Rreth gjashtëdhjetë e tetë mijë studentë kanë aplikuar deri më tani për të përfituar nga pakoja mbështetëse e Qeverisë, me nga 100 euro.
Nga Qeveria kanë konfirmuar për mediat se këto shtesa për studentët, pritet të dalin gjatë javës tjetër.
Sipas Qeverisë, deri më tani janë ekzekutuar gjithsej 220 mijë pagesa për punëtorët e sektorit privat, ndërsa për ata që janë regjistruar më vonë nga pundhënësit, janë duke u shqyrtuar aplikimet.
“Në total janë regjistruar 68 mijë aplikime. Komisioni për verifikimin e aplikimeve ka filluar punën këtë javë. Synojmë që ekzekutimi i shtesave prej 100 eurove për studentë të fillojë gjatë javës tjetër. Sa i përket shtesave për punëtorët e sektorit privat deri më tani janë ekzekutuar mbi 220 mijë pagesa” kanë thënë nga Qeveria.
Ndërkohë, për ata që ende nuk i kanë pranuar shtesat nga Qeveria nëpër llogaritë e tyre, nga zyrtarë të Qeverisë u tha se shumë shpejt do t’i pranojnë arsyet e refuzimit dhe se do ta kenë mundësinë të qasen në formularin e ankesave për të paraqitur ankesat e tyre.