Rritja e çmimeve të materialit ndërtimor po shihet si pengesë për investime në infrastrukturë publike në Kosovë. Kështu po thonë zëra nga partia në pushtet – Vetëvendosje.
Deputeti i Lëvizjes Vetvëndosje [VV] Enver Haliti, ditë më parë ka thënë në Klan Kosova se arsyeja se pse nuk po investohet aq shumë në rrugë, shkolla dhe spitale, janë çmimet e larta të materialit ndërtimor.
Por, a duhet të ndalen investimet për shkak të rritjes së çmimeve?
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherit kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, për Nacionale ka thënë se nuk mendon që investimet kapitale duhet të ndalen për shkak të rritjes së çmimeve.
Bile, Shala thotë se ka plot mënyra alternative të cilat mund të mos-ndërprejnë punën në projektet kapitale dhe një ndër to sipas tij, mund të jetë rinegocimi i kontratave.
“Çështja e ndërprerjeve të projekteve kapitale është e lidhur me politikat menagjuese të Qeverisë. Janë rreth 6 milionë euro të bllokuar në OSHP (Organi Shqyrtues i Prokurimit) ku për shkak të vonesave që bordi i OSHP-së nuk i ka ndërmarrë të gjitha projektet janë ndërprerë. Në çdo shetet tjetër normal, por edhe te ne, për shkak të inflacionit të lartë, Qeveria do të duhej të rishqyrtonte mundësitë dhe t’i rinegocionte kontrata me kompanitë dhe pse jo të mbështeste kompanitë në projektet që kanë kontrata duke ulur ose subvencionuar për aq sa është inflacionoi, pra ka zgjidhje alternative që projektet mos me u ndalë,” – ka thënë ai.
Shala shton se Qeveria po merret veç me skema sociale dhe nuk trajton probleme tjera.
“Fatkeqësia është që kjo qeveri përveç skemave sociale asgjë tjetër as nuk trajton as nuk njeh”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës Faton Hoxha në një deklaratë të mëparshme për Nacionale kishte thënë se është rritur jashtëzakonisht kostja e ndërtimit.
“Është e pamundur me çmimet që kanë qenë vjet ose para dy viteve me u përfundu një objekt edhe sivjet”, tha Hoxha.
Sipas Hoxhës, Qeveria duhet ta bëjë një moratorium të ndërtimeve publike ose t’i shqyrtojë çmimet.
E ekonomisti, Imer Raçi një një deklaratë për Nacionale ka thënë se ende nuk ka politika dhe strategji për investime tash në kohën kur ka rritje të çmimeve, por ai shton se projektet duhet të vazhdojnë.
“Ende nuk është krijuar një tërësi e artikuluar mirë i prioriteteve të programeve dhe politikave strategjike që do të mund të rregullonte planifikimin dhe realizmin e investimeve kapitale edhe në kohë të rritjeve të çmimeve. Projektet duhet të vazhdojnë pasi që përfitues të drejtpërdrejtë janë qytetarët. Programi i shpenzimeve publike duhet të menaxhohet mirë dhe t’i mundësojë menaxherëve të buxhetit që të bartin mjetet nga projektet e ngecura në ato, zbatimi i të cilëve mund të shpejtohet.”, ka thënë ai.
Raçi thotë se rritja e çmimeve ka rritur të hyrat buxhetore të Qeverisë dhe sipas tij, këto të hyra duhet të shfrytëzohen për qytetarëve.
“Rritja e çmimeve në përgjithësi ka ndikuar në rritjen e të hyrave buxhetore, pra Qeveria ka akumuluar më shumë para sepse rritja e çmimit rrit shumën e taksës së paguar nga qytetaret. Pjesa e akumuluar e buxhetit duhet të shfrytëzohet për qytetarët dhe në të mirë të qytetarëve pra, patjetër duhet të vazhdohet me projektet kapitale e në këtë rast edhe në infrastrukturë. Rëndësia e projekteve kapitale qëndron në nevojën e qytetareve për zhvillim dhe planifikim të zhvillimit të tyre ekonomik dhe social”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kostoja e ndërtimit ka shënuar rritje për 24.6 për qind në tre mujorin e parë 2022 krahasur me tre mujorin e parë të viti 2021.
“Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati ngritje (24.6%) në tremujorin e parë (TM1) 2022 krahasuar me tremujorin e katërt (TM1) 2021. Ngritja e indeksit kryesisht u vërejt te kategoria: materialet (30.4 %), transporti (19.8 %), energjia (13.2%), makineritë (8.6 %), pagat (8.4 %) dhe kostot e tjera (8.2 %).”, thuhet në të dhënat e ASK-së. /Nacionale/