Hoti i ashpër me Qeverinë: S’ka vend në botë ku inflacioni luftohet me ligje, e për më tepër ligji juaj s’hyn në fuqi deri në nëntor

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë në lidhje me Projekt-Ligjin e propozuar sot në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë me prani fizike të kryeministrit. Çka po thotë Hoti?

Hoti është shprehur se “në asnjë vend demokratik dhe me ekonomi të tregut, inflacioni nuk mund të luftohet me ligje, por me politika fiskale dhe monetare.”

Si pikë të dytë të kundërshtimit, z. Hoti ka përmendur “procedurat e miratimit të këtij ligji që marrin së paku tre muaj.”

Reklama e sponzorizuar

Në bazë të kësaj, ligji do të hyjë në fuqi në muajin nëntor të këtij viti.

“E them me keqardhje se kjo qasje për luftimin e inflacionit është jokushtetuese dhe aspak profesionale, pasojat e së cilës do të vazhdojmë t’i bartim të gjithë. Me masat që kemi propozuar si LDK para tre muajsh, barra do të ishte shumë më e vogël për qytetarët.” – thotë z. Hoti.

Statusi i plotë:

Sot, Qeveria në vend se të ndërmarrë veprime konkrete për të zbutur krizën nga inflacioni, propozon një projektligj.

E para, në asnjë vend demokratik dhe me ekonomi të tregut, inflacioni nuk mund të luftohet me ligje, por me politika fiskale dhe monetare.

E dyta, edhe pse kjo qasje bie në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut, procedurat e miratimit të këtij ligji marrin së paku tre muaj. Pra, po flasim për muajin nëntor kur ky ligj në rastin më të mirë mund të hyj në fuqi.

E them me keqardhje se kjo qasje për luftimin e inflacionit është jokushtetuese dhe aspak profesionale, pasojat e së cilës do të vazhdojmë t’i bartim të gjithë. Me masat që kemi propozuar si LDK para tre muajsh, barra do të ishte shumë më e vogël për qytetarët.