“Kosovën po e braktis ‘truri’”, thirrje Qeverisë ta ndalojë ikjen e të rinjve – rreziku që vendi të mbetet pa punëtorë

Ikja e qytetarëve nga Kosova po bëhet gjithnjë e më shqetësuese.

Mungesa e vendeve të punës, kushtet jo të mira të punës e pagat e ulëta po i detyrojnë sidomos të rinjtë që të largohen nga Kosova, për një jetë më të mirë në vendet e perëndimit.

Shqetësues po konsiderohet fakti se vendin e lënë punëtorët e profileve të ndryshme, të cilëve u duhen vite për ta arritur atë nivel.

Reklama e sponzorizuar

Lidhur me trendin e ikjes së qytetarëve nga Kosova dhe një plan të mundshëm nga ana e Qeverisë për ndaljen e tij, Gazeta Blic ka dërguar pyetje në Qeveri, por që nuk ka marrë përgjigje.

E, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve, thotë për Gazeta Blic se përpos qeverisë, në ikjen e qytetarëve ka vërejtje edhe për pronarët e kompanive private.

Ai thekson se që nga viti 2015 e deri tani po ikin punëtorët e kualifikuar teksa ngreh alarmin se nëse vazhdon ky trend, edhe 3-4 vite në Kosovë nuk do të ketë punëtorë nën moshën 50 vjeçare.

“Realisht ne si sindikatë, edhe institucioneve edhe pronarëve të kompanive ju kemi bërë vërejtjet sepse e kemi parë që një numër i madhi punëtorëve po ikin jashtë Kosovës. Përderisa deri në vitin 2015 ikja ka qenë kryesisht e të rinjve në njëfarë forme, por që nga viti 2015 e deri tani është i theksuar ikja e punëtorëve, sepse deri në atë kohë ka qenë ikja e të rinjve për shkaqe se nuk kanë pasur vende të punës kurse tani është ikja e punëtorëve të profileve të ndryshme, të cilët janë të kualifikuar. Sado që po shkruhet për këtë çështje, nuk po shihet gjendja reale pasi ikja e punëtorëve është shumë shqetësuese dhe nëse vazhdon kështu me këtë trend, edhe 3-4 vjet nuk do të ketë punëtor nën 50 vjeç që do të qëndrojë në Kosovë. Është humbje shumë e madhe pasi për tu kualifikuar një punëtor për një profil të caktuar duhet të kalojë në disa shkallë dhe në momentin kur këtë po e arrijnë, janë të obliguar që të largohen, jo për shkak të dëshirës së tyre, pasi që më nuk është çështje sociale dhe njerëzit po gjejnë rrugë tjera pasi duan që ta kenë një pleqëri më komode dhe gjatë gjithë jetës të mos punohet vetëm për një kafshatë bukë por janë edhe segmente tjera që duan t’i përmbushin gjatë jetës së vet”, vlerëson Azemi.

Ai shton se qeveritë pa përjashtim deri tani dhe pronarët e kompanive private e kanë humbur hapin dhe se duhet punuar që të kthehet besimi te punëtorët.

“Të bëhemi shumë real, edhe qeveria por edhe pronarët e kompanive e kanë humbur hapin dhe atë shumë larg. Çfarë duhet të bëhet? Fillimisht duhet kthyer besimin e punëtorëve, qeveritë tona që unë nuk i ndaj nga e para deri te e fundit, nuk janë marrë fare me këtë çështje, nuk e kanë trajtuar këtë problem serioz dhe ne nuk ka shumë kohë”, potencon Azemi.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve tregon se ditë më parë kanë bërë kërkesë te ministri Hekun Murati, për një plan të përbashkët se si ta ndalojnë trendin e ikjes së qytetarëve dhe kthimin e besimit te ta, por që sipas tij, qeveria nuk ka interesim ta bëjë këtë.

“Para 4-5 ditësh ministrit të financave i kemi kërkuar që ta kemi një program të përbashkët, si të dilet bashkërisht njëfarë forme dhe nëse mund ta kthejmë besimin e punëtorëve, me rritjen e pagave dhe kushteve më të mira për këta punëtorë. Të shihen rezultatet për afat 2-3 mujor. Vet fakti kur qeveria del me një propozim të vetin thotë se duhet ta bëjë pagën minimale 250 euro, unë mendoj se edhe ky është një presion shtesë që punëtorët ta lëshojnë vendin pasi që është shumë normale që nuk mund të jetohet me 250 euro dhe ky fakt pastaj që po shihet se qeveria e as pronarët e kompanive nuk e kanë problemin se si të ndalet ky trend. Ka kaluar një kohë e gjatë dhe njerëzit janë vetëdijesuar dhe po e shohin se nuk po ka sinjale pozitive. Kemi kërkuar që ta kemi një planprogram të përbashkët që të dilet në opinion dhe t’i thërrasim punëtorët që të presin edhe 2-3 muaj dhe t’i shohin rezultatet. Por këtë qeveria nuk është e gatshme ta bëjë siç po shihet”, deklaron Jusuf Azemi për Gazeta Blic.

Edhe profesori dhe eksperti i ekonomisë, Musa Limani, e sheh shqetësuese ikjen e të rinjve nga Kosova, që është fuqi punëtore, e çka thotë se do t’i kushtojë shumë Kosovës pasi atë po e braktis “truri” i vendit.

“1. Migracioni i madh aktual i popullsisë së Kosovës në vendet e Perëndimit e gjetiu është shqetësues. Çka është më e keqja, Kosovën po e lëshojnë rinia që paraqet potencial kryesor të fuqisë punëtore, madje mjekët dhe profilet tjera. Me fjalë të tjera, Kosovën po e braktis “truri”, që në të ardhme të afërt do t’i kushtojë shumë Kosovës. 2. Është rrezik i madh që, së shpejti Kosova do të mbetet pa fuqi punëtore dhe pa mjekë, nëse kështu vazhdon migracioni. 3. Masë kryesore për ndalimin e fluksit të madh të migracionit, është zhvillimi ekonomik. Me ketë rast do të hapen vende të reja pune, do të rrite norma e punësimit dhe me te mirëqenia e popullsisë”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Profesori si masë kryesore për ndaljen e migracionit e sheh rritjen e pagave.

“Ndërkaq, për të ndalur migracionin e mjekëve, si masë kryesore do të ishte niveli adekuat i pagës së tyre. Nuk mund të mbahet një mjek me një pagë 600 euro, kur një deputet merë pagë mbi 2.000 euro. No koment”, shton ai.

Limani tregon masat që duhet t’i marrë Qeveria e Kosovës, për ta ndaluar fluksin e ikjes së qytetarëve në vendet e perëndimit.

“Andaj, Qeveria për të ndaluar fluksin e madh të migracionit të “trurit” nga Kosova, ndër të tjera duhet: 1. Të hartojë dhe zbatojë politikë konsikuente zhvillimore makroekonomike, që nuk e ka tani. 2. Të bëjë nivelizimin e pagave, në mënyrë që ato të jenë ekuivalnte me nivelin arsimor dhe profesional. 3. Të luftojë në maksimum nepotizmin dhe të zbatojë politikë konsekuente kadrivike. 4. Të bëjë reforma rrënjësore ekonomike, duke i fut në funksion masat dhe instrumentet e politikës së zbatuar ekonomike, përkatësisht të nën sistemeve të saja, si: të politikës fiskale, të tregtisë së jashtme dhe to politikës kreditore në zhvillimin e bizneseve vendore, e kështu me radhë”, deklaron profesori Musa Limani.