Të dhënat të bëra publike nga individë ambientalistë dhe dashamirës të natyrës së pastër, por edhe ca të shifrave sporadike që vijnë nga institucione të ndryshme dhe nga shoqëria civile, flasin se Kosova ka nivel alarmant të ndotjes, dimrit dhe verës, në vendbanimet urbane dhe rurale, në tokë dhe në ujëra, por edhe pasoja të përmasave alarmuese të ndotjes së ajrit, ujërave dhe tokës në shëndetin e kosovarëve.
Mehmet GJATA
Kosova vazhdon të jetë njëra ndër vendet me ambientin më të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë të prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri për dekada me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve te energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit), por edhe të ndotësve të tjerë, siç janë numri i madh i automjeteve të stërvjetëruara në qarkullim, mbushja e tokës së Kosovës me produkte të plastikës dhe prerja e egër dhe pa kontroll e maleve të vendit.
Ndotjes dhe degradimit në përmasa goxha alarmuese në Kosovë, pos emetimeve nga termokapacitetet e energjisë elektrike, i kontribuojnë edhe pakujdesi i publikut me shkarkimet, hedhjet e mbeturinave, por edhe neglizhenca e kahmotshme dhe e përvitshme e autoriteteve dhe zyrtarëve për të monitoruar në vazhdimësi dhe përditë përqëndrimin e ndotësve në ajër, në tokë dhe në ujëra dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e ambientit. Dhe, duke munguar të dhëna të bollshme dhe të sakta për nivelet e ndotjes, nuk mund të thuhet saktësisht dhe nuk mund të bëhet e ditur me saktësi se çfarë ndikimi real ka ndotja në shëndetin publik dhe se sa të cënueshme dhe të prekura janë komunitetet në vendin tonë nga përmasat e ndotjes, sado që sipas ca të dhënave ekzistuese të deritashme, dalin pak a shumë pasojat evidente për shëndetin, sidomos të popullsisë që jetojnë përreth termocentraleve.
Të dhënat alarmuese për pasojat e ndotjes së ambientit
Disa të dhëna, të bëra publike nga individë ambientalistë dhe dashamirës të natyrës së pastër, por edhe ca të shifrave sporadike që vijnë nga institucione të ndryshme dhe nga shoqëria civile, flasin se Kosova ka nivel alarmant të ndotjes, dimrit dhe verës, në vendbanimet urbane dhe rurale, në tokë dhe në ujëra, por edhe pasoja të përmasave alarmuese të ndotjes në shëndetin e kosovarëve.
Luan Shllaku, këto ditë në një televizion të vendit, deklaroi se rreth 470 vdekje ndodhin brenda një viti nga sëmundjet që shkaktohen si pasojë e ndotjes nga termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘B’. Shllaku ka thënë se këto të dhëna janë nxjerrë nga një raport i bërë bashkë me Institutin “Musine Kokalari”, ndërsa, sipas tij, sëmundjet si pasojë e ndotjes prekin, sidomos njerëzit nga zona e ndikimit të termocentraleve.
Ndërsa, një raport i vitit 2019 i Bankës Botërore është edhe më alarmues. Në raportin e BB-së thuhej saktësisht se ndotja e ajrit vret rreth 760 njerëz çdo vit në Kosovë. “Komuna e Obiliqit ka rreth 30 për qind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 për qind më shumë raste të tumoreve malinje (kanceri) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, kanë konstatuar mjekët vendas.
Sipas të dhënave të Balkan Green Foundation, “njerëzit që jetojnë në zona të kontaminuara (lexo: njerëzit që jetojnë rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës) humbasin rreth pesë vjet jetë për shkak të ndotjes së ajrit”. Besim Morina, një mjek pulmolog që ka trajtuar shumë të sëmurë kronikë nga vendbanimet rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës, kohë më parë, ka thënë për mediat botërore se ata ishin diagnostikuar kryesisht me sëmundje pulmonare obstruktive kronike, të cilat vinin si pasojë e punës së tyre në termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
“Shumica e miqve të mi (në uzinë) kanë vdekur prej saj”, i ka thënë Reuters-it, një ish-punëtor në kompleksin elektroenergjetik, i cili gjithashtu tani vuan edhe nga sëmundja e Parkinsonit.
Sipas ambientalistëve, kostoja aktuale e energjisë elektrike në Kosovë është shumë më e lartë kur merren parasysh efektet në shëndetin publik të termocentraleve të vjetruara.
Prandaj, njohësit e zhvillimeve energjetike dhe ekspertët, gjithmonë kanë ngritur zërin, kanë alarmuar në sinkron njëri me tjetrin se “kosovarët kurrë nuk e paguajnë lirë koston e energjisë elektrike, as më së liri në rajon”. Përkundrazi. Sipas tyre, e paguajnë shumë shtrenjtë koston e rrymës që nuk matet me para.
Shëndeti i rrënuar i qindra mijëra kosovarëve rreth e qark teromocentraleve dhe minierave sipërfaqësore dhe sëmundjet kronike të qindra mijëra kosovarëve, të fituara nga ndotja e ambientit dhe degradimi i natyrës për të prodhuar energji elektrike, është çmimi që paguajnë kosovarët e që nuk kompenzohet dot, as nga importi i KEDS-it as nga Qeveria, as nga ZRRE-ja.
Ç’thonë statistikat e Bankwatch Network?
Ky është çmimi i vërtetë, ai reali, që paguajnë kosovarët për energjinë elektrike, të cilët, ç’është e vërteta, në bazë të ca statistikave të Bankwatch Network, del që megjithë këta numra shqetësues të vdekjeve dhe sëmundjeve si pasojë e ndotjes së ambientit nga termocentralet, nuk e paskan aktualisht ambientin më të ndotur në Ballkan dhe nga termocentralet me qymyr të shteteve të Ballkanit Perëndimor, që vlerësohen se ndotin më së shumti ajrin në Europë.
Sipas disa statistikave të publikuara nga një medie ndërkombëtare, termocentralet në këtë pjesë të kontinentit gjatë vitit të kaluar kanë emetuar 5 herë më shumë dioksid squfuri dhe 1.8 herë më shumë pluhur sesa nivelet e lejuara. Por, sipas statistikave të Bankwatch Network, Kosova del të jetë shteti që e ndotë më së paku ajrin në Ballkanin Perëndimor.
Termocentralet në Kosovë vitin e kaluar emetuan 1.3 herë më shumë dioksid squfuri dhe 4.4 herë më pak grimca pluhuri sesa nivelet e lejuara. Këto përbëjnë statistika që dalin të jenë goxha të mira dhe më të favorshme krahasuar me vendet përreth.
Bosnja e Hercegovina del të jetë shteti që e ndotë më së shumti ajrin në Ballkanin Perëndimor (8 herë më shumë dioksid squfuri dhe 3.6 herë më shumë grimca pluhuri), pastaj vjen Maqedonia e Veriut (5.2 herë më shumë dioksid squfuri dhe 1,7 herë më shumë grimca pluhuri) dhe Serbia (4.6 herë më shumë dioksid squfuri dhe 1.3 herë më pak grimca pluhuri).
Sado që këto shifra flasin në njëfarë mënyre se në Kosovë qenkan paksa më të vogëla shifrat e ndotjes nga dioksidi i squfurit dhe prezenca e grimcave të pluhurit sesa në disa shtete të rajonit, nuk duhet të na bëjnë edhe aq të lumtur këta numra, për shkak se po të kihen parasysh të dhënat kumulative të ndotjes dhe degradimit të ambientit në Kosovë, dalin të jenë tepër alarmuese dhe shumë tronditëse. Madje, shumë ekspertë dhe ambientalistë e theksojnë zëshëm se “krimi mjedisor është ulur kaherë këmbëkryq anembanë Kosovës”.
Shoqëria civile nëpërmjet shoqatave të tyre shprehin sot e gjithë ditën shqetësimin e tyre të madh për përmasat e ndotjes dhe të degradimit të gjendjes mjedisore në vend. Ata e theksojnë troç dhe thuajse njëzëri se krimet mjedisore janë të përhapura në Kosovë.
Në bazë të të dhënave të siguruara përmes teknologjisë së GIS (Sistemit të Informacionit Gjeografik) dhe Remote Sensing (RS, teknologji që përdoret për të hulumtuar dukuri pa qenë në kontakt fizik me objektin, dukurinë apo procesin), del që norma e humbjeve vjetore të pyjeve në një mesatare vjetore të jetë 654 hektarë brenda një viti kalendarik, ndërsa nëse përkthehet në mesatare ditore ajo është afro 1.5 hektarë në ditë, ka saktësuar Faruk Foniqi, ekspert në GIS dhe Remote Sensing në Universitetin e Torontos dhe Kalifornisë, në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik.
Vëmendje e zbehtë në Strategjinë energjetike për mbrojtjen e ambientit
Këto të dhëna duhet të alarmojnë para së gjithash shtetin, zyrtarët dhe autoritetet publike, të cilët duhet të kenë një pozicionim strategjik përballë rreziqeve që sjellin ndotja e mjedisit dhe degradimi i tokave dhe pyjeve në Kosovë.
Me fjalë të tjera, autoritetet publike dhe private kosovare duhet më në fund t’i thonë ‘Stop’ njëherë e mirë gatishmërisë së papërfillshme për të mbrojtur natyrën, ambientin, pyjet dhe ujërat e vendit, me qëllim të pengimit të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve në radhë të parë, por edhe të stopimit të humbjes së mëtutjeshme të habitateve dhe specieve në shumë zona të biodiversitetit në të gjithë Kosovën si pasojë e degradimit të vazhdueshëm të natyrës. Duhet veprime konkrete dhe më pak retorikë shterpe në mbrojtje të mjedisit, ajrit, ujërave dhe tokës e pyjeve të Kosovës.
Prandaj, që tani duket e diskutueshme vëmendja goxha e zbehtë e Qeverisë aktuale e përqëndruar në Strategjinë energjetike 2022-2031, ku bie në sy se vlerat mjedisore sikur janë lënë anash. Në Strategjinë energjetike thuaja se përciptazi flitet për ndotjen e ajrit dhe synimet për ta evituar apo zbutur këtë problem, sado që konstatohet se “ndotja e ajrit është ende problem serioz në Kosovë, pjesërisht si rezultat i mospërputhjes së termocentraleve me linjit me kufijtë e përcaktuar në PKRE”.
Sipas raportit të zbatimit të Komunitetit të Energjisë të vitit 2021, që e citon Strategjia, “vlerat aktuale të emetimeve në Kosovë, krahasuar me kufijtë, ishin 197% në rastin e SOx , 223% për NOx dhe 177% për pluhurin”.
“Edhe disa dispozita të Direktivës së Emetimeve Industriale (2010/75/BE) janë të zbatueshme nga 1 janari 2017, për impiantet e reja tek palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë. Impiantet ekzistuese pritet gjithashtu të zbatojnë dispozitat e Kapitullit III dhe Aneksit V, veçanërisht në rastin e rinovimit. Kosova ka përgatitur, por ende nuk ka miratuar, bazën ligjore për t’iu përmbajtur këtyre dispozitave”, thuhet tutje në Strategji.
Poashtu, konstatohet se “ngrohja e amvisërive me dru zjarri dhe qymyr në stufat e vjetra në Kosovë gjithashtu kontribuon në problemet e ndotjes së ajrit. Stacionet e monitorimit në vitin 2020 zbuluan një numër të madh rastesh kur PM10 tejkalonte kufirin maksimal të lejuar dhe në disa zona përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 ishte gjithashtu më i lartë se standardi, kryesisht gjatë sezonit vjeshtë-dimër, si pasojë e djegies së karburanteve për qëllime ngrohjeje”. Mirëpo, nuk ofrohet ndonjë zgjidhje e mundshme dhe e qëndrueshme për problemin e ndotjes, nuk paraqitet as ndonjë vizion serioz, pos që thuhet se “duhet të përmirësohen procedurat dhe kapacitetet administrative të nevojshme për të siguruar zbatimin efektiv të rregulloreve kundër aktiviteteve të paligjshme dhe degradimit të mjedisit.
Përfshirja më e madhe e publikut dhe organizatave të shoqërisë civile në vendimmarrje dhe programe që synojnë ngritjen e vetëdijësimit publik për mbrojtjen e mjedisit do të sigurohet për të lehtësuar pranimin dhe mbështetjen e teknologjive të pastra nga qytetarët e Kosovës. Por, a mjafton kjo retorikë për pastërtinë e ajrit, ujit dhe natyrës nga ndotësit e evidentuar dhe kaherë të identifikuar, lë të gjykojë opinioni. Dhe opinioni, ekspertët dhe ambientalistët kaherë kanë kërkuar zëshëm që sa më parë mbrojtja e mjedisit të bëhet një nga përparësitë e para të politikës kombëtare, të mos bëhet më politikë ditore me mjedisin, por të vendosen zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme në mbrojtjen e ajrit, ujit dhe të pyjeve të Kosovës. /Buletini Ekonomik/