Çmimet e gazit natyror në Evropë pësuan rritje pasi kompania shtetërore e energjisë Gazprom ka deklaruar se do ta mbyll infrastrukturën e vetme më të madhe që shërben për furnizimim e gazit drejt kontinentit, për tre ditë gjatë fundit të muajit.
Kjo mirëmbajtje e paplanifikuar në tubacionin “Nord Stream I”, i cili kalon nga Rusia për në Gjermani nëpërmjet Detit Baltik, thellon mosmarrëveshjet për gazin midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian dhe përkeqëson rrezikun e një recesioni dhe të mungesës së rezervave gjatë dimrit.
Çmimi i gazit në qendrën holandeze TTF, një pikë referimi për të gjithë Evropën për tregtimin e gazit natyror, u rrit me 19 për qind, duke arritur në 291.5 euro për megavat orë.
Gazprom tha se furnizimet me gaz do të rifillojnë me një normë prej 33 milionë metra kub në ditë pasi të përfundojë puna për mirëmbajtjen.
Rusia ka reduktuar në mënyrë drastike furnizimet me gaz natyror drejt Evropës në javët e fundit, pasi gazsjellësi Nord Stream 1 aktualisht po funksionon vetëm me 20 për qind të kapacitetit të negociuar.
Gjermania e konsideron reduktimin e furnizimeve si një manovër politike, e cila synon të sjellë pasiguri në të gjithë bllokun dhe të rrisë çmimet e energjisë pas sulmit të Kremlinit kundër Ukrainës. /Telegrafi/