E gjithë veprimtaria e deritashme e komisionit, ose komisioneve për hetimin e krizës energjetike, pos dy-tre mbledhjeve të pakuptimta, me akuza dhe kundërakuza rivalësh politikë, dhe pa asnjë rezultat të vetëm, karakterizohet me ngutinë për të miratuar buxhetin (lexo për të miratuar të ardhura shtesë) për anëtarët e komisionit me para të taksapaguesve të varfër kosovarë. Komisioni, ose komisionet për hetimin e krizës energjetike, nëse duan të qesin në dritë fajin dhe fajtorët për gjendjen – krizën elektroenergjetike në Kosovë, po ua rikujtojmë se nuk e kanë të vështirë ta bëjnë këtë.
Mehmet GJATA
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, ata të opozitës sidomos, humbën shumë kohë duke u treguar në foltoret parlamentare edhe insistues, edhe kërkues, edhe arrogantë në shumë raste, edhe akuzues me e pa argumente karshi pozitës, për të bërë një komision (për hetimin e krizës energjetike në vend). Pas një presioni goxha evident në Parlament, mazhoranca u detyrua në njëfarë mënyre të bëjë kompromisin e kushtëzuar, duke lëshuar ‘pe’ për bërjen e këtij Komisioni që u emërtua si Komisioni hetimor për krizën energjetike.
Por, siç dihet, edhe opozita para se të bëhet kompromisi i pozitës, u kushtëzua me “mbyllje sysh” për bërjen e një komisioni të njëjtë nga radhët e pozitës, që dihet çdo herë dhe kur t’i duhet do t’i shpërfaqë rivalitet komisionit opozitar. Dhe në këtë mënyrë, në Parlamentin e Kosovës tani ka dy komisione hetimore për krizën energjetike që tash e sa muaj ka kapluar republikën tonë. Dhe, nuk është se ky komision, për bërjen e të cilit u humb shumë kohë dhe u bë shumë zhurmë në ambientet parlamentare, deri tash ka bërë ndonjë punë të madhe dhe të afektshme.
Ndoshta, mund të vlerësohet njëfarë pune se Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, tashmë paska votuar listën fillestare të dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim dhe, gjithsesi votimi i buxhetit për këtë komision.
Tashmë, është marrë në pyetje edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila, me gjasë, duke parë njohuritë e mangëta të shumicës së anëtarëve të këtij komisioni dhe jokompetencën e tyre për zhvillimet energjetike në vend në përgjithësi dhe për krizën reale energjetike në veçanti, me pak fjalë, duke paraqitur pozicionin e ekzekutivit për krizën energjetike, e cila sipas saj, po vazhdon ende dhe duke u thënë se “në tetor të vitit të kaluar janë bërë skenarët për përballimin e kësaj krize”, lehtësisht ua ka mbyllë gojën deputetëve të komisionit.
“Siguria e furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëria e çmimeve të energjisë për qytetarët është qëllimi i ministrisë së Ekonomisë”, u tha ajo parlamentarëve dhe me kaq i lumturoi ata.
E gjitha kjo veprimtari, pos edhe ngutisë për të miratuar buxhetin (lexo për të miratuar të ardhura shtesë) për anëtarët e komisionit me para të taksapaguesve të varfër kosovarë, e ka karakterizuar deri tash punën e këtij grupacioni parlamentarësh.
E ka karakterizuar edhe rivaliteti i ashpër politik dhe polemikat me leksik të vrazhdët fyerjesh ndërmjet anëtarëve të komisionit nga pozita dhe opozita, deri në primitivizëm.
Nuk është se janë dëshmuar më shumë për nga rezultati dhe efektshmëria e punës as komisioni tjetër, ai i pozitës pra për hetimin e krizës energjetike në vend. Dhe në bazë të ditëve të para të angazhimit të këtyre komisioneve, por edhe përvojës së deritashme të komisioneve të shumta të Kuvendit, as që duhet pritur ndonjë rrjedhë më të efektshme të këtyre grupacioneve parlamentare. Sepse, këta njerëz, anëtarë të këtyre komisioneve, parlamentarë të Kuvendit të Kosovës, ose janë të verbëruar politikisht në mbrojtje, pa zgjedhur mjete të aspiratave të subjekit politik të cilin e përfaqësojnë, ose janë të padijshëm, injorantë dhe nuk kanë njohuri fare për zhvilimet energjetike në vend, as për ato në të kaluarën as për të tanishmet.
Së paku, në këto mbledhjet e deritashme, nuk dëshmuan se janë edhe aq të informuar dhe se i kanë të qarta ecuritë energjetike të vendit në këto vitet prej kur duan të hetojnë. Po shihet se shumica e anëtarëve të këtyre komisioneve të zhurmshme, nuk kanë as kompetencë intelektuale dhe shkencore, ndërsa për opinionin nuk dihet se a kanë dhe a do të kenë ndonjë kompetencë ligjore për të marrë ndonjë vendim, ndonjë sanksion për fajtorët eventual të zbuluar për krizën energjetike.
Komisioni, pra në vend se të merret me histori dhe akuza me konotacion kryekëput politik për dështimet e deritashme, ndoshta nuk do të bënte keq, të trajtonte së paku politikisht, paralajmërimet e zingjirit KEK, KOSTT, KESCO për ngritje të reja të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, ende pa u bërë 6 muaj nga rritja enorme mbi 100 për qind që ndodhi në shkurt të këtij viti.
Të trajtojnë, në kuadër të angazhimeve parlamentare edhe heshtjen dhe miratimin e nënzëshëm nga ZRRE-ja të kësaj kërkese për çmime të reja të ngritura të ZRRE-së, por edhe të trajtojnë neglizhimin e ndërmarrjes së masave të mundshme nga ana e Qeverisë për të zbutur sadopak pasojat e krizës energjetike aktuale dhe neglizhimin tejmase për të ndërmarrë ndonjë veprim për të sigruar energji të nevojshme elektrike për muajt e dimrit.
Po del sheshit që Komisionet, veçmas komisioni parlamentar i opozitës për hetimin e krizës energjetike, nga i cili pritej me shumë të merret me trajtimin e zhvillimeve dhe paralajmërimeve aktuale për ngritje të reja çmimesh energjetike nga KESCO, edhe pse dihet dhe të gjithë e kanë të qartë se Kosova ka çmimet ndër më të shtrenjtat të rrymës jo vetëm ndër shtetet e rajonit, nuk ka “këllqe” për t’u marrë me tema kaq jetike për kosovarët.
Ata kanë zgjedhur pra, rrugën që do më pak angazhim dhe që është pa asnjë efekt të vetëm. Preokupimi, sot, me historitë, se kush na qenka fajtor për krizën e shpërfaqur energjetike në Kosovë, është “rrahje uji në havan” karshi preokupimit dhe ngulmimit për të kërkuar nga ZRRE-ja të jetë serioze dhe tërësisht e pavarur siç e përcakton ligji në vendosjen ndaj kërkesave të reja nga KESCO.
Komisionet, ose komisionet për hetimin e krizës energjetike, gjithsesi në vend të ‘kopallave” për historitë e ndryshme nga 2006-ta, më e udhës do të ishte të diskutonin dhe të debatonin konfirmimin e institucioneve të vendit, ndër to edhe të ZRRE-së se “kompania “Elektrosever” nuk është duke i respektuar obligimet e marrëveshjes dhe licencës që i ka lëshuar ky institucion para disa javësh. Dhe, të trajtojë faktin se Kompania “Drustvo Elektrosever” nuk është duke e respektuar marrëveshjen dhe afatet kohore për përmbushjen e obligimeve që parashihen në licencën që i është lëshuar para tri-katër javësh.
Nga Komisioni, ose komisionet nuk u dëgjua asnjë fjalë, asnjë kërkesë, apo edhe propozim për ndonjë rezolutë rasti parlamentare për të kërkuar nga Elektrosever-i që “t’i përmbahet detyrimeve dhe afateve kohore të përshkruara në Vendimin e Bordit të ZRRE-së nga data e lëshimit të Licencës, obligimet të cilat janë pjesë edhe e marrëveshjes Kosovë-Serbi për energjinë…”.
Pse nuk ka ndonjë reagim parlamentar nga komisioni, ose komisionet, ndaj kompanisë që u licencua për furnizim me energji elektrike për katër komunat veriore të vendit, që nuk është duke e respektuar marrëveshjen?
Siç dihet Elektroseverit i është lëshuar licenca më 24 qershor. Sipas licencës, kjo kompani obligohej që brenda shtatë ditëve t’i sigurojë KEDS’it dhe KOSTT’it të dhënat më të fundit për konsumatorët, sijkundër që është obliguar për një varg veprimesh të tjera të ditura dhe të bëra publike për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë, që më 21 qershor kur Kosova dhe Serbia kanë miratuar një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk është zbatuar asnjëherë.
Dhe, prap Komisioni, ose komisionet jokompetente dhe të pashkathta, sikur këto veprimet të ndodhnin diku në një shtet të largët të Afrikës, apo Lindjes së Largët, nuk trajtojnë, e as që kërkojnë të trajtojnë këtë problem, që nuk është fare për t’u nënvlerësuar.
Gjithsesi, preokupimi me historitë e mëhershme dhe gjetjen e fajtorëve ndër vite, do të jetë në fokus të përhershëm. Këto hetime do të zgjasin pafund, dhe komisionit, ose komisioneve, u leverdisë zgjatja e hetimeve pa asnjë rezultat. Ndërsa, duhet rikujtuar komisionit, ose komisioneve për hetimin e energjisë se kush është përgjegjës për krizën aktuale energjetike në Kosovë, nëse ata nuk e dijnë vërtetë akoma, ose nuk duan ta dijnë këtë fakt të ditur kaherë.
Nuk ka diskutim se për dështimet e njëpasnjëshme në energjetikë, fajin e ka qeverisja e keqe, e padijshme dhe ç’është më keq, e korruptuar me sektorin e energjetikës në nivelin institucional në dy dekadat e shkuara. Për shkak të politikave miope të qeverive të deritashme në energjetikë, megjithë kushtet e mira të eksploatimit të linjitit (qymyrit të bollshëm në sipërfaqe të tokës), që mundësojnë favore në afarizëm, Kosova ka dështuar keq në sektorin e energjisë në shumë hallka të tij.
A na qenka kaq e vështirë të dihet këto fakte? Për të qenë i saktë me pohimet e shpërfaqura edhe në këtë tekst, do të paraqes kronologjikisht dështimet ndër vite, që nga 2000-ta e deri më 2020-n, aq sa lejojnë mundësitë të paraqiten në një tekst, qoftë edhe analitik gazetaresk.
Që në ditët e para të pasluftës, të alarmuar nga mungesa e energjisë elektrike dhe kriza që i kanosej me shpejtësi Kosovës nga pasojat e mospasjes mjaftueshëm rrymë për konsumin e vendit, kur terri në njëfarë mënyre kërcënoi ta kolapsonte vendin, njohësit e proceseve ekonomike dhe zhvillimore kërkuan me ngulm nga zyrtarët dhe autoritetet vendimmarrëse që prioritet mbi prioritetet e institucioneve të Kosovës, të jetë ndërtimi i një kapaciteti të ri energjetik, edhe para autostradës së kombit dhe para zbatimit të procesit të privatizimit.
Pak a shumë, atëherë ishin identifikuar nevojat për kapacitetet e reja energjetike. Shumica e ideve dhe vizioneve parashihnin ndërtimin e një termocentrali të ri, meqenëse Kosova kishte shumë thëngjill dhe rezerva të mjaftueshme të tij për periudha më të gjata (rezervat e linjitit vlerësohen të jenë të mjaftueshme për të furnizuar energjetikën kosovare disa qindra vjet të ardhshme, ose siç vlerësohet në shumicën e studimeve, Kosova ka mbi 14 miliardë tonelata qymyr të mundshëm për t’u eksploatuar).
Ekspertët e shumtë pretendonin të ndërtohej urgjentisht një termocentral i ri. Më të ekuilibruarit e parashihnin si të domosdoshëm një termocentral me fuqi diku rreth 500-600 megavatësh. Ndërsa, pati të tillë, sish nga euforikët, madje edhe autoritete deri të ministrat, që ishin përcaktuar definitivisht për ndërtimin e një megatermocentrali, ose një numri sish, me fuqi deri në 2.100 megavatësh, pa pasur, siç duket, fare parasysh, se çdo të bëhej me popullsinë, pra me kosovarët që jetojnë e gjallojnë mu në afërsi të drejpërdrejtë të këtij shkatërruesi potencial të ambientit, florës, faunës dhe ajrit e ujërave të Kosovës (një nga përkrahësit e këtij megaprojekti që gjithsesi do të ishte shkatërrues i ardhmërisë së Kosovës, ka qenë dhe vazhdon të jetë sot e kësaj dite ish-ministri Ethem Çeku).
Një variant i mesëm, po në vazhdën e kërkesave për kapacitete të reja energjetike ishte ndërtimi i një TC-je me fuqi 1000-1.200 megavatë-orësh. Pas “rënies në ujë” të të gjitha këtyre parashikimeve, në të shumtën me fajin e vendimmarrësve tanë, më në fund Qeveria e Kosovës i dha kompanisë ContourGlobal statusin e ofruesit të preferuar në vitin 2015 për zhvillimin e termocentralit të ri me kapacitet 2 herë 300 megavatë, të emërtuar si ‘Kosova e Re’.
Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal në ndërkohë nënshkruan Marrëveshjet Komerciale për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” në dhjetor të 2017-s, ku u saktësuan edhe afatet e ndërtimit. Nga qeveritarët u tha se Termocentrali “Kosova e Re” do t’i sjellë vendit furnizim të besueshëm me energji si themel për investime në të ardhmen, të cilat do të nxisin zhvillimin ekonomik në Kosovë. Ndërtimi i impiantit do të krijonte mundësi për vende të reja pune, si dhe punësim afatgjatë me të filluar operimi i impiantit. Por, prap nuk u bë asgjë. Siç dihet, edhe ky projekt ka dështuar tashmë.
Kosovën e re në këtë variant, pos ish-qeveritarëve të cilët e mbrojtën me ngulm dhe pa bindje, të gjithë kosovarët e tjerë, praktikisht e refuzuan. Kundër tij ishin shoqëria civile në radhë të parë, ekspertët, njohësit e zhvillimeve energjetike, por edhe institucionet financiare vendore dhe ndërkombëtare, të cilat e shihnin projektin si shumë të dëmshëm financiarisht për Kosovën dhe si të tillë edhe një ndër gjeneruesit e ardhshëm potencial të krizave financiare që do ta kaplonin vendin.
Pse dështuan të gjitha këto projekte për ndërtimin e një kapaciteti elektroenergjetik në Kosovë?
Në vitet e para pas luftës, në opinion ishte krijuar përshtypja se, më në fund, autoritetet kosovare janë vetëdijësuar për urgjencën e ndërtimit të një termocentrali të ri. Iu hap dera atëbotë edhe investitorëve ndërkombëtarë. Dhe interesimi i kompanive të fuqishme nga bota nuk mungoi, as asistenca teknike ndërkombëtare (Banka Botërore, Komisioni Europian dhe USAID-i). Madje, disa ofertues serioz, në ato vite hapën edhe zyra në Prishtinë për të treguar seriozitetin e tyre për të qenë konkurrentë në ndërtimin e këtij projekti. Por, shumë shpejt u pa se të gjitha këto kishin qenë vetëm iluzione. Sepse, shi kur mendohej se gjithçka shkonte vaj, dy konzorciume prestigjioze gjermane “RWE” dhe “EnBW” me partnerin e saj amerikan “WGI”, njëra nga të cilat ishte instaluar në kryeqytet me zyra dhe personel të përgatitur, u tërhoqën nga gara e procesit të tenderimit. Kur tek pastaj u tërhoq edhe CEZ-i çek, pretenduesi i tretë për ta ndërtuar termocentralin e ri, kur edhe u bë e tejdukshme se këto synime po dështonin ende pa nisur. Me fajin tonë, të vendimmarrësve të atëhershëm, të cilët me hezitimin e tyre të pakuptueshëm, pa aftësinë profesioniste, kalkulimet e gabueshme dhe ç’është me e keqja me kërkesa të turpshme për t’u korruptuar, praktikisht dëbuan ofertuesit më seriozë që ndonjëherë kishin ardhur në Kosovë.
Gabim fatal dhe i kushtueshëm për nga pasojat ishte edhe privatizimi i Distribucionit me çmim 26,3 milionë euro, dhe sipas politikave të djathta, sipas të cilave “privatizimi zgjidhë problemet me shërbime publike”.
Ka kohë që është dëshmuar sa e keqe ishte kjo shitje, ky privatizim pra. Dhe për shkak të këtij privatizimi diskutabil dhe të keq, tashmë për ditë e më shumë po dëgjohen zëra, sikundër që ishte edhe ai i një analisti kosovar që “KESCO dhe KEDS duhet të nacionalizohen për të funksionuar parimet: kur ka fitim ta ndajmë atë, kur ka humbje t’i ndajmë edhe ato, e jo kështu – fitimi i tyre, ndërsa humbja e jona, sikundër edhe shërbimi katastrofik, kur futemi në orën e 14-të pa rrymë”.
Tashmë nuk ka më dilema se për këto dështime fajin e patëm ne, vetëvetja, pra qeverisja e keqe, miope dhe fare e padijshme me sektorin e energjetikës në nivelin qeveritar të deritashëm. Dhe për shkak të politikave miope të qeverive të deritashme në energjetikë, megjithë kushtet e mira të eksploatimit të linjitit, që mundësojnë favore në afarizëm, Kosova ka dështuar keq në sektorin e energjisë në shumë hallka të tij në 20 vjetët e shkuara.
Sidoqoftë, Kosova sot e kësaj dite, 22 vjet pas përfundimit të luftës ka mbetur vetëm me kapacitetet “Kosova A” dhe “B”, të cilat kanë gjithsej fuqi të instaluar diku rreth 1.300 megavatë-orë, por që tashmë me vite, edhe pas rivitalizimeve të shumta dhe të shpeshta, prodhojnë në ditët më të mira diku 700-800 megavatë-orë. Ndërkohë, sipas KEDS-it, gjatë ditëve të ftohta konsumi kosovar i energjisë elektrike di të shkojë edhe në 1,150-1,250 megavat-orë. Në këtë mënyrë, pa elaboruar më shumë, Kosova tashmë gjendet në krizë jo të paktë dhe të vogël, ose në prag të ndonjë krize të madhe energjetike. Duhet thënë se që nga fillimi i pasluftës, jo pak zëra preferonin me shumë arsyetime, që për tejkalimin e krizës energjetike të rivitalizohej tërësisht, madje thuaja të rindërtohej si tërësi kompleksi i termocentraleve “Kosova A”, blloku i parë i të cilave ka filluar punën që në vitin e largët 1960.
Pati të tillë që kishin kërkuar që në TC “Kosova A” të mbesin vetëm muret dhe eventualisht oxhaqet ekzistuese, ndërsa të tëra stabilimentet tjera të vendosen fare të reja dhe nga teknologjitë e fundit. Dhe, para disa muajsh, rivitalizimi i TC “Kosova A”, ose rindërtimi i saj, siç po thuhet tani, si mundësi e tejkalimit të krizës energjetike për dhjetëra vjet, u riaktualizua sërish nga Bordi i përkohshëm i Drejtorëve të KEK-ut dhe nga Qeveria Kurti. Por, edhe kjo punë mbeti vetëm vizion. Praktikisht, tashmë nga Qeveria aktuale është heshtur edhe si vizion. Dhe kjo është fajësia dhe sfida e qeverisë aktuale, jo dështimet e deritashme.
Sikundër që kjo Qeveri është përgjegjësse për neglizhimin dhe stërzgjatjen e procedurave për të filluar ndonjë kapacitet të ri elektroenergjetik nga burimet e gjelbëra. Ato, huqjet evidente pra, ato të deritashmet, kanë emër dhe mbiemër dhe nuk është mirë të heshten, të harrohen dhe të anshkalohen duke fajësuar të tjerët për fajin e pabërë. Përballja me krizën energjetike të shpërfaqur këto ditë ashpër edhe në Kosovë, dhe gjetja e burimeve të reja të energjisë së rinovueshme si alternativë e qymyrit të “ndaluar” si burim energjetik, janë detyrat që e presin qeverinë aktuale.
Qeveria Kurti do të duhej të ishte gjithsesi më konsekuente dhe të mos binte pre kaq e lehtë e shantazheve të turpshme dhe agresive të tregtarëve të rrymës, as e shantazheve, siç është kërkesa e fundit për të ngritur çmimet e rrymës, ende pa u bë gjashtë muaj qëkur ato veqse u ngritën njëherë mbi 100 për qind. Të tjerat faje, t’u mvishen atyre që i kanë bërë ato. Dhe këtë duhet ta kenë të qartë komisioni, ose komisionet e Kuvendit të Kosovës për hetimin e krizës energjetike. /Buletini Ekonomik/









