Liqeni i Badocit në nivelin më të ultë në 23 vjet

Niveli i ujit nëpër liqenet artificiale në Batllavë e Badoc, ka rënë dukshëm, ndërsa gjatë muajve të verës, nëse mungojnë reshjet atmosferike, pritet të bjerë edhe më shumë.

Nga Ujësjellësi “Prishtina” bëjnë thirrje për kursim të ujit, derisa stoku i borxheve në këtë ndërmarrje kap shifrën e 50 milionë eurove, raporton Ekonomia Online.

Temperaturat e larta që kanë prekur vendin tonë, kanë rikthyer një nga shqetësimet e shpeshta në Kosovë rreth rrezikut për rënien e nivelit të ujit në liqenet akumuluese si dhe mungesës së sasisë së mjaftueshme të ujit të pijshëm.

Reklama e sponzorizuar

Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa, thotë për Ekonomia Online se për shkak të temperaturave të larta dhe reshjeve të pakta, Graçanica dhe një pjesë e Prishtinës po përballen me mungesë të ujit.

“Po keni të drejtë për fat të keq viti që shkoi sidomos pjesa e dytë kishim një verë shumë të gjatë dhe të thatë, një lloj po vazhdon edhe këtë vit edhe dimri që karakterizohet me reshje nuk kishte reshje të mjaftueshme. Kjo ka bërë që sidomos, Liqeni i Badocit të ndikohet shumë nga temperaturat e larta, respektivisht thatësia. Ne po mundohemi me të gjitha kapacitetet që kemi të gjithë konsumatorët ti furnizojmë me ujë, por rreziku ose gjasat janë që sidomos qyteza e Graçanicës po edhe “Verniku” veç po përballet me mungesa të ujit, për shkak të konsumit të madh në njërën anë edhe për shkak të mungesës së ujit në burimit. Gjendja sa i përket Liqenit të Batllavës është e mirë dhe është premtuar se nuk do të ketë probleme sa i përket furnizimit prej asaj zone edhe prej Ujmanit po shpresojmë që do të stabilizohet”, ka thënë Xhafa për EO.

Më shumë se gjashtë metra, Xhafa ka thënë se ka rënë niveli në liqenin e Badocit, teksa ka kërkuar nga konsumatorët që mos ta keqpërdorin ujin e pijes.

Xhafa thotë se rënie të tillë të nivelit të ujit për gjashtë metra e më tepër nuk pati për më shumë se 20 vjet.

“Niveli në Liqen të Badocit është minus 6, 8 metra sot që po flasim që është prej niveleve më të ulëta në trendet historike. Vetëm dy vite në këto 23 vite pasluftës ka qenë më keq, por trendi është duke rënë jashtëzakonisht shpejtë por urojmë të ketë reshje, duke iu kërkuar edhe konsumatorëve tanë që ta mirë përdorin ujin, të mos e përdorin ujin për të ujitur tokat bujqësore. I kuptojmë që janë temperaturat të thata dhe i kanë nën kujdes pjesën e të mbjellurave të tyre, por duhet të kemi parasysh që ka konsumatorë që jetojnë në objekte banesore dhe ata nuk kanë alternativë të dytë”, tha ai.

Si pasojë e keqpërdorimeve, më shumë se 20 lëndë janë dërguar Prokurori. Xhafa ka thënë se kanë edhe mungesa të inspektorëve të cilët do të dilnin për të inspektuar këto keqpërdorime.

“Fatkeqësisht keqpërdorues ka shumë sepse si duket ende vazhdon ajo tradita e keqpërdorimit për fat të keq të disa konsumatorëve. Sigurisht pjesa e vetëdijesimit ka filluar të ngritët, jemi detyruar ti dërgojmë shumë lëndë në prokurori. Vetëm javës që shkoi janë dërguar mbi 20 lëndë në prokurori për keqpërdorim të ujit respektivisht veprën penale sipas kodit penal e që është e dënueshme deri në 3 vite burg në rast të keqpërdorimit të ujit, pastaj aplikimi i rregulloreve të autoritetit rregullator duke bërë faturim në aspektin retroaktiv, të gjithë keqpërdoruesit, qofshin amvisëri ose biznese po punojnë me inspektorate tona. Fati i keq është që nuk kemi numër të punonjësve për të dalë në terren dhe inspektu. Por, jemi duke e rishikuar brenda për brenda ndërmarrjes që të marrim aksione dhe veprime me të cilat edhe stafi që kanë obligime të tjera, herë pas here të asistojmë sidomos në herët e hershme të mëngjesit dhe në orët e darkës”, tha tutje ai.

Problematikë e madhe në këtë ndërmarrje është edhe borxhi që kanë konsumatorët. Sipas Xhafës, borxheve të konsumatorëve në këtë ndërmarrje kap shifrën e 50 milionë eurove, teksa shton se borxhi po vazhdon të rritet pasi konsumatorët nuk po i paguajnë as faturat e shpërndara.

“Pjesa e borxheve është problematika e cila rrezikon më së shumti ndërmarrjen sepse në fund të fundit ne, të vetmen të hyrë që e kemi e kemi nga pagesat e konsumatorëve. Këtë vit e kemi filluar shumë mirë në tre mujorin e parë. Tre mujori i dytë është jashtëzakonisht keq, nëse e krahasojmë me trendet e viteve që shkoi, po e abstrahojmë pjesën e pandemisë në vitin 2020 atëherë kur ka lëvizur disponimi i qytetarëve. Mirëpo, pagesat janë keq, janë afro 50 milionë euro, borxh i akumuluar që nga pas lufta, që është vërtetë alarmante si shumë. Por, fati i keq është që edhe faturat tani për tani që po i shpërndajmë te konsumatorët nuk po paguhen mjaftueshëm. Ky muaj faturimi është shumë, shumë i ulët po shpresojmë të rikuperojmë në muajt vijues, gjithmonë duke i rikujtuar konsumatorët që kanë mundësi për riprogramim borxhi”, tha Xhafa për EO.

Në fund, ai ka thënë se fatura mesatare në nivel të ndërmarrjes është 12 euro në muaj dhe nuk ka asnjë shërbim tjetër që mund të ofrohet me këtë shifër.