Ulën paksa çmimet e perimeve në tregjet e kryeqytetit

Pemët dhe perimet

Sot dhe dje, reporteri i Buletinit Ekonomik ka shënuar ulje çmimi te disa produkte bujqësore, veçmas të disa perimeve, por edhe të disa frutave

Më në fund një sihariq, ka kohë i pritshëm nga qytetarët, vie nga tregjet e gjelbërta të kryqytetit: Sot dhe dje, reporteri i Buletinit Ekonomik ka shënuar ulje çmimi te disa produkte bujqësore, veçmas të disa perimeve.

Pas rritjes enorme dhe thuaja të vazhdueshme, për muaj me rradhë, të çmimeve të pemëvë dhe perimeve,  tashmë kur me një këmbë po hyjmë në stinën e verës, në tregjet e Prishtinës vrehet një ulje e vogël e çmimeve të disa produkteve bujqësore, e sidomos te perimet. Këto ditë pra kanë zënë të tregtohen me çmime më të ulta domatet, specat, patatja, që janë kryesisht produkte të importuara, ndërkohë që edhe më shumë janë ulur çmimet e perimeve vendore, siç janë spinaqi, qepa e re, kungullesha, trangujt, karrota dhe fasulja.

Reklama e sponzorizuar

Sipas shitësve në tregun e Gjelbert në Prishtinë (te Ulpiana), çmimet e perimeve të sipërpërmendura binin në sy me goxha ulje. Po kështu, kanë rënë ndjeshëm edhe çmimet e disa pemëve verore, sidomos i qershive, pjeshkëve të ndryshme, nektarinës veçmas, por është ulur paksa edhe çmimi i disa lloje mollësh dhe i ftonjve.

Sot dhe dje, kilogrami i domatëve kushtonte 80 centë nga 1 euro e 20 centë dhe 1,50 euro, sa ishte kohë më parë. Gjithashtu, edhe specat kanë pasur luhatje në çmim. Disa javë më parë një kilogram i specave ka kushtuar 1 euro e 50 centë deri në 3 dhe 4 euro e më shumë,  tani tregtohën me  1 euro kilogrami. Speci i kuq në këtë treg kushton 1 euro nga 2 sa ishte më parë.

Edhe çmimi i kilogramit të trangujve ka rënë për 30-40 centë pasiqë aktualisht kushton 50 centë nga 90 centë sa ishte më hëret. Qepet e reja, siç thonë shitësit, tregtohen 6 tuba për 1 euro, madje në disa  vende shitjeje në këtë treg, po dhe në tregjet e tjera të gjelbërta të Prishtinës, edhe 10 tuba qepë të reja  me çmim 1 euro,  ndërkohë që më herët për 1 eruo janë tregtuar vetëm tre – katër tuba.

Patatja, një produkt mjaft i konsumuar në familjet kosovare, pokështu, ka shënuar një rënie në çmim prej 1 euro në 60 – 70 centë, ndërsa spinaqi  ka rënë për 50 centë. Nga 1 euro e 50 centë sa ishte muaj më parë, aktualisht ai tregtohet për vetëm 1 euro.

Gjatë kësaj kohe, ka pasur rënie edhe të çmimit të pemëve. Disa ditë më parë Buletini Ekonomik pati raportuar për çmim enorm dhe shumë të lartë të kilogramit të qershive nëpër markete në Prishtinë. Ndërsa, aktualisht çmimi i qershive cilësore në këtë treg ka rënë në 2 euro nga 3 euro e gjysmë që e kishin që nga fillimi.

Edhe çmimi i dredhzave poashtu ka rënë në 1 euro nga 2 euro e 50 centë sa ishte më parë. Gjatë kësaj kohe ka pasur rënie të çmimit edhe të pjeshkave, nektarinave dhe mollëve. Kilogrami i pjeshkave ka rënë në 1 euro nga 2 sa ishte, ndërsa nektarinat nga 2 e 50 centë në 1 euro e 50 centë.

Njëri nga shitësit në këtë treg, në kushte anonimiteti tha për Buletinin Ekonomik se në këtë kohë pritet që të rritet çmimi i mollëve pasiqë aktualisht është 80 centë.  Sipas tij, edhe çmimi i kilogramit të ftonjëve ka rënë për 50 centë.

Pra, ishte 1 euro e 50 centë, tani është 1 euro. Shitësit në këtë treg kanë theksuar se edhe përkundër rritjës së  çmimeve të derivateve dhe të çmimeve të tjera, në treg nuk ka pasur rënie të shitjes pasiqë siç theksojnë ata, këto produkte janë të domosdoshme dhe që kërkohen çdo ditë.(Blendrita Avdiu) /Buletini Ekonomik/