Kina mbyll fabrikat për shkak të valës së të nxehtit dhe mungesës së energjisë elektrike

Në provincën kineze të Sichuan, të gjitha fabrikat u mbyllën për gjashtë ditë, një masë e miratuar për shkak të mungesës së energjisë elektrike në një kohë kur vala më e keqe e të nxehtit në 60 vitet e fundit përfshiu Kinën.

Sichuan është një vend kyç për industrinë e gjysmëpërçuesve dhe paneleve diellore, dhe masat e kursimit të energjisë do të godasin disa nga kompanitë më të mëdha si furnizuesi i Apple Foxconn dhe Intel.

Provinca është gjithashtu qendra e minierave të Kinës për litiumin, një komponent kyç i baterive për makinat elektrike. Një ndërprerje e punës mund të çojë në një rritje të çmimeve të lëndëve të para, paralajmëruan analistët, raporton cnn.

Reklama e sponzorizuar

Kina është nën ndikimin e valës më të keqe të të nxehtit në 60 vitet e fundit, me temperatura që kalojnë 40 gradë. Vapa ekstreme shtoi nevojën për përdorimin e kondicionerëve në zyra dhe shtëpi, gjë që e rëndon rrjetin elektrik. Për shkak të thatësirës, nivelet e lumenjve ranë, gjë që uli sasinë e energjisë elektrike të prodhuar në hidrocentralet.

Provinca Sichuan, shtëpia e 84 milionë njerëzve, urdhëroi 19 nga 21 qytetet e rajonit të ndalonin prodhimin në të gjitha fabrikat nga e hëna deri të shtunën. Ky vendim është marrë në mënyrë që familjet të kenë mjaftueshëm energji elektrike.

Provinca ka vuajtur nga nxehtësia dhe thatësira që nga korriku dhe, sipas zyrtarëve lokalë, po përballet me “periudhën më ekstreme” të furnizimit me energji. Në qytetin Luzhou është fikur edhe ndriçimi i natës.

Temperaturat ekstreme në Kinë kanë ndikuar negativisht edhe në të korrat në shumë pjesë të vendit, kjo është arsyeja pse presioni i inflacionit po rritet.