Era dhe dielli i kursyen Turqisë 7 miliardë dollarë amerikan në 12 muajt e fundit

Panele solare në Turqi

Energjia elektrike e prodhuar nga centralet solare dhe të erës i kanë kursyer Turqisë 7 miliardë dollarë amerikan gjatë 12 muajve të fundit, pasi vendit do t’i duhej të kompensonte mungesën e rrymës me importe të gazit natyror.

Prodhimi i rrymës nga burimet solare dhe të erës ka zvogëluar faturat e importit të energjisë elektrike të Turqisë, duke parandaluar importimin e karburanteve fosile në shumë prej rreth 7 miliardë dollarësh amerikan vetëm 12 muajt e fundit, ka thënë Ember në raportin e tyre të fundit.

Nëse merren parasysh çmimet aktuale të energjisë elektrike në botë, edhe në periudhën në vijim Turqia pritet të kursejë rreth 700 milion dollarë amerikan në muaj duke prodhuar rrymë nga burimet e ripërtëritshme, dhe kësisoji, duke zvogëluar nevojën për importe.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, Turqia njihet si vend i varur nga gazi për prodhimin e energjisë elektrike. Vetëm vitin e kaluar, Turqia gjeneroi pothuajse një të tretën e energjisë elektrike nga gazi.

Ember ka zbuluar se rritja e fundit e çmimeve të energjisë elektrike në Turqi është shtyrë nga rritja globale e kostove të gazit. Konsumi vjetor i gazit në Turqi kishte arritur rekord të ri në vitin 2021 – apo në 61.6 miliardë metra kub, nga të cilat 45% u importuan nga Rusia.

Centralet diellore dhe të erës në Turqi prodhuan 46.3 teravat orë deri më 30 prill. Nëse e gjithë kjo energji do të gjenerohej nga termocentralet me gaz, importi i gazit do të kushtonte rreth 7 miliardë dollarë, thanë autorët nga Ember.

Sipas raportit, energjia me erë i ka kursyer Turqisë 5 miliardë, ndërsa ajo solare 2 miliardë dollarë amerikan. /kosovo.energy/