Në këto ditë të vështira, gjithkush kalon në mendime ekonominë, se si do të lëvizë dhe si ekonomia personale dhe e përgjithshme po ndikohet nga e gjithë kjo.
Kjo temë shoqëron çdo diskutim shëndeti, edhe pse shëndeti do ekonomi që të jetë në formë, edhe pse kemi shprehjen “ Shëndeti në rradhë të parë”. Të dyja temat, përgjatë 2020, janë bërë të pandashme: veza pulën apo pula vezën.
Gjithsecili mendon për buxhetin personal dhe atë familjar. Por, sa nga ne në të vërtetë mbajnë një buxhet? Sa nga ne mund të dinë ç’është buxheti? Sa nga ne mendojmë se buxheti i shkruar është vetëm për shtetin, korporatat dhe kompanitë? Sa nga ne dinë vërtetë se ku shkojnë paratë?
Jam i sigurtë që shumë që kanë studiuar financë mund t’u përgjigjen pyetjeve, por gjithashtu kam një siguri që shumë thonë: PO, bëj buxhet, por me mendje. Por, mendja ka një të mirë dhe një të keqe: harron.
Buxheti i vërtetë është të mbajmë të shkruar të ardhurat dhe shpenzimet fikse dhe të ndryshueshme. Të shpërndajmë të ardhurat sipas prioritetit dhe t’i kontrrollojmë ato. Të shikojmë cilat nga shpenzimet nuk janë nevojë, por dëshirë dhe cilat mund të plotësohen në një moment të dytë. Rishpërndarje e fondeve, ku një shpenzim i caktuar mund të ndryshojë prioritet gjatë periudhës, muajit buxhetor. Rishpërndarja ndodh brenda zërave të shpenzimeve duke mos prekur fondet e emergjencë dhe kursimeve, vetëm në rastet kur e vlerësojmë të pamundur. Një ndër zërat kryesor në buxhet duhet të jetë fondi i emergjencës, i cili ka fonde për të paktën 3 muaj të shpenzimeve jetësore.
- Ndaj dhe përcakto rëndësinë e shpenzimeve
- Rishpërnda gjatë periudhës brenda shpenzimeve dhe mos lëviz emergjencën dhe kursimet
Buxheti nuk është të qëndrosh në zonën e komoditetit, por është t’u japësh rëndësi nevojave dhe të vendosësh objektiva për ndryshim. Nuk të jep titullin dorështrënguar, por i planifikuar. Buxheti nuk është kufizues. Nuk do shpenzojmë më pak, por do të shpenzojmë me zgjuarsi. Ndjekja e buxhetit i jep çdo kujt një pamje të gjerë dhe të saktë, të shëndetit të financave tona.
Një buxhet i mirë i jep përgjigje pyetjes: ku na shkojnë paratë. Ai është një dritë në rrugën e financave tona dhe nuk do të shpenzojmë verbërisht, por me prioritet, duke shënuar shpenzimet dhe duke i dhënë detyra parasë sonë. Kjo bën që shpenzimet tona të mos bëhen sipas gjendies emocionale, për të ngritur humorin për një çast, vetëm momentin e blerjes. Shpenzimet më të shpeshta ndodhin kur gjendja, morali jonë na ka rënë dhe mundohemi ta rregullojmë me kënaqësinë që na jep diçka e re.
Kujtojmë Apple në rëndësinë që i jep paketimit. Kompania ka një dhomë sekrete, të prototipëve të mundshme të paketimeve. Hapja e një produkti të ri është momenti më eksitues, bën histori.
- Shpenzo mençurisht
- Krijo plan dhe qëllime; vendosi qëllimet dhe qëndroj atyre
- Vendos dhe qëndro i pa lëkundur
Po të vendosim me veten që do rritemi dhe ta kultivojmë këtë ide, që ne mund të rrisim të ardhurat dhe nuk ka limit.Dhe që limiti ekziston vetëm në mëndjen tonë dhe mundësitë i krijojmë.
Suksesi nuk është të bësh diçka të caktuar, është të bësh diçka në një mënyrë të caktuar. Do vijë koha që blerjet dhe pushimet do jenë gjithmonë të përballueshme.
Krahas planit financiar, krijimi i buxhetit, planit dhe qëllimeve personale (biznes personal, ndjekja e nje kursi te ri etj.) që duam të arrijmë, duke i qëndruar me fanatizëm, disiplinë, do jenë barometrat e arritjeve personale. Mungesa e planeve dhe qëllimeve të mëdha, është problemi dhe jo arritja e planeve, dhe nëse ka, veprimi kundrejt tij. Buxheti nuk është vetëm kur të ardhurat janë super të mëdha, por për çfarëdo niveli. Buxheti duhet parë si një mjet që na jep kontroll, na rikujton stabilitet, që mund të arrijmë çdo gjë, nëse e bëjmë pjesë të planit tone dhe të objektivave që duam ti arrijmë.
Earl Nightngale, e sjell shumë bukur ligjin e kompensimit, e bazon në tre pika.Sasia e të ardhurave që ju merrni është në raport të drejtpërdrejt me kontributin, shërbimin që jepni:
I Nevoja për atë çfarë ti bën
II Aftësia juaj për ta bërë atë
III Dhe vështirësia për t’ju zëvendësuar
Këshilla mbi buxhetin:
– Gjej një qëllim financiar që do të arrish dhe ta financosh çdo muaj.
– Krijo një fond emergjence / ku zakonisht duhet të jetë 3–6 muaj të shpenzimeve fikse jetësore.
– Ruaj 1/10 e të ardhurave, pastaj ndaji tek qëllimet që do të arrish pasi ke caktuar rëndësinë.
– Çdo ditë shkruaj 3–5 ide, se çfarë mund të bësh për të krijuar të ardhura, burime të reja.
– Përmirëso veten çdo ditë me diçka të re, rrit kontributin tënd. (Shkruar nga Mario Korra) /businessmag.al/