Murati: Benzina u lirua për 30 centë, duhet të ketë tavan çmimi edhe për bukën e artikujt tjerë

Hekuran Murati-Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka paralajmëruar caktim të çmimit tavan për artikujt esencialë, pasi tha se po vazhdon abuzimi me çmime.

Murati tha se çmimi tavan për produktet e naftës tashmë po ka efekt, dhe një metodë e njëjtë tha se mund të përdoret edhe në ndërhyrjen që Qeveria planifikon ta bëjë në çmimet e produkteve bazike.

“Ju siç e keni pa, një vendim që tashmë është marrë për çmimin tavan të karburanteve tashmë po ka efekt. Krahasuar me periudhën para se të merrej vendimi, çmimi për naftë tash është diku 20 cent më i lirë, çmimi për benzinë është 30 cent më i lirë. Pra, e kemi parë se funksionon një metodë e tillë dhe një gjë e tillë do të mund të replikohej edhe për disa prej produkteve bazë. Pra, që të caktohet një marzhë maksimale e fitimit dhe në bazë të asaj të caktohet një çmim tavan që të parandalohen abuzimet me çmimet e produkteve bazë”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Ministri tha se kjo masë nuk do ta shkelte Kushtetutën, që e përcakton Kosovën si ekenomi të lirë të tregut, pasi tha se ajo “po ashtu parasheh edhe dinjitetin dhe mirëqenien njerëzore.

“Nuk mund të ketë shkelje të Kushtetutës. Kushtetuta po ashtu parasheh edhe dinjitetin dhe mirëqenien njerëzore. Pra, d.m.th. sa herë që dinjiteti dhe mirëqenia njerëzore vihet përballë kushteve dhe kritereve tjera, zakonisht mbizotëron dinjiteti dhe mirëqenia njerëzore”, tha Murati.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, javën e kaluar tha se në disa vende është shtrenjtuar buka, pacarësisht se çmimet e grurit dhe miellit “kanë rënë për 7%”.

Hajdari tha se po e analizojnë situatën në treg dhe lëvizjen e çmimeve të produkteve esenciale ndërsa njoftoi se e kanë krijuar një grup të dytë punues për masën ligjore për produktet esenciale.

Ky grup do të analizojë se çfarë masa ligjore duhet të merren për produkte si gruri, mielli, buka, sheqeri, orizi, kripa, vezët, sapuni, etj. /Express/