Ftesa të tjera mërgatës për të investuar paranë e tyre në Kosovë

Pa bërë llogari shumë, me rastin e ardhjes së mërgimtarëve tanë të numërt edhe në këtë verë, duhet konstatuar se edhe prurjet e sivjetshme financiare, fluksi i ri i parave të tyre, është kolosal dhe imponues, por edhe shumë i mirëseardhur për Kosovën, e cila realisht ka vështirësi jo të pakta financiare pas COVID-19 dhe krizës globale energjetike, që u dëshmua e pamëshirshme edhe në vendin tonë.

Mehmet GJATA

Kohë më parë, në një shkrim dedikuar ardhjes së mërgatës sonë në vendlindje gjatë muajve të verës, Buletini Ekonomik, në mbështetje të një përvoje të deritashme shumëvjeçare, vlerësonte se Kosova, institucionet e saj, por edhe opinioni kosovar, kujtohet për mërgatën e saj më shumë në rastet kur diaspora sjellë shuma të mëdha parash në vendlindje, kur prurjet financiare të këtyre njerzëve tejkalojnë rekordet ekzistuese dhe në muajt e verës, kur këtë kujtesë e imponojnë vet ata, me ardhjen masovike në vendlindje.

Kosovarët e diasporës kujtohen, madje përflitet për ta edhe duke përhapur thashetheme edhe cinike e ironike, për ndonjë gafë eventuale, apo sjellje jo të denjë të ndonjë mërgimtari gjatë qëndrimit në Kosovë, ose për ndonjë rast apo edhe gjest pak a shumë asocial për rrethanat kosovare, që si pasojë e një ‘t’huajsimi’ real nga qëndrimi shumëvjeçar në mjedise të tjera, ndodhë edhe të mospërputhet me mentalitetin e kosovarëve vendor, që asesi s’do të thotë se është më i miri. Por, në disa takime të këtyre ditëve të kryeministrit Kurti me mërgimtarë dhe më përfaqësues të tyre, sikur vërehet një frymë e re, mbase edhe një nismë politike ndryshe e raportit të shtetit me diasporën, së paku një premtim më serioz në ftesat e kryeministrit ndaj diasporës për të investuar në vendlindje.

Reklama e sponzorizuar

Dhe si risi ndër më interesantet del të jetë ftesa e kryeministrit se “ne kësaj radhe nuk e thërrasim mërgatën tonë që të kthehet për të kontribuar duke sakrifikuar, por që të kthehet për të fituar duke investuar”.

Sido që të jetë, pa u hamendur dhe pa bërë llogari shumë, me rastin e ardhjes së mërgimtarëve tanë të numërt edhe në këtë verë, duhet konstatuar se edhe prurjet e sivjetshme financiare, fluksi i ri i parave të tyre, është kolosal dhe imponues, por edhe shumë i mirëseardhur për Kosovën, e cila realisht ka vështirësi jo të pakta financiare pas COVID-19 dhe krizës globale energjetike, që u dëshmua e pamëshirshme edhe në vendin tonë. Remitancat, prurjet financiare të mërgatës sonë pra, po të kihet parasysh diaspora jonë numerikisht dhe shteti i vogël i Kosovës, janë kolosale, të imponueshme, përtej shifrave që do të mund t’i imagjinonte ndokush vite më parë dhe burimi i vetëm kryesor dhe i sigurtë financiar për vite të tëra dhe për çdo vit veç e veç.

Prurjet e parave nga diaspora janë shumë nga 1999-ta e këndej. Për të parë përmasat e remitancave të diasporës sonë po i prezentojmë disa të dhënave të bëra tashmë publike nga institucionet monetare ndërkombëtare që nga viti 2008 e deri më 2021, që janë të përafërta, por jo plotësisht të sakta, gjithsesi. Të dhënat e institucioneve përkatëse të vendit flasin për shuma më të mëdha.

Më 2008 në Kosovë prurjet e parave të mërgatës sonë kanë qenë 858 milionë euro, më 2009 – 865 milionë euro, më 2010 – 825 milionë, në vitin 2011 – 814 milionë euro, më 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliard euro, 2020 – 980 milionë euro dhe 2021 – 1.14 miliard euro.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovë (BQK), gjatë vitit 2021, diaspora ka dërguar në Kosovë 1 miliard e 443 milionë euro.

Po, sipas BQK-së, në kanale zyrtare bashkatdhetarët tanë vetëm në 5 vjetët e fundit kanë sjellë më shumë se sa 6 miliardë euro. Prej këtyre ¾ janë remitanca, dërgesa për familjet, miqtë, dashamirët, ndërkaq ¼ janë investime në ekonominë tonë.

Sivjet, po kështu ka sinjale, që paratë e diasporës do të jenë në shuma të mëdha. Gjatë katër muajve të parë të këtij viti (janar-prill), janë evidentuar të kenë hyrë në Kosovë 351,5 milionë euro, ndërsa vlera më e lartë ishte gjatë muajit prill me 110.1 milionë euro. Këto janë para e madhe.

Dhe, siç dihet, deri më tash, janë investuar kryesisht në buxhetet familiare, për mbijetesën e familjeve të diasporës në Kosovë, kurse në vitet e fundit, mërgimtarët, janë përcaktuar që paranë e tyre ta investojnë goxha shumë edhe në blerjen e patundshmërive, kryesisht të banesave në qendra të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryeqytet.

Për këtë flasin faktet: Mërgimtarët kosovarë kanë investuar shumë e shumë në blerje të patundshmërive. Vetëm në periudhën janar-shtator të vitit të kaluar, janë shpenzuar 265 milionë euro investime të huaja direkte në patundshmëri. Dhe, e gjithë kjo para, praktikisht është e diasporës sonë. Blerja e banesave, shtëpive e tokave, përbënë 68 për qind nga gjithsej 389 milionë euro të investimeve nga jashtë në vitin e kaluar. Dhe, s’do mend, kjo shpërputhje e madhe e dedikimit të kësaj paraje në disfavor të investimeve reale të mërgimtarëve të pasur në atdheun e tyre, më në fund duket të ketë alarmuar autoritet e vendit, e sidomos kreun e Qeverisë aktuale.

Kurti, në mesin e shumë aktiviteteve të organizuara nga institucionet për mërgatën, si Karvani i diasporës, takimet në Kuvend, takimet nëpër ministri e mjedise publike, takimet në ngjarje kulturore, dhe në pritjen e tij për bashkatdhetarë të fushës së artit e kulturës, dhe profesionistë të fushave të ndryshme, hapi më shumë letrat dhe në bashkëbisedim nga afër me ta, shpërfaqi ide dhe mundësi të reja për bashkëpunim me mërgatën.

Nga kryeministri, ndër të tjera u dëgjua edhe për vendimin e Qeverisë për miratimin e Programit për Diplomaci Qytetare, që ka për qëllim përfshirjen aktive të mërgatës në politikë-bërje dhe synon të forcojë lidhjen e saj me Kosovën, duke ju krijuar mundësi përfshirjeje të drejtpërdrejtë.

“Kjo nismë u mundëson bashkatdhetarëve tanë që të mund të vijnë edhe në institucionet tona të bëjnë punë zyrtare e praktike deri në gjashtë muaj, që t’i kontribuojnë politikës sonë të jashtme dhe shërbimit sa më cilësor të jashtëm të Republikës së Kosovës. Kjo tregon që ne nuk i shohim bashkatdhetarët tanë vetëm thjeshtë si kapital financiar, por si kapital human”, u shpreh Kurti para bashkatdhetarëve, duke i bërë ftesë direkte mërgatës që të “kthehet për të kontribuar duke sakrifikuar, por që të kthehet për të fituar duke investuar”.

Dhe, duhet përsëritur se paratë e mërgatës sonë janë burim i pashterrshëm i të hyrave për Kosovën e vobektë dhe me potencë të reduktuar financiare tani e më shumë se dy dekada dhe infuzion financiar aq i nevojshëm, tani i bërë edhe i domosdoshëm për kosovarët.

Remitencat për Kosovën, thënë shkurt e shqip, janë mbijetesa e shtetit dhe pushtetit, mbijetesa e institucioneve të vendit, por edhe e kosovarëve të papunë, janë zhvillimi ekonomik, zbutje evidente e pasojave të varfërisë, preventivë për ta vënë “vijëzën e kuqe” ndërmjet humnerës financiare dhe krizës së madhe të mungesës së parasë, por edhe katalizator me ndikim në mbajtjen e një niveli modest të mirëqenies sociale.

Ndërsa, ndër përfaqësues me potencë financiare nga diaspora, pas këtyre propozimeve e premtimeve zyrtare, sikur shihet një optimizëm për investimin e parasë së tyre në të ardhmen. Ata, shpresojnë se më në fund me ndihmën ë shtetit të Kosovës do të jetësohet ndonjë projekt madhor i realizuar me kapital të tyre, ose ndonjë kapacitet ekonomik-prodhues atraktiv dhe që sjellë të hyra solide, dhe shpresojnë se më në fund do të fillojë ndonjë nismë për të investuar paranë e mërgatës në këso projektesh.

Qeveria aktuale e Kosovës, nuk mjafton të jetë vetëm dashamirëse dhe premtuese në favor të konkretizimit të investimeve me para të diasporës. Duhet të tregohet këmbëngulëse deri në fund, duke insistuar në krijimin e konditave joshëse për ta investuar këtu paranë e bashkëatdhetarëve tanë, dhe për të krijuar instrumente praktike për t’i orientuar ato në ndërtimin e potencialeve atraktive zhvillimore. Mbase zyrtarët aktual të vendit, sidomos pas premtimeve dhe propozimeve të kryeministrit të bëra këto ditë në takimet më mërgatën, tani e tutje, do të jenë më kreativ dhe më intrigues në politikat vijuese për trajtimin e diasporës në përgjithsi dhe parasë së tyre në veçanti.

“Tani investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë. Ejani, kontribuoni dhe fitoni. Nuk jemi në të kaluarën kur kemi bërë thirrje për kontribut përmes sakrificës, po kontribut përmes përfitimit të dyanshëm”, kishte thënë Kurti.

Këtë ftesë dhe premtimet e bëra publike të Kurtit, duhet kuptuar qartë institucionet e shumta të vendit, ministritë përkatëse, pushtetet lokale nëpër qendrat komunale. Prandaj, në rrethanat kur vendit i nevojiten aq shumë paratë e mërgatës dhe kur zhvillimi i Kosovës është i lidhur drejtpërdrejtë dhe në masë relativisht të madhe me paranë e diasporës, krahas ftesës ndryshe nga herat e tjera, do të duhej të veprohej institucionalisht, pa humbur kohë, për të krijuar ligjërisht kushtet e favorshme për investimin e parasë së mërgimtarëve tanë. Ndryshe paraja e mërgatës nuk do të vijë për investime në Kosovë.

Diaspora, në njëfarë mënyre do të pakësojë ndjeshëm edhe investimet në paluajtshmëri, respektivisht në blerjen e banesave. Thjesht, për shkak të tejngopjes së nevojave të tyre për banesa. /Buletini Ekonomik/