Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka njoftuar se pensionistët përfitues të pensioneve kontributive, parciale kontributive dhe familjare nuk kanë më obligim të paraqiten rregullisht në zyrat e pensioneve.
Sipas MFPT-së, pensionistët e kategorive të tjera mbeten të obliguar për paraqitje, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ministria ka theksuar se po vazhdon të ndërmarrë masa për lehtësimin e shërbimeve ndaj pensionistëve, përfshirë ekipet mobile që ofrojnë shërbime në shtëpi në të gjitha shtatë rajonet e Kosovës, si dhe thjeshtësimin e procedurave për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, duke eliminuar rivlerësimet e panevojshme.
MFPT ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar për ofrimin e shërbimeve më të thjeshta dhe më të shpejta, duke ruajtur integritetin dhe qëndrueshmërinë e skemave pensionale. /Buletini Ekonomik/









