MINT pritet brenda javës të shfuqizojë vendimin e masës kufizuese për eksportin e produkteve bazë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) pritet që brenda kësaj jave të heq masën kufizuese për eksportin e disa produkteve bazë, pasi Kosova vazhdon të jetë një ndër vendet e vetme që vazhdon të ketë një masë të tillë, raporton GazetaBlic.

Kështu ka bërë me dije një burim i GazetësBlic brenda MINT, ku thotë se janë duke e bërë gati vendimin për shfuqizimin e kësaj mase.

“Janë duke e bërë gati vendimin për me shfuqizu masën por, zyrtarisht nuk ka ende asgjë”, tha burimi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas këtij burimi, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të heq masën kufizuese për shkak të presionit të madh që kanë pasur edhe nga komuniteti i biznesit.

“Nga sot, deri në fund të javës pritet shfuqizimi i masës kufizuese për eksportin e disa produkteve bazë”, vazhdoi ky burim i GazetësBlic.

Ndryshe, GazetaBlic ka tentuar të marrë përgjigje zyrtare nga kjo ministri por, të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar edhe njohës të çështjeve ekonomike ku treguan pasojat dhe efektet negative nga kjo masë kufizuese.

Eksperti i ekonomisë, Agim Shahini tha se një vendim të tillë e kishin edhe shtetet ballkanike por, Kosova vazhdon ta ketë ende dhe sipas tij kjo po sjell efekt negativ.

“Disa muaj më herët, Qeveria e Kosovës kishte marrë një vendim për masat kufizuese të eksportit në disa artikuj bazë por, këtë metodë e kanë përdor edhe disa vende të ballkanit në mënyrë që të mbrohet konsumatori”, tha Shahini.

” Tash kur u hap ekonomia, kriza ende vazhdon por është një një masë të kontrolluar dhe shumë shtete e kanë heq masën kufizuese për eksport të produkteve bazë dhe Kosova ka mbetur si gjithmonë e vetmja dhe e fundit pa e hequr këtë masë. Edhe pse eksporti i Kosovës nuk ka qenë aq shumë i zhvilluar edhe në të kaluarën, tashmë sado pak që kemi eksportuar disa nga produktet bazë, nuk mundemi t’i eksportojmë hiç”.

Shahini thotë se kjo masë është pengesë për zhvillimin e prodhimtarisë së Kosovës, teksa i bën thirrje Qeverisë që të heq sa më shpejt që është e mundur.

Shahini thotë se sipas një studimi të bërë nga aleanca kosovare e biznesit, Kosova ka humbur më shumë se 3 milion euro eksport, qysh nga fillimi i fuqizimit të kësaj masëe.

“Kjo masë është penguese për zhvillimin e prodhimtarisë të Kosovës, prandaj efektet negative të saj do të ndikojnë drejtpërdrejt në humbjen e mundësisë që ne të sjellim para të gatshme përmes eksporteve. Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës duhet sa më shpejt të heq këtë masë kufizuese sepse sipas një studimi të bërë nga Aleanca kosovare e biznesit, ka rezoltuar që nga aplikimi i masës kufizuese, Kosova ka humbur më shumë se 3 milion euro eksport”, përfundon Shahini.