Situata aktuale sa i përket kapaciteteve prodhuese dhe potencialeve për të prodhuar më shumë energji të rinovueshme, ose për të përmbushur objektivat e Strategjisë energjetike 2022-2031, nuk është e shtruar me lule. Duket madje goxha e zymtë, e vështirë e realizueshme sipas datave dhe afateve të apostrofuara nga ministrja Rizvanolli. Por, gjithsesi, nuk është e pamundur. Në radhë të parë duhet ta kemi të qartë çka po duam. Pastaj, me nguti dhe pa humbur asnjë orë, t’i përkushtohemi gjetjes së udhëve dhe alternativave për t’i realizuar parashikimet. S’ka zgjidhje tjetër.
Mehmet GJATA
Objektivi strategjik sipas draft-strategjisë energjetike të Kosovës 2022-2031 mbetet dekarbonizimi dhe promovimi i energjisë së ripërtëritshme, ka thënë të martën ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli me rastin e hapjes së Konsultimeve Publike për Strategjinë e Energjisë 2022-2031. Ministrja me këtë rast, ishte më e saktë, apostrofoi numra dhe shifra të synimeve dhe vizioneve për të shtuar megavatët e energjisë së ripertëritshme, por edhe përcakoi afate, duke përmendur vite konkrete që janë goxha të afërta për ngritjen e kapaciteteve prodhuese për energjinë e rinovueshme.
Sipas Rizvanollit, Kosova në tri vjetët e ardhshëm do të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore.
“Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Gjatë tre vjetëve të ardhshëm do të arrihet që Kosova të ketë kapacitete prodhuese prej 500 megavat të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të bëhet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore, që do të thotë se në vitin 2025 do të kemi dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021”.
Ajo ka saktësuar se deri në vitin 2031 do të arrijnë 1.400 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, duke ndërtuar kapacitetet e reja të erës dhe diellore. Ministrja Artane Rizvanolli të martën shpalosi edhe vizione të tjera për të pasur sa më shumë dhe sa më shpejtë energji të ripërtëritshme Kosova, të elaboruara nga institucionet kompetente vendimmarrëse kosovare dhe nga analiza teknike nga një grup i ekspertëve të pavarur. Ndër të tjera, ajo ka sqaruar se integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet do të mundësohet falë baterive në kapacitet prej së paku 170 megavatë, ose duke krijuar 340 megavatë orë rezervë të energjisë elektrike. Mjaft ambicioz ishte edhe synimi i bërë publik nga ministrja se “deri në vitin 2031 synojmë që së paku 35 për qind e konsumit të energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme, ndërsa ndotja nga termocentralet të ulet për së paku 32 për qind”.
Këto, gjithësesi, janë synime ambicioze, për Kosovën e vogël dhe të brishtë financiarisht. Por, realizimi i këtyre parashikimeve të përfshira në Strategjinë energjetike të Kosovës 2022-2031 nuk është i pamundur, megjithë sfidat e panumërta, me të cilat do të përballën bartësit e këtyre projekteve të synuara. Për t’i përmbushur objektivat e Strategjisë, duhet përkushtim, angazhim i madh dhe i sinqertë i përgjegjësve dhe shpenzim maksimalisht racional i parave të dedikuara për projektet e pritshme të energjisë së rinovueshme që do të nisin të ndërtohen.
Ekipet, bartëse të ndërtimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë së rinovueshme, duhet të kenë njerëz të aftësuar, që njohin trendet më të reja teknologjike të energjisë së ripërtritshme, të jenë menaxherë të zotët dhe të dëshmuar në investimin dhe qeverisjen e parasë publike.
Natyrisht, paraprakisht duhet siguruar paratë e nevojshme për ndërtimin e këtyre projekteve, për të cilat, së paku deri më tash, bota dhe institucionet monetare ndërkombëtare në shumicën e herave nuk janë treguar dorështrënguar. Përkundrazi, ata deri tani janë treguar dorëlirë për të financuar të gjitha projektet e mira dhe të bindshme të energjisë së rinovueshme. Këtë, patjetër, duhet t’i kenë parasysh institucionet tona që do të angazhohen për ngritjen e kapaciteteve të synuara të energjisë së gjelbërt. Dhe, po qe se realizohen këto që u thanë më lartë, Kosova ka mundësi reale të përmbushë objektivat e Strategjisë energjetike 2022-2031 edhe për faktin se tashmë po del dhe po shihet se ka resurse reale të natyrës për të ndërtuar këto kapacitete të reja, qoftë të bazuara te era, qoftë te dielli, përkundër jo pak paralajmërimeve skeptike për mundësi të reduktueshme të Kosovës si rrjedhojë e mungesës së resurseve natyrore për energji të gjelbërt.
Por, meqenëse, të Strategjia… siç po shihet dhe nënkuptohet, më shumë në këto vitet e afërta fokusi do të përqëndrohet te energjia solare, në këtë shkrim do të bëjmë përpjekje që të përmendim dhe radhisim potencialet e mundshme që ka Kosova për energjinë solare.
Gjithsesi projekti i paralajmëruar para dy-tre muajsh me emërtimin “Solar4Kosova”, nëse do të llogaritet si kapacitet-pjesë e Strategjisë energjetike 2022-2031, do të ishte një nismë e mirë dhe e shpejtë e startit të suksesshëm për përmbushjen e synimeve. Do të ishte, pra një kapacitet i energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë. Një nismë e mirë e ndërtimit të kapaciteteve të rinovueshme, nëse edhe kjo vlerësohet në kuadër të Strategjisë, do të ishte edhe projekti i bërë publik kohë më parë nga drejtori ekzekutiv i KEK-ut, se KEK planifikon të ndërtojë 100 megavatë kapacitete solare në sipërfaqen e deponisë së djerrinës të termocentralit Kosova A. Dhe për këtë iniciativë tashmë nga ana e KEK-ut janë dërguar propozime në Ministrinë e Ekonomisë.
Sidoqoftë, tashmë, pas shpalljes së synimeve dhe objektivave të draft-strategjisë energjetike 2022-2031 për dekarbonizimin e Kosovës dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme, shteti e pushteti i Kosovës, duhet shpejtuar, me urgjencë duhet shkurtuar procedurat e stërgjatura të kërkuara deri më tash për të nisur kapacitet e reja elektroenergjetike alternative, qoftë solare, apo në bazë të erës.
Dhe, sipas ekspertëve, sado që Kosova, nuk i ka kushtet ndër më të mirat për të pasur kapacitete efektive dhe potente të energjisë së rinovueshme, ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit dhe parqe të energjisë me erë për të prodhuar sasi të çmueshme të rrymës për nevojat e veta.
Ekspertët rekomandojnë se në të gjitha sipërfaqet e kulmeve te objekteve komerciale, komunale dhe private te cilat kanë orientimin e duhur lindje-perendim, apo janë të rrafshta, mund të instalohen panele solare. Kosova ka edhe shumë toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qellim. Hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut. Ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, si dhe hapësirat përgjatë autostradave, të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare nga dielli, pra energji solare. Pak më shumë mundësi për energji të rinovueshme kemi te ndërtimi i turbinave me erë.
Tashmë janë ndërtuar dy kapacitete që ia vlen të përmenden-ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 MW. Pas analizave dhe matjeve të shumta vlerësohet se pos dy kapaciteteve të energjisë me erë parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë, vende këto të identifikuara për mundësitë për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës.
Vlerësohet se deri tash në të gjitha këto vende të identifikuara për mundësi ndërtimi të turbinave me erë dhe të vendeve të paidentifikuara saktësisht, por që japin sinjale të bollshme dhe bindëse për mundësinë e instalimit të turbinave me erë mund të arrihen diku rreth një mijë megavatë energji elektrika nga era. Por, në rrjet duhet të llogaritet gjysma e më pak e këtyre megavatëve, pasi që te ne këto kapacitete për shkak të mungesës së erërave dhe të natyrës së fryrjes së erës, nuk mund të prodhojnë me fuqinë e instaluar.
Kjo është gjendja aktuale sa i përket kapaciteteve prodhuese dhe potencialeve për të prodhuar më shumë energji të rinovueshme. Nuk është e shtruar me lule kjo situatë. Duket madje goxha e zymtë, e vështirë e realizueshme sipas datave dhe afateve të apostrofuara nga ministrja Rizvanolli. Por, gjithsesi, nuk është e pamundur. Në radhë të parë duhet ta kemi të qartë çka po duam. Pastaj, me nguti dhe pa humbur asnjë orë, t’i përkushtohemi gjetjes së alternativave për t’i realizuar parashikimet e draft-strategjisë… S’ka zgjidhje tjetër. Tani, nuk ka më kohë për pritje dhe kalkulime. Shpejt Kosova mund të mbetet edhe më shumë pa energji elektrike, nëse nuk ndërmerret hapi i nevojshëm, i mençur dhe i analizuar detajisht edhe për ruajtjen e ambientit, edhe për koston financiare, edhe për plotësimin e nevojave të konsumit kosovar me energji elektrike. Pa këtë hap nuk krijohet “rruga e re energjetike”, e paralajmëruar të martën nga Ministrja Rizvanolli, “nëpër të cilën Kosova do të ecte për ta bërë sistemin energjetik më të pastër, më të besueshëm e më të decentralizuar”.
Gjithsesi nuk mjafton vetëm të thuash së “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të aplikojë një qasje të re për të adresuar sfidat aktuale dhe për të vendosur themelin për një të ardhme të sektorit të energjisë të vendit, e cila gjithnjë e më shumë po përpiqet të ofrojë siguri të furnizimit me energji elektrike, energji të pastër, efiçiencë të energjisë, dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve e përkrahje për grupet e cenueshme”. Mbase kësaj radhe, nuk do të mjaftohemi vetëm me retorikë të bukur dhe vetëm më fjalët e këndshme./Buletini Ekonomik/