Ekspertët: Prodhuesit kosovarë duhet të jenë më agresivë me marketing për tregun në Shqipëri

Heqjen e tarifave doganore për mallrat nga Kosova për në Shqipëri, njohësit e çështjeve ekonomike në vend po e vlerësojnë si hap të duhur për të dy shtetet. Por ata po kërkojë që të ketë më shumë bashkëpunim, duke marrë për bazë edhe lehtësirat doganore të miratuara kohët e fundit nga të dyja vendet.

Kjo pasi për pesë muajt e parë të këtij viti nga Shqipëria u eksportuan 132 milionë euro mallra, ndërsa importi arriti vlerën e 49 milionë eurove.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve Ekonomia Online Shahini, tha se vetëm vitin e kaluar shkëmbimet tregtare kishin arritur vlerën e 400 milionë euro, prandaj kjo është mundësi për të rritur shërbimet tregtare, shtuar kësaj që tani nuk ka as kufi e as kolona në dogana.

Reklama e sponzorizuar

“Kosova është një nga shtetet që më së shumti eksporton në Shqipëri, sa i përket eksporteve Kosova është numër një i eksporteve të Kosovës në Shqipëri. Sa i përket importeve të Shqipërisë, është Italia, Greqia, më pas Kosova për shkak se ata marrin edhe për shkak të afërsisë dhe fuqisë prodhueseve të këtyre shteteve. Por, kjo është mundësi e mirë e të dy anëve të ekonomisë të të dy shteteve, për të rritur shkëmbimet tregtare, për të tejkaluar atë të vitit të kaluar që ishte mbi 400 milionë shkëmbi, tregtar”, ka thënë ai.

Por sipas Shahinit, prodhuesit vendës duhet jenë më “agresivë” me marketing, prezencë e duke siguruar distributor serioz për të marrë treg në Shqipëri.

“Kosova tashmë e ka një treg të hapur një treg të lirë në Shqipëri dhe prodhuesit vendor duhet tashmë t’ia mësyjnë më shumë, në formë më agresive të marrin treg në Shqipëri, kur të kohet parasysh se pushuesit kosovar tashmë janë në plazhet e Shqipërisë dhe ata konsumojnë produkteve vendore, kosovare”.

“Duke i nxitur edhe konsumatorët nga Shqipëria, për konsum të prodhimeve të Kosovës, për shkak se Kosova i konsumon prodhimet e Shqipërisë. Atje, prodhuesit vendor të Kosovës, duhet të jenë më agresiv me marketing dhe me prezencë, duke gjetur edhe distributor serioz për të marrë treg”.

Kryetari i AKB-së, thotë se shumë punëtorë nga Kosova shkojnë në Shqipëri për të punuar sidomos në gastronomi. Për këtë, Shahini thotë duhet të ketë kujdes sa i përket fuqisë punëtore, sepse mund të ketë mungesa.

Musa Limani, ish-këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në një intervistë për Ekonomia Online tha se ky është një hap drejt formimit të tregut unik shqiptar-shqiptar dhe se leverdia është e dyanshme.

Këtë nismë, përpos interesit ekonomik, Limani e konsideron edhe si efekt pozitiv në aspektin politik.

“Unë i përgëzoj qeveritë tona që e kanë bërë një hap të tillë dhe ky paraqet hapin më të madh drejt formimit të tregut unik shqiptaro-shqiptar. Prandaj, kjo na duhet neve shqiptarëve, të kemi një treg të përbashkët e jo Ballkani i Hapur. Nga ky vendim përfitojnë si ndërmarrjet e Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë, për arsye se Shqipëria eksporton mallra të cilat janë pemë e perime etj, të cilat janë më të hershme se në Kosovë dhe Kosova eksporton në Shqipëri siç janë rasti i patateve etj”.

“Leverdia është e dyanshme, si për ekonominë e Shqipërisë ashtu edhe për ekonominë e Kosovës dhe do të thosha është me interes të veçantë për ekonominë kombëtare, dhe për mua si ekonomist nuk paraqet vetëm efekt pozitiv ekonomik, por shumë më tepër atë politik”, ka thënë ai.

Këtë muaj, Qeveria i Shqipërisë ka vendosur që të heqë tarifat doganore për mallrat që kalojnë përmes pikave kufitare shqiptare, të cilat e kanë origjinë nga Kosova. /EO