Qeveria nuk e përkrahë sërish tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Trusti

Qeveria e Kosovës sot ka rikonfirmuar se nuk e përkrahin një mundësi të dytë të tërheqjes së një pjese të kursimeve pensionale në Trust nga qytetarët.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot gjatë mbledhjes së Qeverisë ka thënë se vetëm 8 për qind e llogarive në Fondin Pensional janë përfituesit kryesor të propozimit për tërheqjen e kursimeve ndonëse shtoi se po manipulohet me propozimin e dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Ai gjithashtu ka theksuar se 80 për qind e qytetarëve kanë vetëm 1 mijë e 100 euro në llogari të kursimeve.

Reklama e sponzorizuar

“Nga mbi 630 mijë llogari që janë të hapura, edhe pse gjysma e tyre jo aktive, në Trustin Pensional të Kosovës, 90 për qind e tyre kanë të akumuluara më pak se 10 mijë euro. Kurse, 80 për qind e llogarive apo mbi 500 mijë kanë mesatarisht 1,100 euro në llogari”, tha Kurti.

Sipas tij, vetëm 1.2 për qind e llogarive në Trust kanë 30 fish më shumë se 80 për qind e qytetarëve.

“Pjesa më e madhe, apo gjysma e kursimeve, janë të koncentruara në afërsisht në 8 për qind, pra kanë gjysmën e mjeteve të akumuluara. Pra vetëm 1.2 për qind e bartësve të llogarive kanë 30 fish më shumë se 80 për qind e qytetarëve që kanë llogari në Trust”, ka tutje Kurti./Buletini Ekonomik/