Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e fundit elektronike, ka miratuar ratifikimin e marrëveshjes me Sfidat e Mijëvjeçarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për programin e energjisë.
Po ashtu është shqyrtuar dhe miratuar Raporti gjashtëmujor i Buxhetit për vitin 2022 si dhe Raportin vjetor financiar të rishikuar për vitin 2021.
“Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 13/19 të datës 14 korrik 2021 me ndryshimet dhe plotësimet e bëra, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike. Plotësimi dhe ndryshimi i vendimit i shton Masës 1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe masën 1.8 – Skema “Qeveria për familjet”- për të cilën ndahen 10 milionë euro”, thuhet në njoftim.
Për Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Marrëveshjes për zbatimin e Programit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), presidentja Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë udhëtuar drejt SHBA-së.
Në këtë vizitë, do të nënshkruhet marrëveshja me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës në vlerë prej 236.7 milionë dollarë, që llogaritet të jetë investimi më i madh ndonjëherë në fushën e energjisë.