Po afrohet kriza e borxhit për vendet në zhvillim

Kur Gana humbi aksesin në tregjet ndërkombëtare të kredisë në fund të vitit të kaluar, ky ishte një sinjal për problemet e borxhit që prisnin botën në zhvillim.

Beteja kundër COVID-19 i ka bërë qeveritë që të jenë shumë vulnerabël, duke i ngarkuar ato me borxhet masive që morën për të zbutur goditjen ekonomike nga pandemia.

Megjithatë, tani, ndërkohë që shumë bankat qendrore po rrisin normat e interesit, këto borxhe mund të bëhen të vështira për t’u kthyer.

Reklama e sponzorizuar

Sri Lanka dështoi të paguante borxhin e saj vetëm disa javë më parë, ndërsa Pakistani po përpiqet me vështirësi për të shmangur të njëjtën gjë. Në fakt, më shumë se gjysma e vendeve me të ardhura të ulëta ndodhen aktualisht përballë një rreziku të lartë për pamundësinë për të paguar borxhet, ndërsa një pjesë e tyre kanë vështirësi për t’i paguar ato, sipas Bankës Botërore.

Të dielën, Rusia nuk arriti të paguante borxhin e saj në valutë të huaj. Por në këtë rast, arsyeja nuk ishte mungesa e rezervave. Përkundrazi, sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë thjesht nuk i lejojnë kreditorët në Perëndim që të pranojnë pagesat e Rusisë.

Çfarë po e nxit krizën e borxhit në vendet në zhvillim?

Pas krizës globale financiare në vitin 2008, bankat qendrore në vendet e industrializuara ulën normat e interesit dhe e bënë më të lirë marrjen e financimit. Për investitorët globalë në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë, kjo nënkuptonte kthime më të ulëta nga investimet në vend.

Nga ana tjetër ndodheshin qeveritë e vendeve të Jugut të botës. Ato donin të përfitonin nga normat jashtëzakonisht të ulëta të interesit në Veri, duke joshur investitorët me borxhin e tyre me normë më të lartë të denominuar në dollarin amerikan, në vend të monedhës vendase.

Deri në fund të vitit 2019, kjo sasi e të ashtuquajturit “borxh i jashtëm” u rrit në 5.6 trilion dollarë (5.28 trilionë euro) në ekonomitë në zhvillim, sipas një studimi nga Bordi i Stabilitetit Financiar. Dhe, si rezultat i pandemisë globale, borxhi i tyre sovran në total pati rritjen më të shpejtë vjetore të tre dekadave të fundit në vitin 2020.

Ekspertët kanë paralajmëruar prej vitesh se sapo normat e interesit të fillojnë të rriten në SHBA, pagesa e interesave për të gjithë borxhin e denominuar në dollarë do të bëhej më e shtrenjtë.

Tani “po përballemi me disa gjëra që po bashkohen me njëra-tjetrën duke krijuar një stuhi të përsosur,” thotë Lars Jensen, duke aluduar për çmimet e larta të ushqimit dhe të energjisë, pasigurinë ekonomike globale për shkak të luftës së Rusisë dhe rritjen e normave të interesit në mbarë botën teksa bankat qendrore përpiqen të frenojnë inflacionin.

Jensen publikoi një raport për Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në vitin 2021, ku identifikoheshin 72 vendet më vulnerabël nga borxhi. Midis tyre ishte Gana, e cila pati rritje të çmimeve të ushqimeve që e çoi inflacionin në gati 30% në muajin maj. Monedha e Ganës, cedi, ka rënë me 22% kundrejt dollarit amerikan këtë vit.

Huadhënësit privatë dominojnë krizën aktuale të borxhit

Ndryshe nga krizat e mëparshme të borxhit në botën në zhvillim, si për shembull në Amerikën Latine gjatë viteve 1980, trazirat aktuale kanë në qendër huadhënësit privatë.

Për shembull, 57% e pagesave të borxhit të jashtëm të Ganës shkojnë te huadhënësit privatë dhe jo tek institucionet shumëpalëshe si Banka Botërore ose Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), sipas një organizate jofitimprurëse me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, Debt Justice. Huadhënësit privatë janë banka ndërkombëtare të investimeve, fondet e përbashkëta të investimeve dhe menaxherët e aseteve, të cilët synojnë të maksimizojnë portofolet në emër të investitorëve të tyre.

Gjatë epokës HIPC, 37 vendet e HIPC-së i detyroheshin kreditorëve zyrtarë rreth 90% të borxhit të tyre. Sot, shumë prej vendeve më vulnerabël nga borxhi i detyrohen rreth 50-60% të borxhit të tyre kreditorëve privatë.

Ka tre probleme me këtë lloj borxhi, thotë Jensen. Borxhi privat është përgjithësisht më i kushtueshëm se borxhi zyrtar që shpesh jepet me kushte koncesionare. Është shumë më e vështirë të rinegociohet në rast vështirësish për të paguar, pasi ka shumë aktorë të përfshirë dhe, më e rëndësishmja, është i varuar nga luhatjet e çmimeve.

“Kur bankat qendrore në Veri vendosin të rrisin normat e interesit, normat e interesit në tregjet financiare ndërkombëtare rriten gjerësisht,” tha Jensen. “Dhe kjo, sigurisht, rrit kostot e borxhit të vendeve të tjera, nëse ata duhet të marrin borxh të ri ose të rinegociojnë borxhin e maturuar.”/ DW News