Bankat qendrore po ndërmarrin rritje të mëdha të normave të interesit për të forcuar monedhat dhe për të luftuar inflacionin

Seria e rritjeve të konsiderueshme të normave të interesit nga Rezerva Federale ka ushtruar presion mbi bankat qendrore në mbarë botën për të ndjekur të njëjtin shembull, në një përpjekje për të përballuar rritjen e inflacionit dhe forcimin e dollarit.

Një analizë e Financial Times zbuloi se bankat qendrore tani, më shumë se në çdo periudhë tjetër të këtij shekull, po bëjnë rritje tepër të mëdha të normave të interesit, prej 50 pikësh bazë ose më shumë, duke nxjerrë në pah sfidat e përballimit të presioneve të çmimeve dhe të normave më të larta në SHBA.

Rritjet e normave të interesit nga Fed, duke përfshirë edhe rritjen e saj të parë me 75 pikë bazë që nga viti 1994, si dhe frika lidhur me shëndetin e ekonomisë globale, kanë forcuar dollarin amerikan kundrejt pothuajse të gjitha monedhave të tjera. Meqenëse shumica e mallrave vlerësohen në dollarë në tregjet ndërkombëtare, forcimi i kësaj monedhe shton akoma më tepër presionet e inflacionit, duke rritur koston e importeve. Në këtë mënyrë, krijohet ajo që analistët e kanë përshkruar si “lufta e ndërsjelltë valutore” midis atyre që vendosin për politikat monetare.

Reklama e sponzorizuar

“Ne jemi dëshmitarë të një rritjeje të furishme të normës së interesit,” tha James Athey, menaxher portofolit në Abrdn, një kompani investimesh. “Është tërësisht e kundërta e asaj që pamë në dekadën e fundit… Në ditët e sotme, gjëja e fundit që dikush do të dëshironte është një monedhë e dobët.”

Politikëbërësit në Kanada ishin të fundit që befasuan tregjet me një rritje më të madhe të normës nga sa pritej, duke vendosur për një rritje prej 100 pikësh bazë të mërkurën, rritja më e madhe në të gjitha ekonomitë e G7 që nga viti 1998. Të nesërmen, Filipinet ngritën normat e interesit me 75 pikë bazë.

Përgjatë tremujorit të dytë janë bërë 62 rritje të normave të interesit me të paktën 50 pikë bazë nga 55 banka qendrore, sipas Financial Times. Plot 17 rritje të tjera të mëdha prej 50 pikësh bazë ose më shumë janë bërë deri në këtë periudhë të korrikut, duke shënuar kështu numrin më të madh të ndryshimeve të normave të interesit në çdo periudhë që nga fillimi i këtij mijëvjeçari, si dhe duke eklipsuar ciklin më të fundit monetar kontraktues në rang global, i cili shkaktoi krizën financiare globale.

Bankat qendrore në vendet me ekspozim të lartë ndaj presionit të tregut valutor kanë rritur normat në përmasa tepër të mëdha. Hungaria spikat, me normën bazë të politikës që është rritur me 385 pikë bazë në vetëm dy muaj, ndërkohë që vendi përballet me inflacionin dhe me një rënie të vlerës së monedhës vendase kundrejt dollarit që ka arritur tashmë norma dyshifrore.

Komponenti i kursit të këmbimit është i rëndësishëm në vendimmarrjen e politikës monetare për shumë prej tregjeve në zhvillim, tha Jennifer McKeown, drejtuese e shërbimit të ekonomisë globale në Capital Economics. Këto tregje përfshijnë disa ekonomi në Europën në zhvillim, monedhat e të cilave janë goditur si rezultat i problemeve të luftës në Ukrainë, si dhe për shkak të një mjedisi të përgjithshëm në treg ku investitorët tentojnë të mos ekspozohen ndaj riskut, tha ajo.

Por, ky trend po përhapet gjerësisht dhe ka prekur bankat qendrore edhe në vendet më të pasura. Banka qendrore e Koresë së Jugut bëri rritjen e saj të parë me 50 pikë bazë në muajin korrik.

Shumë nga këto ndryshime të mëdha i kanë vendosur investitorët përballë vështirësive, duke përfshirë vende si Australia, Norvegjia, si dhe Zvicra, ku banka qendrore papritur bëri një rritje prej 50 pikësh bazë në qershor. Tregjet kishin parashikuar se Banka Kombëtare Zviceriane, e cila tradicionalisht ka pasur norma më të ulëta të interesit, do të priste deri në fund të vitit përpara se të rriste normën bazë, por shqetësimet për inflacionin dhe kursin e këmbimit i bënë politikëbërësit që të vepronin më shpejt.

Në shumicën e ekonomive të përparuara, normat po pësojnë rrite nga nivelet më të ulëta të të gjitha kohërave, duke ndjekur lehtësimin agresiv që ndërmorën bankat qendrore gjatë muajve të parë të pandemisë Covid-19. Megjithëse normat mbeten ende të ulëta krahasuar me standardet historike, ekonomistët presin që disa banka qendrore të mëdha të rrisin normat e interesit me 50 pikë bazë ose me 75 pikë bazë në takimet e tyre të ardhshme për përcaktimin e normave, duke i bërë kështu kostot e huamarrjes që të arrijnë nivele më të përafërta me mesataret afatgjata.

McKeown tha se bankat qendrore duhej të vepronin sa më shpejt për të mos pasur norma “stimuluese”, “veçanërisht në rrethanat ku pagat dhe pritshmëritë për inflacionin janë në rritje, duke llogaritur rrezikun që mosveprimi në këto kushte do të mundësonte spiralet e çmimeve dhe të pagave”.

Banka e Anglisë dhe Banka Qendrore Europiane nuk kanë bërë ende rritje kaq të mëdha të normave. Megjithatë, Matthew Ryan, analist i tregut në firmën globale të shërbimeve financiare Ebury, tha se BoE “ka të ngjarë të bëjë një rritje prej 50 pikësh bazë, në mënyrë që të rrisë vlerën e paundit nga nivelet aktuale ku ka rënë”.

Euro u barazua me dollarin javën e kaluar, por BQE, e cila mblidhet më 21 korrik, pritet të rrisë normat me një shifër më modeste prej 25 pikësh bazë.

Të dhënat për rritjen e punësimit dhe nivelin e inflacionit më të lartë nga sa pritej për muajin qershor kanë përforcuar pritshmëritë për një tjetër rritje të madhe të normës së interesit nga Fed në takimin e ardhshëm më 27 korrik. Tregjet madje po vlerësojnë me një probabilitet prej 40 për qind mundësinë për një rritje me një pikë të plotë përqindjeje dhe presin që targeti i fondeve federale të variojë nga 3.5 për qind në 3.75 për qind deri në fund të këtij viti.

Rritjet e mëtejshme nga Fed do të ushtrojnë presion mbi shumë tregje në zhvillim për të ruajtur të njëjtin ritëm, edhe pse shumë prej këtyre tregjeve në fakt filluan të shtrëngojnë politikat e tyre monetare që vitin e kaluar, më shpejt sesa ekonomitë e përparuara.

Agustín Carstens, menaxher i përgjithshëm në Bank for International Settlements, tha në një konferencë të fundit të organizuar nga BQE se tregjet në zhvillim i kishin “marrë mësimet” nga ciklet e mëparshme shtrënguese të SHBA. Ai tha që, edhe pse tradicionalisht tregjet në zhvillim do t’i rrisnin normat e interesit pas bankave qendrore në ekonomitë e përparuara, “tani këto tregje filluan shumë më herët se ekonomitë e zhvilluara dhe mund të vini re se kanë arritur të ruajnë një nivel mjaft të qëndrueshëm në normat e tyre të kursit të këmbimit”. /Financial Times/