AKP nxjerr në shitje 32 asete të ndërmarrjeve shoqërore

Agjencia Kosovare e Privatizimit-AKP

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në mbledhjen e sotme miratoi listën e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim për vendosje në tender publik përmes shitjes nr. 59, e cila ka gjithsej 32 asete.

Sipas komunikatës, Bordi i AKP-së, gjithashtu, shqyrtoi dhe miratoi transaksionet e shitjes me tender publik për valën SHAL 57 dhe tenderit publik për disa asete të luajtshme të ndërmarrjeve shoqërore.

Reklama e sponzorizuar

Bordi shqyrtoi edhe planin dinamik të punës së Komisionit të Banesave dhe si rezultat i intensifikimit të punës së Komisionit për shitjen e Banesave u miratuan raportet e shitjeve për 30 banesa. Bordi miratoi raportin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave të listave të punëtoreve për 20% të katër ndërmarrjeve shoqërore. Në këtë takim Bordi shqyrtoi dhe aprovoi Raportin e Komisionit për Vlerësimin e performancës së menaxhmentit të AKP-së për periudhën gusht-dhjetor 2022.

Gjatë kësaj mbledhje Bordi pranoi Raportin me kërkesat e komunave për tërheqje të aseteve nga shitja sipas propozimeve të tyre për interes publik. Bordi diskutoi raportin mujor për ndërmarrjen shoqërore “Brezovica” , e cila është nën administrimin e AKP-së.

Poashtu, Bordi i Drejtorëve i AKP-së shqyrtoi dhe miratoi edhe disa Rregullore të punës,  përfshirë Rregulloren për qiradhënien e aseteve te NSH-ve dhe Rregulloren për përgjegjësitë e Bordit të Përkohshëm dhe Drejtorit Menaxhues të Ndërmarrjes Shoqërore “Inex Sharr Planina”, Brezovicë. Në vijim Bordi shqyrtoi dhe aprovoi Raportin gjashtëmujor për këtë vit mbi aktivitetet e Njësisë së Auditimit të Brendshëm.

Bordi shqyrtoi dhe miratoi edhe kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës për pëlqim/konfirmim për mos pengim të zhvillimit të projektit në objektin e FFK-së.

Më tutje Bordi miratoi raportet e shpërndarjes për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore GJI097 NSh “N.T.Sh. Tregtia” dhe PRN078 Kombinati i Pambukut “YUMCO”.