonte personalisht çdo kërkesë për përjashtim nga politika.

Musk deklaroi se puna në zyrë me kohë të plotë ishte ajo çfarë kompania u kërkonte punonjësve dhe se bashkëpunimi ballë për ballë është i rëndësishëm për suksesin e kompanisë.

“Natyrisht ka dhe kompani që nuk e kërkojnë këtë gjë, por cila është hera e fundit që kanë realizuar një produkt të ri të madh? Ka kaluar disa kohë”, – deklaroi Musk në një email, një nga dy të tilla të publikuara në rrjete sociale.

“Tesla ka krijuar dhe do të krijojë produkte më interesante dhe kuptimplotë se cilado kompani tjetër në Tokë. Dhe kjo nuk do të ndodhë sa hap e mbyll sytë”.

Kompanitë në shumë sektorë po pyesin veten mbi mundësitë për të vijuar lejimin e politikave të punës në distancë, e cila shpërtheu gjatë pandemisë së koronavirusit.

Disa sektorë, si ai bankar, njoftuan që në fillim se do të prisnin që personeli të kthehej në zyrë, ndërsa të tjera, shpesh në sektorin teknologjik, kanë deklaruar se do të lejojnë punën në distancë për kohë të pacaktuar. Shumë kompani kanë bërë një ndërthurje.

BBC