Shqipëria do ta rrisë me 200 milionë euro rezervën valutore

Fotografi ilustruese

Banka e Shqipërisë ka planifikuar që për vitin 2022 të rrisë deri 200 milionë euro rezervën valutore.

Shkak për të cilin kishte parashikuar që përgjatë gjithë vitit të zhvillonte 15 ankande, përmes të cilëve të blinte nga 5 deri 8 milionë euro për të arritur objektivit. Por gjërat nuk kanë shkuar sipas planit, duke qenë se Banka e Shqipërisë ka annular 3 ankande, një në mars dhe dy në prill.

Në katër muajt e parë të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka realizuar vetëm një ankand, i cili u zhvillua në datën 18 shkurt 2022. Përmes tij u blenë 7.45 mln euro në mesatarisht 121.43 lekë dhe pjesëmarrja e bankave ishte mesatare, ndërkohë, në datën datën 8 mars, u kontaktuan të gjitha bankat e nivelit të dytë për t’i shitur valutë, fillimisht me kursin 128.00 lekë dhe më pas me kursin 127.00 lekë; u shitën 10.70 mln euro.

Reklama e sponzorizuar

Shkak duket se janë bërë luhajtjet e tregut valutor, të cilat e kanë detyruar bankën të modifikojë operacionet për grumbullimin e valutës. “Në datën 8 mars 2022, Komiteti i Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare, krahas vendimit për ndërhyrje në tregun e brendshëm të këmbimeve valutore me objektiv shmangien e çrregullimeve nëpërmjet shitjes së valutës, vendosi anulimin e ankandeve të blerjes së valutës për periudhën mars-prill 2022” thekson Banka e Shqipërisë.

Ndërkaq, Gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2022, portofoli i Bankës së Shqipërisë ka ndryshuar shumë pak, duke rënë me 100 milionë lekë, afërsisht 1 milionë dollarë pasi ra me 1.4 miliardë lekë në 3-mujorin e mëparshëm. Vlera e portofolit është 65.5 miliardë lekë, pranë mesit të bandës së synuar prej 63.60-67.60 miliardë lekësh.

Operacionet e Bankës së Shqipërisë kanë synuar mbajtjen e portofolit në nivele të pandryshuara gjatë 3-mujorit, rinovimin e pjesshëm të portofolit në tregun sekondar dhe rritjen e pjesëmarrjes në një prej emetimeve 6-mujore, janë maturuar në tregun primar 1.5 miliardë lekë bono thesari 12-mujore dhe janë blerë në 5 ankande 1.4 miliardë lekë bono thesari.