Çmimet e gazit kanë rënë nën 4 dollarë për herë të parë që nga muaji mars, por tregu mbetet i pasigurt dhe ekspertët thonë se është shumë herët për të ditur nëse rënia e ҫmimeve do të vazhdojë.
Mesatarja kombëtare për një gallon gaz ka rënë gjatë 58 sesioneve të fundit radhazi, sipas AAA, dhe tani ka arritur në 3,99 dollarë për gallon. Rënia, duke filluar nga muaji qershor, kur çmimet arritën mbi 5 dollarë, ka qenë e shpejtë.
Ja çfarë mund të ndodhë tani.
Pse po bien çmimet?
Çmimi i gazit ka rënë për një sërë arsyesh.
Në tregun e mallrave ekziston një thënie e njohur: “Kura për çmimet e larta, janë vetë çmimet e larta”. Dhe kjo thënie ka provuar të jetë e vërtetë. Me fjalë të tjera, çmimet e larta ulin kërkesën, gjë e cila në vijim sjell reduktimin e çmimeve.
Përdorimi i makinës është i nevojshëm – për të shkuar në punë, për shembull – por, me çmimet që kanë arritur nivele rekord, konsumatorët mund të vendosin që të mos përdorin makinën nëse nuk është e nevojshme. Kjo tendencë është vënë re edhe në shifrat e konsumit, të cilat kanë treguar një rënie të kërkesës.
Disa shtete kanë pezulluar gjithashtu edhe taksat e tyre të gazit, gjë që sjell uljen artificiale të çmimeve.
Por, arsyeja kryesore e kësaj rënieje është ulja e çmimit të naftës. Nafta e papërpunuar është faktori më i rëndësishëm që ndikon te çmimet e gazit, duke përbërë më shumë se 50% të asaj që paguhet nga konsumatorët.
Nafta e papërpunuar e West Texas Intermediate, e cila shërben si një referencë për naftën në SHBA, arriti ҫmimin mbi 130 dollarë për fuçi në muajin mars, pasi Rusia pushtoi Ukrainën, duke tronditur kështu tregjet globale të energjisë. Ishte hera e parë që WTI tregtohej në këto nivele, që nga viti 2008.
Por, që nga ajo periudhë, çmimet e naftës kanë pësuar rënie, të cilën e ndoqën edhe ҫmimet e benzinës.
WTI u tregtua me 93.51 dollarë për fuçi të enjten, një nivel shumë më i ulët se shifra prej 130 dollarë vetëm disa muaj më parë. Në javët e fundit, frika e shtuar për një recesion ka bërë që çmimet të bien. Nafta është një produkt që luhatet sipas çdo rënieje të perceptuar në kushtet ekonomike globale, pasi ngadalësimet ekonomike zakonisht sjellin një kërkesë më të ulët për naftë dhe produktet e saj.
Për më tepër, kërkesa në Kinë ka qenë e ulët, pasi vendi po përballet me rastet e Covid. SHBA-ja ka ndërmarrë gjithashtu disa masa të paprecedenta, duke lëshuar në treg sasi rekord nafte nga Rezerva Strategjike e Naftës, në një përpjekje për të penguar rritjen e mëtejshme të çmimeve.
Çmimet e naftës janë kthyer në një problem kryesor për Shtëpinë e Bardhë përpara zgjedhjeve të ardhshme dhe presidenti Joe Biden ka thënë vazhdimisht se administrata e tij po bën gjithçka që është e mundur për t’i lehtësuar barrën konsumatorëve.
A do të mbeten çmimet në nivele të ulëta?
Rënia e ҫmimeve nën 4 dollarë ngre pyetjen nëse do të ketë rënie të mëtejshme në vazhdim. Ekspertët thonë se kjo rënie mund të jetë afatshkurtër.
Teksa WTI ka rënë shumë më poshtë nivelit rekord të muajit mars, ҫmimi i saj është rritur me më shumë se 5% përgjatë javës së fundit. Kontratat e së ardhmes për benzinën, megjithëse janë gjithashtu nën nivelet e larta që u arritën kohët fundit, janë rritur me 10% përgjatë javës së fundit.
“Trendi i rënieve ditore në çmimet e shitjes me pakicë të benzinës është drejt fundit, pasi kontratat e së ardhmes për naftën e papërpunuar dhe për produktet e rafinuara janë rritur mbi nivelet e ulëta që arritën së fundi”, tha Andy Lipow, president i Lipow Oil Associates.
Tregu global i energjisë mbetet akoma i trazuar dhe ka një sërë faktorësh që mund të nxisin rritjen e çmimeve në muajt e ardhshëm.
Rafineritë po arrijnë kapacitet të plotë, në përpjekje për të përballuar kërkesën. Një uragan ose një fenomen i ngjashëm natyror që mund të sillte ndërprerje të punës në këto rafineri, mund të ndikonte në rritjen e çmimeve të gazit, duke qenë se nuk mund të gjenden alternativa të gatshme ndaj tij, pasi edhe Europa është gjithashtu në kërkim të produkteve të naftës.
Vendimi historik i SHBA-së për të lëshuar në treg fuҫi nafte nga Rezerva Strategjike e Naftës do të përfundojë këtë vjeshtë, duke hequr një pjesë të ofertës nga tregu. Për më tepër, Rezerva Strategjike e Naftës do të duhet të rimbushet. Rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik në Kinë mund të rrisë gjithashtu kërkesën për produkte të naftës.
Ndërkaq, plani i plotë i sanksioneve të Europës kundër blerjeve të karburanteve ruse nuk ka hyrë ende në fuqi. Rusia është një prodhues i madh i energjisë, kështu që përpjekjet e BE-së për të siguruar furnizime nga vende të tjera mund të ndikojnë në rritjen e çmimeve në rang global.
E gjithë kjo panoramë vjen në kushtet e një kërkese së lartë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tha të enjten se pret një rritje të kërkesës për vitin 2022, prej 2.1 milionë fuçi në ditë, një shifër e cila është 380,000 fuçi në ditë më shumë se parashikimet e mëparshme.
Patrick De Haan, kreu i analizës për naftën në GasBuddy, tha në një postim në Twitter se rënia e çmimeve mund të ndalojë në pesë ose dhjetë ditët e ardhshme. Por, ai shtoi se rënia mund të jetë “afatshkurtër”.
Energjia po nxit inflacionin
Rënia e çmimeve të gazit ka qenë e shpejtë, por ato mbeten 81 cent për gallon më shumë se sa paguanin konsumatorët vitin e kaluar.
Rritja e shpejtë ka qenë një nxitës kryesor i inflacionit, pasi çmimet e energjisë ndikojnë shumë aspekte të ekonomisë. Nëse transporti i ushqimit kushton më shumë për shkak të çmimeve të larta, për shembull, atëherë çmimet e ushqimeve do të rriten.
Inflacioni aktualisht është në nivelin më të lartë të 40 viteve të fundit. Raporti i fundit i IÇK-së tregoi se presionet e çmimeve po lehtësohen pak, kryesisht për shkak të rënies së kostove të energjisë.
Në korrik, çmimet e energjisë ranë me 4.6% krahasuar me muajin e kalauar, sipas Byrosë së Statistikave të Punës. Çmimet e benzinës ranë me 7.7%.
Por, një muaj i vetëm nuk mund të përbëjë një trend, dhe, duke qenë se tregjet globale të energjisë vazhdojnë të jenë të trazuara, rënia e ҫmimeve për konusmatorët mund të jetë, me shumë mundësi, e përkohshme./CNBC