Inflacioni më i ulët dhe energjia më e gjelbër ia vlejnë çmimin e një rënieje të shkurtër.
Më parë, ekspertët që tërhiqnin vëmendjen e turmës ishin ata që parashikonin një recesion global. Sot, dallohen ata që thonë se ekonomia botërore do të shmangë recesionin, shkruan The Economist.
Rezerva Federale e Amerikës po përgatitet të shtrëngojë politikën monetare dhe ka rritur normat e interesit me 2¼ pikë përqindje që nga marsi. Ajo pritet të vendosë një tjetër shtrëngim deri në dhjetor.
Europa po vuan nga mungesat e gazit natyror, për shkak të rënies së furnizimeve nga Rusia. Rritja ekonomike e Kinës është ngadalësuar ndjeshëm, si rezultat i karantinave nga politika e saj zero-covid dhe shqetësimet po shtohen për tregjet e brishta të pronave në vend.
Kaq e zymtë është gjendja, saqë shumë investitorë po pyesin nëse një recesion ka ardhur tashmë. Kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur.
Pandemia ka çorientuar treguesit ekonomikë. Inflacioni ka ulur besimin e konsumatorëve, por kur pyeten për financat e tyre personale dhe jo për ekonominë në tërësi, njerëzit janë shumë më optimistë. Shifrat zhgënjyese të PBB-së në Amerikë nuk përputhen me masat e tjera të prodhimit ose me listën e pagave në rritje.
Sondazhet e prodhimit regjistrojnë rezultatet më të dobëta që nga ditët e para të pandemisë, por kjo mund të jetë për shkak se konsumatorët janë ende duke ribalancuar shpenzimet pas fazës më të keqe të pandemisë (ka më pak blerje të pajisjeve të palestrës në shtëpi, por më shumë radhë në aeroporte). Edhe ngadalësimi i Kinës mund të ndihmojë disi Europën, duke ulur kërkesën globale për gaz natyror të lëngshëm.
Pavarësisht nëse ekonomitë po tkurren, është e vështirë të shihet se si mund të shmanget recesioni vitin e ardhshëm, ndërsa shtrëngimi monetar po ndihet dhe Europa po i afrohet një dimri të zymtë. Ana pozitive është se normat më të larta të interesit dhe goditjet energjetike mund të sjellin përfitime që duhet të forcojnë ekonominë botërore në një periudhë afatgjatë.
Efekti te familjet e varfra
Familjet me borxhe po shkurtojnë shpenzimet. Me disa përjashtime, siç është tregu i banesave në Kanada, ekonomitë e mëdha nuk vuajnë nga shumë dobësi të tilla. Në fakt, familjet dhe kompanitë duken të forta.
Balancat bankare të familjeve më të varfra amerikane janë rreth 70% më të larta se sa ishin në vitin 2019. Edhe kërcënimi i një krize financiare në tregjet në zhvillim – shqetësimi i zakonshëm kur Rezerva Federale rrit normat – nuk është si dikur. Kjo ndodh, pjesërisht, për shkak të një kalimi drejt borxheve të shprehura në monedha vendase dhe jo në Dollar.
Defekti kryesor ekonomik global është inflacioni. Fatmirësisht, efektet e tij mund të jenë afatshkurtra. Herën e fundit që Rezerva Federale shtrëngoi politikën monetare në mënyrë kaq drastike, në fillim të viteve 1980, çmimet ishin dyfishuar gjatë dekadës së mëparshme.
Sot kjo shifër është vetëm 29%, sepse inflacioni u rrit vitin e kaluar. Megjithëse ekonomia e Amerikës është “mbinxehur”, pritshmëritë afatgjata të inflacionit mbeten modeste. Analogjia më e mirë historike ndoshta nuk është beteja e zgjatur me stagflacionin e viteve 1970, por shpërthimi i çmimeve të konsumit që pasoi përçarjen masive nga Lufta e Dytë Botërore.
Rënia që solli fundin e atij inflacioni la disa plagë. Tashmë, tregjet po vënë bast se çmimet amerikane do të rriten me rreth 3.8% vitin e ardhshëm, më pak se gjysma e normës aktuale të inflacionit.
Gjetiu, shtysa kryesore për inflacionin është rritja e çmimeve globale të ushqimeve dhe energjisë dhe ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit, që po rrisin çmimet e mallrave të importuara. Disa mungesa tashmë po lehtësohen. Çmimet e grurit janë ulur me gati 40% që nga kulmi i fundit në maj.
Çmimet e naftës gjithashtu kanë rënë së fundmi. Zinxhirët e furnizimit po rimëkëmben. Fatkeqësisht, mungesa e gazit në Europë po përkeqësohet. Megjithëse qeveritë po bëjnë çmos për të mbrojtur konsumatorët nga pasojat, nëse racionimi bëhet i nevojshëm, prodhimi industrial dhe si rrjedhim PBB-ja, do të bien, ndoshta më shumë në ekonomitë e cenuara, si Gjermania. Edhe kur prodhimi tkurret, inflacioni do të rritet më tej.
Megjithatë, ashtu siç një rënie mund të çlirojë ekonominë amerikane nga problemi i inflacionit, edhe Europa mund të dalë nga recesioni, duke kapërcyer problemin e saj për furnizimin me energji.
Politikëbërësit e kanë kuptuar me vonesë se zhvendosja e kujdesshme drejt energjisë së pastër, lehtëson varësinë nga regjimet autokratike.
Në mbarë botën, investimet në energjinë e rinovueshme po rriten dhe qeveritë që më parë ishin skeptike për energjinë bërthamore, po rimendojnë kundërshtimin e tyre. Edhe Japonia, e cila pësoi fatkeqësinë e Fukushimës në vitin 2011, shpreson të vërë në punë më shumë reaktorë bërthamorë.
Nëse bota del nga rënia e ardhshme ekonomike me inflacion nën kontroll dhe e orientuar drejt furnizimeve më të gjelbra dhe më të sigurta të energjisë, atëherë dhimbja nuk do të ketë qenë e kotë. /Monitor.al/