Hong Kongu është cilësuar si qyteti më i shtrenjtë për të jetuar dhe për të punuar jashtë shtetit këtë vit, sipas një raporti të ri i cili thekson ndikimin e rritjes së kostove të jetesës dhe tendencat e përkeqësuara makroekonomike në tregun e emigrantëve.
Qyteti u rrit me një vend në indeksin e Kostos së Jetesës së Mercer 2022, për të rifituar përsëri pozicionin e parë pasi kaloi në vendin e dytë në vitin 2021 për shkak të Ashgabat, në Turkmenistan. Kjo shënon herën e katërt në pesë vite që qendra financiare aziatike është renditur si vendi më i kushtueshëm për ata që punojnë jashtë shtetit të tyre.
Ngritja e e Hong Kongut në këtë indeks u nxit pjesërisht nga presionet inflacioniste në rritje, të cilat kanë shtuar kostot e jetesës në të gjithë globin. Ndërkohë, kufizimet e vazhdueshme të Covid dhe rritja e paqëndrueshmërisë politike e kanë bërë më të shtrenjtë kompensimin e stafit që zhvendoset atje, tha partneri i Mercer, Vince Cordova, për CNBC Make It.
“Një pjesë e kësaj është dhe tregu i pasurive të paluajtshme,” tha Cordova, duke vënë në dukje se strehimi tani është bërë më i shtrenjtë, duke rritur kostot për emigrantët.
“Pjesa tjetër lidhet me koston e mallrave dhe të shërbimeve, si dhe gjithashtu me pasigurinë politike. Njerëzit që janë atje do të duhet të shpenzojnë më shumë për të jetuar mirë,” tha ai.
Javën e kaluar, qyteti u rrit me 13 vende në Indeksin Global të Jetueshmërisë 2022 nga Njësia e Inteligjencës e The Economist, në atë që u quajt si humbja e lirisë politike dhe kulturore.
Hong Kongu ishte vendi i vetëm aziatik në pesëshen e parë të dominuar nga qytetet zvicerane në indeksin e Kostos së Jetesës së Mercer 2022: Cyrihu, në Zvicër, renditet si qyteti i dytë më i shtrenjtë në botë për punonjësit e huaj, i ndjekur nga Gjeneva (3), Bazeli (4) dhe Berna. (5).
Cordova tha se kjo vjen si rrjedhojë e fuqizimit të frangës zvicerane, e cila, deri në kohët e fundit ka ruajtur qëndrueshmërinë ndaj rritjes së dollarit amerikan, i cili përbën edhe monedhën ku bazohet raporti i Mercer.
Si funksionon ky indeks
Indeksi vjetor i kostos së jetesës së Mercer, i cili tashmë po bëhet për vitin e tij të 28-të, është krijuar për të ndihmuar kompanitë dhe qeveritë që të përcaktojnë paketat e pagave për punonjësit që jetojnë jashtë vendit të tyre, duke matur kostot e akomodimit dhe çmimin e mallrave dhe shërbimeve brenda tregjeve lokale përkundrejt kostos së tyre relative në qytetin e Nju Jorkut.
Indeksi i këtij viti renditi 227 qytete dhe mori parasysh çmimet e më shumë se 200 artikujve nga kategori të tilla si ushqimi, transporti, strehimi dhe kujdesi personal, duke filluar që nga marsi i vitit 2022.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, tha Cordova, raporti i vitit 2022 gjithashtu vuri në dukje përhapjen në rritje të punës në distancë, me gjithnjë e më shumë kompani që po e përdorin këtë si një mjet kur vendosin politikat e tyre të punës fleksibël.
“Një nga pasojat e pandemisë ishte ky koncepti i punës nga kudo. Gjithnjë e më shumë punonjës po u kërkojnë punëdhënësve të tyre nëse mund ta ofrojnë këtë mundësi,” tha ai.
“Kompanitë tani janë në kërkim të informacionit se cili do të ishte ndikimi ekonomik i zhvendosjes së punonjësve,” shtoi ai.
Këtu është një përmbledhje e 10 qyteteve më të shtrenjta për emigrantët, sipas gjetjeve të Mercer.
Qytetet më të shtrenjta për emigrantët
- Hong Kong, Hong Kong (SAR)
- Cyrih, Zvicër
- Gjenevë, Zvicër
- Bazel, Zvicër
- Bernë, Zvicër
- Tel Aviv, Izrael
- New York City, Shtetet e Bashkuara
- Singapor, Singapor
- Tokio, Japoni
- Pekin, Kinë
Ankaraja në Turqi (e 227-ta) renditet si qyteti më pak i shtrenjtë për të punuar jashtë vendit, e ndjekur nga Bishkek në Kirgistan (226), Dushanbe në Taxhikistan (225), Islamabad në Pakistan (224) dhe Karaçi në Pakistan (223)./ CNBC