Inflacioni po nxitet nga kriza ushqimore dhe ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit, fillimisht gjatë pandemisë dhe tani për shkak të luftës në Ukrainë, duke shtuar frikën e stagflacionit në të gjithë botën.
Parashikimet e inflacionit janë rishikuar vazhdimisht, duke u rritur në gjysmën e parë të këtij viti, ndërkohë që bankat qendrore nuk po arrijnë ta luftojnë atë me rritjet agresive të normave të interesit.
“Ekonomitë në Europën Qendrore dhe Lindore po përjetojnë periudhën më të keqe të inflacionit që nga fundi i viteve 1990, pasi rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë i ka shtuar presionet e forta të çmimeve për një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh.
Ciklet e shtrëngimit monetar ka të ngjarë të vazhdojnë me rritjen e normave të interesit në 8% ose më shumë, gjatë muajve të ardhshëm dhe ne mendojmë se normat do të mbeten të larta për disa vite”, tha Liam Peach, një ekonomist tregu në firmën Capital Economics.
Normat e inflacionit janë rritur në nivele të papara që nga vitet 1990. Inflacioni total në Çeki u rrit nga 11.1% në bazë vjetore në shkurt, në 16.0% në bazë vjetore në maj – niveli më i lartë që nga viti 1993.
Polonia po humb gjithashtu betejën për të kontrolluar rritjen e çmimeve, pasi norma totale u rrit nga 8.5% në 13.9%, në të njëjtën periudhë. Dhe në Hungari, inflacioni u rrit në një masë të ngjashme nga 8.3%, në 10.7%.
“Këto norma kanë tejkaluar pritshmëritë dhe tani janë në nivelin më të lartë që nga vitet 1990. Në shtetet baltike, inflacioni është afër nivelit 20% në bazë vjetore”, tha Peach.
Rritjet e çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë janë shkaktarët kryesorë, që përbëjnë 85% të rritjes së inflacionit në Poloni që nga shkurti dhe 70-75% në Çeki dhe Hungari, llogarit Capital Economics.
Inflacioni i çmimeve të ushqimeve është rritur në normat 15-20% në bazë vjetore, kryesisht për shkak të ndërprerjeve të furnizimit që janë përkeqësuar nga lufta në Ukrainë.
Inflacioni i çmimeve të drithërave dhe vajrave bimore është përshpejtuar në mënyrë të habitshme, inflacioni i çmimit të mishit në Poloni është në shkallën më të lartë që nga vitet 1990 dhe inflacioni i çmimeve të produkteve të qumështit në Hungari, është në nivelin më të lartë në të paktën dy dekada, raporton Capital Economics.
Lufta, dhe veçanërisht përpjekja për të sanksionuar eksportet ruse të naftës dhe gazit, ka rritur gjithashtu çmimet e energjisë, duke nxitur inflacionin në shumicën e vendeve të botës. Kjo ka rritur ndjeshëm çmimin e karburanteve dhe faturat e shërbimeve.
Inflacioni i çmimit të karburantit është më shumë se 30% në bazë vjetore në Çeki dhe në Rumani. Inflacioni i IÇK-së (Indeksi i Çmimeve të Konsumit) të gazit, varion nga 50% në bazë vjetore në Poloni dhe Çeki, në 85% në bazë vjetore në Rumani dhe plot 200% në bazë vjetore në Estoni, raporton Capital Economics. Në Poloni, çmimet e qymyrit janë rritur dhe kontributi në inflacion nga “karburantet e ngurta” tani është sa dyfishi i gazit.
“Ndërsa çmimet e energjisë janë rritur në të gjithë rajonin, mbështetja e qeverisë ka qenë efektive në mbrojtjen e familjeve në disa vende. Inflacioni i çmimit të gazit është më pak se 20% në bazë vjetore në Kroaci dhe Sllovaki. Qeveria e Hungarisë ka kufizuar faturat e shërbimeve që nga viti 2014 dhe ka vendosur një kufi të çmimit të karburantit në nëntor”, thotë Peach.
“Në të ardhmen, ne mendojmë se inflacioni i çmimit të ushqimit dhe energjisë do të rritet më tej këtë vit. Inflacioni i çmimit të karburantit motorik pritet të arrijë kulmin së shpejti, nëse çmimet e naftës bien nga 113 dollarë për fuçi tani, në 100 dollarë për fuçi, deri në fund të vitit. Por kjo do të kompensohet nga inflacioni më i lartë i çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve”, shtoi Peach.
Inflacioni i ushqimeve ka më pak gjasa të ulet, pasi furnizimet e reduktuara të drithërave, ndikojnë në të gjithë kompleksin ushqimor.
Ndërsa çmimi i drithërave dhe vajrave bimore do të rritet me ndërprerjen e furnizimeve që vijnë nga Ukraina, roli që luajnë drithërat si ushqim për kafshët, do të ndikojë që të rritet gjithashtu edhe kostoja e mishit dhe e shpendëve. Çmimi i mishit të derrit në Poloni duket se do të rritet, thotë Peach, i cili shton se parashikon që inflacioni i çmimeve të ushqimeve të rritet në 20-25% në bazë vjetore, së shpejti.
Ndërsa çmimet po rriten nga të gjitha këto goditje në sistem, kanë pasur efekt edhe presione të rregullta inflacioniste, duke shtuar trysninë në rritje të çmimeve, thotë Capital Economics.
“Matja e Eurostat për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), duke përjashtuar ushqimin dhe energjinë, është rritur në nivelet më të larta të disa dekadave, duke arritur në 9% në Poloni dhe Hungari dhe 12% në bazë vjetore në Çeki”, thotë Peach.
Këto presione po shtohen, ndërsa çmimet e shumicës së mallrave dhe shërbimeve po rriten me ritmet më të shpejta që nga vitet 1990. Inflacioni i çmimeve të mallrave është veçanërisht i fortë në Çeki dhe Hungari, ndërsa inflacioni i çmimeve të shërbimeve është më i fortë në Poloni, për shkak të tregut të saj më të shtrënguar të punës, raporton Capital Economics.
“Megjithatë, inflacioni i çmimit të qirasë së banesave është rritur kudo, gjë që është veçanërisht shqetësuese, pasi kjo reflekton praninë e presioneve më të qëndrueshme të çmimeve”, thotë Peach.
Nuk dihet me siguri se për sa kohë do të vazhdojë inflacioni. Ironikisht, ishin pikërisht vendet e Europës Lindore ato që dhanë sinjalin e alarmit, pasi Ukraina ndryshoi politikën monetare me një rritje të normës së interesit në prill të vitit të kaluar, dhe ky veprim u ndoq menjëherë nga guvernatorja e bankës qendrore ruse CBR, Elvia Nabiullina, në maj.
Nabiullina, e quajtur “bankierja qendrore më konservatore në botë”, paralajmëroi që në fillim se besonte se presionet inflacioniste ishin më të mëdha dhe më të vazhdueshme se sa mendohej, dhe ajo kishte të drejtë.
Falë fillimit të tyre të hershëm, si Banka Kombëtare e Ukrainës (NBU), ashtu edhe banka ruse CBR, mendohet se janë më afër fundit të ciklit të tyre shtrëngues, ndërsa shumica e bankave të tjera qendrore në EQL, janë ende në fazat e hershme.
Peach parashikon se presioni do të ulet vitin e ardhshëm pasi ekonomia globale do të përshtatet me realitetet e reja. Për shembull, megjithëse Rusia dhe Ukraina përbëjnë së bashku rreth 30% të tregtisë globale të grurit, ato përbëjnë më pak se 1% të prodhimit global të drithërave – një fakt që presidenti rus Vladimir Putin e përmend shpesh për të minimizuar fajin e Rusisë në rritjen e çmimit të drithërave këtë vit.
Ndërkohë që fermerët do të rrisin sasinë e drithërave të mbjella vitin e ardhshëm, presioni mbi furnizimin pritet të ulet ndjeshëm.
“Lehtësimi i mungesës së furnizimit pritet të ulë inflacionin e mallrave vitin e ardhshëm, por inflacioni i çmimeve të shërbimeve ka të ngjarë të qëndrojë i lartë dhe ne mendojmë se inflacioni do të mbetet mbi nivelin 10%, edhe në vitin 2023”, thotë Peach.
Ndërkohë, vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, do të duhet të vazhdojnë të rrisin normat e interesit dhe kjo ndoshta do të shkaktojë si rezultat një recesion pan-rajonal.
“Ne mendojmë se bankat qendrore do të shtrëngojnë edhe më tej politikën monetare, dhe normat do të rriten në 8% në Hungari dhe Poloni dhe në 7% në Çeki, në muajt e ardhshëm. Parashikimet tona për inflacionin dhe normat e interesit në përgjithësi, qëndrojnë mbi konsensusin e përcaktuar”, thotë Peach.
“Pasi të kalojnë këto goditje çmimesh, ne mendojmë se normat do të ulen nga mesi i vitit 2023. Por ekziston rreziku që efektet e raundit të dytë të bëhen më të forta dhe inflacioni i lartë të bëhet i qëndrueshëm.
Si rezultat, ne mendojmë se bankat qendrore do ta mbajnë politikën të shtrënguar për disa vite, duke i mbajtur normat e interesit mbi nivelet e tyre neutrale, të paktën deri në vitin 2024”, përfundon Peach.