ZRRE fiton betejën e dytë ligjore në lidhje me tarifat, këtë herë ndaj Komunës së Obiliqit

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji, me të cilën është ndryshuar aktvendimi i Gjykatës së shkallës së parë.

Kësisoji, Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e Komunës së Obiliqit për masë të përkohshme ndaj vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike, raporton Kosovo.Energy.

Në shkurt, ZRRE-ja pati vendosur për tarifa të reja të energjisë elektrike. Tarifat e reja erdhën pas rritjes së jashtzakonshme të importeve dhe çmimit të energjisë elektrike në tregje ndërkombëtare.

Reklama e sponzorizuar

Pas kësaj, ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë filluan dy raste gjyqësore.

Në rastin e parë të inicuar nga partia opozitare – PDK, në fund të procesit Gjykata Supreme kishte aprovuar kërkesën e ZRRE-së për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimeve të Gjykatës së Apelit dhe të Themelores, të cilat pezullonin vendimin për faturimin e rrymës me tarifa të reja, të vendosura në shkurt, raporton Kosovo.Energy.

Beteja e dytë ligjore ndaj tarifave të reja ishte inicuar nga Komuna e Obiliqit. Në këtë rast, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e ZRRE-së, dhe kësisoji ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës së shkallës së parë, e cila kishte vendosur në favor të masës së përkohshme.

Rritja e importeve dhe çmimit të rrymës në tregje ndikoi edhe në rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Përkundër rritjes, çmimi i rrymës për konsumatorët e rregulluar në Kosovë vazhdon të jetë më i ulti në Evropë.