Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Kanadaja dhe Japonia do të ndalojnë importet e arit rus, në një përpjekje për të dëmtuar mundësitë e Moskës për të financuar luftën në Ukrainë.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar tha se masa do të “godasë zemrën e makinerisë luftarake të Putinit”.
Eksportet e arit drejt Rusisë arrinin një vlerë prej 15.4 miliardë dollarë në vitin 2021, dhe Mbretëria e Bashkuar thotë se rëndësia e tyre është shtuar akoma më tepër që nga fillimi i pushtimit, pasi oligarkët po nxitojnë që të blejnë flori për të shmangur sanksionet.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur grupi G7 i vendeve më të pasura të botës po takohet në Gjermani.
Presidenti i SHBA, Joe Biden, tha se edhe vendet e tjera të G7 – Gjermania, Franca dhe Italia – do t’i bashkohen embargos.
“Së bashku, G7 do të njoftojë se ne do të ndalojmë importin e arit rus, një eksport i madh që i mundëson Rusisë të mbledhë dhjetëra miliardë dollarë,” tha ai në një postim në Twitter.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, shtoi: “Ne duhet t’i ndërpresim regjimit të Putinit financimet e tij. MB dhe aleatët tanë po bëjnë pikërisht këtë gjë.”
Me Londrën e cila është një qendër kryesore tregtare globale për arin, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se kjo masë do të kishte një ndikim të madh në mundësitë e Presidentit Putin për të mbledhur fonde.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën në muajin shkurt, vendet perëndimore kanë vendosur një sërë sanksionesh që targetojnë individë të pasur, banka, biznese dhe ndërmarrje shtetërore.
SHBA, Bashkimi Europian, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera kanë sanksionuar më shumë se 1,000 individë dhe biznese ruse deri më tani.
Masa e fundit nënkupton se kufizimet e importit në Mbretërinë e Bashkuar do të zbatohen për eksportet ruse që arrijnë një vlerë rreth 13.5 miliardë paund.
Mbretëria e Bashkuar tha se ndalimi i importit të arit do të hyjë në fuqi së shpejti. Legjislacioni pritet të prezantohet në Parlament në javët e ardhshme.
Ai do të zbatohet për arin e saponxjerrë ose të rafinuar dhe nuk ndikon në arin e eksportuar më parë nga Rusia.
Nuk ka plane për të shtrirë kufizimet ndaj arit rus që është blerë në mënyrë legjitime përpara se të vendosej ndalimi i importit.
Diskutimet në samitin e G7 në Bavari pritet të fokusohen në reagimin ndërkombëtar ndaj luftës në Ukrainë, si dhe në rritjen e çmimeve dhe krizën globale të ushqimit./ BBC