Euro bie ndjeshëm gjatë tregtisë në Wall Street – BQE mbyll programin e lehtësimit sasior dhe do të rrisë interesat muajin e ardhshëm

Dollari amerikan po tregtohet i qëndrueshëm në sesionin e sotëm, por gjatë sesionit të kaluar fitoi rreth 0.7% të vlerës përballë monedhave kryesore ndërkombëtare. Investitorët po tregohen të kujdesshëm, në pritje të të dhënave mbi inflacionin në SHBA, që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme.

Analistët shprehen se Rezerva Federale, në takimin e javës së ardhshme do të shtrëngojë sërish politikat monetare, ndërsa në mbledhjen e kësaj jave, Banka Qendrore Europiane sinjalizoi rritjen e normës bazë të interesit, në takimin e korrikut. Rritja e indeksit të çmimeve konsumatore në SHBA pritet të jetë ngadalësuar lehtë, gjatë majit dhe nivelin maksimal mund të ketë regjistruar në prill.

Në terma afatmesëm, tregjet presin se Rezerva Federale do të njoftojë, të takimin e javës së ardhshme, rritjen e normës së interesit me 50 pikë bazë, ndërkohë që pritet edhe dy rritje të tjera më vonë gjatë këtij viti. Këto pritshmëri e kanë mbështetur dollarin gjatë muajve të fundit. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare fitoi 0.7% të vlerës në sesionin e kaluar, në rreth 103.3.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë kësaj jave, ndërkohë, ky indeks është rritur me rreth 1.1%. Euro është rimëkëmbur lehtë, por po tregtohet në rreth 1.0630 dollarë, niveli më i ulët që nga 23 maji. Në takimin e së enjtes, Banka Qendrore Europiane deklaroi se do të mbyllë programin e lehtësimit sasior më 1 korrik dhe më pas do të rrisë normën e interesit me 25 pikë bazë, në takimin e 21 korrikut. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin po tregtohet pranë 30 mijë dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1790 dollarë./Scan Tv/