Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, kanë vizituar dje punimet në autostradën e Gjilanit. Ky projekt, sipas paralajmërimeve të tyre, pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.
Durmishi me anë të një njoftimi në facebook, ka njoftuar se tashmë janë zgjidhur të gjitha problemet me shpronësimet në atë pjesë dhe se intensiteti i punës do të rritet në ditët në vazhdim.
“Për më shumë se një vit jemi marrë me zgjidhjen e shumë problemeve të trashëguara duke filluar nga gabime e mangësi në projekt e duke vazhduar me shpronësime e plot probleme tjera. Tani ato janë zgjidhur të gjitha prandaj ne jemi duke i marrë të gjitha masat e nevojshme që ky projekt të përfundoj në tërësi vitin tjetër. Ditëve në vazhdim do të ketë rritje të intensitetit të punimeve në këtë projekt”, ka thënë Durmishi.