Komisionet për pranim në punonjësve në Prishtinë, pa anëtarë profesionistë të fushave përkatëse

Në komunën e Prishtinës janë hasur dobësi të shumta sa i përket formimit të Komisioneve për pranimin e punonjësve në sektorin publik gjatë vitit 2021.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit për komunën e Prishtinës për vitin 2021, ka konstatuar se në disa prej komisioneve për pranim të punonjësve, nuk kishte të caktuar madje as ndonjë përfaqësues nga Njësia e Burimeve Njerëzore, siç përcaktohet me ligj.

Kështu, në komisionet e pranimit për shërbyesit publik, mësimdhënës të mësimit klasor dhe edukatore, si dhe për mësimdhënës të gjuhës shqipe, gjermane dhe angleze, komuna e Prishtinës nuk kishte caktuar asnjë përfaqësues nga Njësia e Burimeve Njerëzore (NjBNj), ndërsa 3 anëtarët e tjerë që ishin përcaktuar, nuk ishin profesionistë të fushës në të cilën bëhej vlerësimi i kandidatëve, por nga fusha tjera si nga administrata komunale, nga departamenti për buxhet, nga sporti dhe nga zyra e komuniteteve.

Reklama e sponzorizuar

Në komisionin e pranimit nuk ishte caktuar askush as nga personeli arsimor i nivelit menaxhues. Sipas arsyetimeve në komunë dhënë për Auditorin, kjo ka ndodhur për shkak të mos gatishmërisë së menaxhmentit për formimin e komisioneve të pranimit sipas kërkesave ligjore.

Gjithashtu, edhe Komisioni për pranimin për punonjësit e Shërbimit Civil (SHC), nuk ishte themeluar sipas kërkesave ligjore, thonë nga ZKA.

Sipas përbërjes së komisionit, anëtar i tij ishte caktuar udhëheqësi i auditimit të brendshëm, të cilit me ligj nuk i lejohet të përfshihet në realizimin e funksioneve të drejtpërdrejta të subjektit të sektorit publik, tutje ishte caktuar edhe një zyrtar i kategorisë profesionale, që sipas ligjit nëpunësit e kësaj kategorie nuk lejohet të jenë pjesë e komisioneve, si dhe një anëtare e jashtme për të cilën në komunë janë deklaruar që është nga shoqëria civile.

Edhe për këtë rast, ZKA thekson se Ligji për zyrtarët publik (LZP) përcakton se personat nga shoqëria civile mund të angazhohen vetëm në cilësinë e vëzhguesit, dhe asnjëherë në cilësinë e anëtarit të komisionit përkatës.

Sipas ZKA-së, udhëheqësi i Auditimit të Brendshëm kishte kërkuar nga kryetari i Komunës që ta ndryshojë vendimin dhe ta largojë nga komisioni i pranimit të shërbyesve civil dhe lëvizjeve brenda kategorisë, por vendimi nuk ishte ndryshuar.

E përbërja joadekuate e komisioneve të pranimit dhe mungesa e cilësive dhe kompetencës profesionale të anëtarëve të komisionit, mund të ndikojë më pas në përzgjedhjen e kandidatëve jo meritor, vlerësojnë nga ZKA.

Auditori i Përgjithshëm i sugjeron kryetarit të komunës që të sigurohet se përbërja e anëtarëve të komisioneve të pranimit për nëpunësit e SHC dhe shërbyesve publik tash e tutje, të jetë në përputhje me pozitat, cilësitë dhe kriteret e përcaktuara me nenin 34 dhe 68 të LZP. Gjithashtu, edhe auditorët e brendshëm të mos jenë pjesë e komisioneve të pranimit.

“Me ligjin nr. 06/L-114 për zyrtarët publik, neni 34, pika 12, si dhe nenin 68, pika 7, kanë përcaktuar nivelet, cilësitë dhe kriteret që duhet të kenë anëtarët e komisioneve të pranimit të punonjësve, si dhe të jenë profesionistë të fushës në të cilën bëhet vlerësimi i kandidatëve. Me ligjin nr.06/L-021 për kontrollin e brendshëm të financave publike, neni 26, pika 12, përcakton që auditorët e brendshëm nuk përfshihen në realizimin e funksioneve të drejtpërdrejta të subjektit të sektorit publik. Gjithashtu Rregullorja QRK nr.01/2019, neni 9, pika 3, përcakton që Njësia e Auditimit të Brendshëm (NjAB) ka pavarësi funksionale për të planifikuar, kryer dhe raportuar për aktivitetet e auditimit të brendshëm dhe nuk kryen detyra të tjera në kuadër të subjektit të sektorit publik që nuk lidhen me funksionin e auditimit të brendshëm”, thuhet në raportin e auditimit nga ZKA. /Buletini Ekonomik/