“Të dhënat për dëmtimin e pyjeve në Kosovë janë siguruar përmes bashkëpunimit me organizata që janë të fushës së teknologjisë gjeohapësinore brenda dhe jashtë kontinentit të Evropës, ndërsa në bazë të analizave testuese në terrene të ndryshme të vendit, rezulton që këto të dhëna kanë validitet shkencor mjaftë të lartë. Më të dëmtuara pyjet janë në regjionet periferike të Kosovës, ndër to, rajoni i Gjilanit (komuna e Vitisë, Kamenicës), pastaj i Gjakovës dhe rajoni i Mitrovicës, konkretisht tek komunat me shumicë serbe, pasi kontrolli i shtetit është më i pakët dhe dëmtuesit e pyjeve e shfrytëzojnë këtë situatë”.
Mehmet GJATA
Në bazë të të dhënave të siguruara përmes teknologjisë së GIS (Sistemit të Informacionit Gjeografik) dhe Remote Sensing (RS, teknologji që përdoret për të hulumtuar dukuri pa qenë në kontakt fizik me objektin, dukurinë apo procesin), del që norma e humbjeve vjetore të pyjeve në një mesatare vjetore të jetë 654 hektarë brenda një viti kalendarik, ndërsa nëse përkthehet në mesatare ditore ajo është afro 1.5 hektarë në ditë, ka saktësuar Faruk Foniqi, ekspert i specializuar në GIS dhe Remote Sensing në Universitetin e Torontos dhe Kalifornisë, në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik.
Në bazë të analizave të trendeve të dëmtimit të pyjeve në vendin tonë është nxjerr projeksioni që parasheh se nëse nuk merren masa konkrete, Kosova brenda 15 vjetëve të ardhshëm (2035) do të përballet me pyje të pashëndetshme në aspektin e funksionit ekologjik. Më të prekura me dëmtimin e pyjeve janë regjionet periferike të Kosovës, ndër ta përmenden regjioni i Gjilanit (komuna e Vitisë, Kamenicës), pastaj regjioni i Gjakovës dhe Regjioni i Mitrovicës, konkretisht tek komunat me shumicë serbe, pasi kontrolli i shtetit është më i pakët dhe dëmtuesit e pyjeve e shfrytëzojnë këtë situatë për këtë dukuri. Llojet e drurëve që janë pre e keqbërësve janë kryesisht ato që shfrytëzohen për ngrohje nga qytetarët dhe shumë lehtë mund t’i vërejmë në tregjet tona, siç janë ahu, bungu, shkoza etj, ka thënë Faruk Foniqi, aktualisht i angazhuar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si koordinator për krijimin e databazës së GIS-it për energjinë e ripërtritshme në Kosovë (BRE), në intervistën për Buletinin Ekonomik.
Intervistën e plotë me Faruk Foniqin mund të lexoni në vazhdim:
Buletini Ekonomik: Sa sipërfaqe pyjore humbë Kosova brenda një dite, përkatësisht një viti? Në këtë kontekst, si keni arritur ta konstatoni ju këtë fakt, nëpërmjet hulumtimeve e analizave të ndryshme apo nëpërmjet ndonjë aksioni më konkret?
Faruk Foniqi: Bazuar në të dhënat që i kemi siguruar përmes teknologjisë së GIS (Sistemit të Informacionit Gjeografik) dhe Remote Sensing (RS, teknologji që përdoret për të hulumtuar dukuri pa qenë në kontakt fizik me objektin, dukurinë apo procesin)është arritur që të kalkulohet norma e humbjeve vjetore të pyjeve në një mesatare vjetore prej 654 hektarë brenda një viti kalendarik, ndërsa nëse përkthehet në mesatare ditore ajo është afro 1.5 ha/ditë. Këto të dhëna janë siguruar përmes bashkëpunimit me organizata që janë të fushës së teknologjisë gjeohapësinore brenda dhe jashtë kontinentit të Evropës, të cilat na kanë ofruar mundësi që të qasemi në të dhëna të satelitëve të ndryshëm si Landsat 7, 8 dhe Sentinel 2. Pra, ne i jemi qasur problemi të shpyllëzimit përmes metodave më të avancuara në këtë fushë dhe në fund rezultatet e analizës sonë janë dërguar në Holandë tek organizata CorelAid e cila na ka ndihmuar përmes ekspertëve të saj qët’i verifikojmë të dhënat tona, dhe nga rezultatet e pranuara, rezultojnë që të dhënat tona janë 95% të sakta me dukurinë që është duke u zhvilluar në hapësirë, pra dëmtimin e pyjeve. Dhe në fund ne për hirë të korrektësisënë studimin tonë kemi bërë edhe analiza testuese në terrene të ndryshme në Kosovë, dhe rezulton që të dhënat tona kanë validitet shkencor mjaftë të lartë.
Buletini Ekonomik: Kjo sipërfaqe e humbjes së pyjeve për Kosovën territorialisht të vogël, s’do mend se është tepër e madhe. Megjithatë, a keni ndonjë të dhënë krahasuese me shtetet e rajonit ta zëmë, se me kë mund të krahasohemi ne, ose a qëndrojmë më së keqi edhe te dëmtimi i pyjeve?
Faruk Foniqi: Gjithësesi, çdo analizë shkencore e ka edhe pjesën krahasuese të inkorporuar në të andaj dhe ne për ta shikuar prespektivën regjionale dhe më gjerë kemi analizuar edhe të dhënat e publikuara për shtetet në rajon. Nga të dhënat që kemi analizuar, siç e potencuam më lartë, Republika e Kosovës gjatë një viti humbet 654 ha/pyje (me të gjithë ekosistemet brenda tokës pyjore), ndërsa shtete që i kemi fqinjë kjo normë varion nga Mali i Zi i cili ka normë vjetore të humbjeve prej 843 hektarë, pastaj Serbia me 2946 hektarë, Shqipëria me 1992 hektarë, Kroacia me 4172 hektarë, Maqedonia e Veriut 2043 hektarë, pra nëse bazohemi në statistika rajonale ne qëndrojmë disi me pozitë më të favorshme në aspektin e humbjes së pyjeve, por nuk duhet anashkaluar që këto shifra janë në raport me sipërfaqen e një shteti të caktuar, e kjo kur përkthehet në sipërfaqen që ka Kosova është normë jashtëzakonisht e lartë. Prandaj ne si IGGTK dhe SLK kemi analizur këto trende dhe kemi nxjerr projeksionin që parasheh se nëse nuk merren masa konkrete, Kosova brenda 15 vjetëve të ardhshëm (2035) do të përballet me pyje të pashëndetshme në aspektin e funksionit ekologjik.
Buletini Ekonomik: A mund t’ia shpjegoni më konkretisht publikut, se çdo të thotë humbje e një hektari pyjesh në ditë? Në këtë kontekst, cilat janë pasojat më të rënda dhe më të ashpra nga kjo humbje, dhe dëmet nga dëmtimi i pyjeve tona, a do të jetë edhe me pasoja afatgjate?
Faruk Foniqi: Humbja e një hektari është diçka tepër e dhimbshme për një ambientalist, pasi për ne edhe humbja e një druri është edhe më e dhimbshme, duke e njohur potencialin që ka një dru në ambientin e tij natyror. Faktori i parë që përmballet me pasojat e humbjes së pyjeve është vet shoqëria që jeton në këto hapësira, konkretisht në Kosovë, pasoja më e lehtë është humbja e pyjeve në aspektin e pamjes, ndërsa ato më të rënda lidhen me aspektin ambiental, ekologjik dhe social. Ne jemi dëshmitar që ky proces llogaritet si njëri nga faktorët e ndryshimit global të klimës dhe dihet për pasojat e këtij procesi në jetët tona (ndryshim i parametrave klimatik normal, shira me pasoja, temperatura ekstreme etj), pastaj ne po humbasin ambientin e pastër, pasi dihet që pyjet luajnë rolin e pastruesit të ajrit nga ndotësit dhe prodhimin e oksigjenit. Pasojë tjetër më e dhimbshme është ajo që ne si gjenerata të tashme nuk po iu lëm gjeneratave pas nesh një mjedis të përshtatshëm për jetë, pra po e shkelim një parim themelor të zhvillimit të qëndrueshëm etj. Dhe ne fund do të potencoja që dëmtimi i tokës pyjore sjell edhe pasoja të tjera në mjedisin gjeografik, pasi dëmtimi pyjeve sjellë rrëshqitje të tokës, dëmtim të infrastrukturës si pasojë e dobësimit të tokës si pasojë e prerjes së pyjeve e kështu me rradhë.
Buletini Ekonomik: Në një seminar të organizuar në fund të prillit nga lëvizja #mosemerrmalin, e ku ishin të ftuar panelistë-reprezentues të shoqërisë civile, biznesit dhe sektorit publik, duke i konsideruar të dhënat që flasin për dëmet e pyjeve brengosëse, është thënë se e “ardhmja e gjeneratava te reja, fëmijëve tonë është në shkatërrim e sipër dhe shqetësuese”. A mund të na shpjegoni pse janë kaq shqetësuese këto të dhëna sikundër edhe e ardhmja e brezave të ardhshëm?
Faruk Foniqi: SLK së bashku me IGGTK kanë organizuar seminare, takime, ëorkshope të ndryshme në komuna të Kosovës duke prezantuar këto të dhëna. Ne kemi potencuar që nëse vazhdohet me një trend të tillë në brenda shumë pak viteve do të mbetemi pa pyje të shëndetshme dhe brezat e ardhshëm në vend se të shohin ambiente natyrale do të shohin ambiente të degraduara, të shkatrruara deri në pakthim dhe kështu ajo që ne sot e shijojmë (shkatërrojmë me vetëdije apo jo) për ta do të jetë vetëm një iluzion, histori e treguar nga ne se dikur kemi pasur pyje të shëndetshme.
Buletini Ekonomik: Pse vlerësoni se nëse vazhdohet me këtë trend të dëmtimit të pyjeve, në vitin 2035 nuk do të ketë më pyje të shëndosha në Kosovë? Në këtë kontekst, çka konsideroni ju me ‘pyje të shëndosha’, dhe çka vlerësoni me “dëmtim pyjesh”, apo me “humbje të sipërfaqeve pyjore”?
Faruk Foniqi: Me pyje të shëndosha i referohemi asaj sipërfaqeje, hapësire, apo regjioni në të cilin pyjet janë të shëndetshme dhe luajnë rolin e tyre primar që e kanë. Dëmtimi i pyjeve vjen si pasojë e shumë faktorëve të ndryshëm disa prej tyre janë të natyrave më natyrore siç janë shirat acidik që formohen si pasojë e kombinimit të shiut dhe elementeve gazore të shkatuara nga ndotja të cilat në pyje kanë efekt negativ, pastaj janë faktorët të tjerë janë kryesisht të natyrave ku njeriu është i përfshirë në formë direkte apo indirekte. Në formë direkte njeriu me vetëdije dëmton pyjet pa ndonjë kriter ambiental, duke marrë sopatën/sharrën dhe fillon aktivitet në pyje, ndërsa në mënyrë indirekte njeriu përmes aktiviteteve në natyrë shkakton zjarre duke ditur pasojat që derivojnë nga ky proces. Humbja e sipërfaqeve pyjore doli si nocion nga fakti se prerja e pyjeve po shkakton që tokat pyjore në momentin që po ekspozohen në rrezet e diellit po e humbasin aftësinë që pas ndonjë rigjenerimi, rimbjellje apo ripyllëzimi të mos ketë sukses si pasojë që toka nuk e ka aftësinë më të gjeneroj pyjet të cilat dikur kanë qenë në hapësirat e dëmtuara.
Buletini Ekonomik: Në cilat rajone të Kosovës janë dëmtuar më shumë pyjet dhe në cilat rajone është duke vazhduar edhe tani dëmtimi i pyjeve tona në përmasa kaq alarmuese, dhe në këtë kontekst, cilat pyje, cilat lloje të drurëve janë më shumë cak i keqbërësve?
Faruk Foniqi: Nga analiza që kemi zhvilluar, thuajse të gjitha regjionet e Kosovës janë të afektuara nga dëmtimi i pyjeve apo shpyllëzimi, i njëjti trend sipas analizave të fundit që jemi duke i bërë, për arsye të azhurnimit të të dhënave ekzistuese, vërehet se ka trend të njëjtë të dëmtimit të pyjeve. Më të prekura janë regjionet periferike të Kosovës, ndër ta përmenden regjioni i Gjilanit (komuna e Vitisë, Kamenicës), pastaj regjioni i Gjakovës dhe Regjioni i Mitrovicës, konkretisht tek komunat me shumicë serbe, pasi kontrolli i shtetit është më i pakët dhe dëmtuesit e pyjeve e shfrytëzojnë këtë situatë për këtë dukuri. Llojet e drurëve që janë pre e keqbërësve janë kryesisht ato që shfrytëzohen për ngrohje nga qytetarët dhe shumë lehtë mund t’i vërejmë në tregjet tona, siç janë ahu, bungu, shkoza etj.
Buletini Ekonomik: Pse nuk frenohet, ose së paku nuk bëhet përpjekje më këmbëngulëse dhe më kërkuese institucionale për ta zbutur dëmtimin e pyjeve të Kosovës në këto përmasa të dhimbshme?
Faruk Foniqi: Ajo që është evidente në këtë fushë është se institucionet që janë të thirrura për ta luftuar këtë dukuri kryesisht përballen me mungesë të stafit adekuat për të mbikqyrur pjesën e pyjeve, pastaj mos definimi i saktë i kompetencave në mes të institucioneve qëndrore dhe lokale, monitorimi i dobët nga institucionet, gjobat e ulëta për dëmtuesit, proceset e stërzgjatura në organet e shtetit, ku në vend se të merren dënime meritore në shumcicën e rasteve përballen me masa lehtësuese dhe kështu prap procesi vazhdon tutje me dëmtim të pyjeve. Këto janë disa nga faktorët që bëjnë që të dëmtohen pyjet në përmasa aq të mëdha.
Buletini Ekonomik: A ka ndonjë masë institucionale deri më tash që duhet veçuar dhe përmendur, që ka pasur dhe që ka akoma qëllimin e parandalimit të dëmtimit të pyjeve tona në këto përmasa?
Faruk Foniqi: Institucionet sa jemi të informuar janë duke përgatitur dokumente që japin shpresë që në të ardhmen të kemi kontroll më të avancuar në këtë fushë, edhe pse nuk duhet humbur kohë duke patur parasysh rezultatet që prezantuam pasi në një ditë humbet 1 hektar tokë dhe kjo e bënë ugjente marrjen e masave adekuate për monitorim, menaxhim dhe rivitalizim të pyjeve. Deri më tani masat që kanë qenë në fuqi, sipas mendimit tonë nuk është se kanë dhenë efekt pozitiv në frenimin e kësaj dukurie.
Buletini Ekonomik: Ju Institut i GIS-it dhe Tekologjisë Gjeohapësinore në Kosovë – IGGTK, çfarë misioni keni dhe a keni përkrahjen e nevojshme shtetërore për të realizuar projektet dhe vizionet e juaja?
Faruk Foniqi: IGGTK është organizatë joqeveritare e cila ka mision ofrimin e ndihmës për institucionet qoftë nga niveli lokal apo qëndror, OJQ-ëve etj për krjimin e analizave që kanë karakter hapësinorë duke aplikuar teknologjinë gjeohapësinore dhe duke i bërë studimet më të sakta në aspektin kualitativ dhe kuantitativ.
Buletini Ekonomik: Po, lëvizja #mosemerrmalin ç’është kjo lëvizje, dhe cilët janë veprimet (hapat) e saj që ka zënë të ndërmarrë për të frenuar shpejtësinë e humbjes së pyjeve tona në këto përmasa të frikshme?
Faruk Foniqi: Lëvizja #mosemerrmalin, është një lëvizje që është krijuar nga Sustainability Leadership Kosova – SLK qëllimi i së cilës është ofrimi i një tabloje me gjendjen e pyjeve në Kosovë. Ndërsa, veprimet që i ka ndërrmarrë kjo lëvizje janë të orientuara në mbajtjen e sesioneve informuese për palet me interes për pyjet, mbajtjen e ëorkshopeve për ekpertë të fushës, vullnetarë për mjedis etj, dhe së fundmi ka marrë iniciativë për nënshkrimin e zotimeve për njerëz, kompani dhe institucione për ndihmën në ndaljen e shpyllëzimit në Kosovë.
Buletini Ekonomik: Tani, kur po dihen thuaja goxha saktësisht përmasat trishtuese të dëmtimit të pyjeve në Kosovë, ju, personalisht, si ekspert dhe si një nga mbrojtësit e përkushtuar të florës sonë, çka mendoni se duhet bërë më urgjentisht për të frenuar këtë dëmtim, dhe cilat masa duhet ndërmarrë shteti për ta vënë nën kontroll dëmtimin e pyjeve në periudhë më afatgjatë?
Faruk Foniqi: Ajo që për mua është shumë me rëndësi të ndërrmirret sa më parë lidhet me hapat që duhet ndërmarrë institucionet qendrore në krijimin e mekanizmave efektiv për mbrojtjen, menaxhimin, monitorimin e pyjeve në Kosovë, pastaj shtimin e fondeve për rigjenerimin e pyjeve të dëmtuara, ndryshimin e kurrikulave brenda sistemit edukativ duke futur lëndët që kanë synim mbrojtjen e mjedisit në përgjithësi dhe të pyjeve në veçanti, aplikimin e teknologjive të GIS-it dhe Remote Sensingut në ndërtimin e mekanizmave efektiv për kontroll më të rregullt të shpyllëzimit etj./Buletini Ekonomik/